Darka te Pazari i Ri, dakordësi 
mes PS dhe LSI për zgjedhjet 

Darka te Pazari i Ri, dakordësi <br />mes PS dhe LSI për zgjedhjet 
TIRANË-PS dhe LSI duket se kanë gjetur dakordësinë mes tyre për mosmarrëveshjet e krijuara në javët e fundit.

24 orë pas përfundimit të marrëveshjes 4 vjeçare të 1 prillit, kryeministri Rama dhe kreu i Parlamentit Ilir Meta kanë darkuar për afro 4 orë tek një restorant tek “Pazari i Ri ku janë diskutuar sfidat politike të ditëve në vijim.

Pikat për të cilat kanë rënë dakort PS-LSI

-Propozim të përbashkët PS-LSI për kandidaturën për Presidentin e ri.

-Përjashtohet opsioni për qeverinë teknike, është i panegociueshëm për maxhorancën PS-LSI.

-Në zgjedhjet e Kavajës edhe 18 Qershorit, PS-LSI do hyjnë në koalicion

Burime të Report Tv e Shqiptarja.com kanë bërë me dije se mes palëve është arritur një dakordësi për zgjedhjet e Kavajës dhe ato të 18 qershorit, për të pasur një koalicion parazgjedhor që është garant për vijimin e një koalicioni tjetër qeverisës për 4 vitet e ardhshme.

Po të njëjtat burime saktësuan se në këtë darkë janë diskutuar edhe disa çështje të tjera të nxehta, siç është edhe zgjedhja e Presidentit të Republikës, ku duket se ka pasur një mirëkuptim mes palëve për kohën dhe për propozimet e mundshme si zëvendësues të Bujar Nishanit.

Shqiptarja.com mëson se PS dhe LSI do të dalin me një propozim tëpërbashkët për kandidaturën për Presidentin e ri të Republikës.

Meta dhe Rama kanë rënë dakort që PS dhe LSI të përjashtojnë opsionin për një qeveri teknike të mundshme dhe se nuk do të negociohet në asnjë mënyrë me opozitën për një të tillë.

Duket se darka tek “Pazari i Ri” i paraprin kështu nënshkrimit të një marrëveshjeje të re qeverisëse për 4 vitet e ardhshme mes PS-së dhe LSI-së.

Ndërkohë LSI pritet të mbledhë Kryesinë brenda 48 orëve në vazhdim. 

Presidenti i ri, me dakordësinë e dy palëve
Një nga pikat e marrëveshjes së re mes PS dhe LSI është edhe zgjedhja e Presidentit të ri i cili do të ketë dakordësinë e të dy palëve. 

Sipas afateve kushtetuese, zgjedhja e Presidentit do bëhet përpara atyre parlamentare të 18 qershorit. 

Veliaj konfirmon marrëveshjen PS-LSI: Bashkë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm në darkën e një nate më parë mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, konfirmon arritjen e marrëveshjes.
 
Gjatë inspektimeve të punimeve në shkollën "Betim Muço" në zonën e Kombinatit, Veliaj ka lënë të kuptohet se pakti mes PS-së dhe LSI-së është arritur.
 
"Kemi kuptuar se ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa na ndajnë. Ndaj, është shumë e rëndësishme që të ruajmë këtë ritëm të zhvillimit të Tiranës, të zhvillimit të Shqipërisë, vetëm duke u fokusuar te gjërat që na bashkojnë, duke qenë konstruktivë, duke ofruar konsensus, për të kuptuar se Shqipëria është përtej çdo diference tjetër. Mund t’i ofrojmë vendit një qeverisje të qëndrueshme si në Shqipëri, ashtu edhe në qytetin Tiranës, ku besoj se kemi vënë një standard në mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike", u shpreh Veliaj.  

Fruti i parë nga darka Rama-Meta, LSI regjistrohet në KQZ
Duket se darka Rama-Meta tek Pazari i Ri ka rezultuar produktive dhe ka sjelle frutet e para. Rregjistrimi sot i anëtarit të LSI për zgjedhjet në Kavajë e dëshmon më së miri këtë.
Pas Partisë Socialiste edhe LSI dorëzon në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), propozimet mbi anëtarët për KZAZ.

Rama-Meta të buzëqeshur pas takimit 4 orësh
Kryeministri Edi Rama dhe aleati kryesor në qeverisje, Ilir Meta zhvilluan një takim për rreth 4 orë në një nga restorantet te 'Pazari i Ri' në Tiranë.
 
Takimi mes kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, ku pjesë e tryezës ishin edhe Erion Veliaj me Petrit Vasilin nisi rreth orës 21:00 dhe përfundoi në orën 01:00 pas mesnate.
 
Në qendër të diskutimit mes dy aleatëve në qeverisje ishte rinovimi i koalicionit edhe për një tjetër mandat.

Nga takimi i pari doli i kryeministri Rama me kryebashkiakun Erion Veliaj, ndërsa disa minuta pas tij u largua edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta me Petrit Vasilin.
 
Të dy palët, si Rama edhe Meta nuk kanë pranuar që të japin prononcime për mediat që ishin të pranishme, por u mjaftuan me një buzëqeshje duke lëshuar sinjale pozitive që u lexuan qartë me rezultatet që erdhën ditën e sotme.

Basha: Peshku është qelbur nga koka
Darka Rama-Meta tek Pazari i Ri nuk ka kaluar jashtë vëmendjes së kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Në një prononcim për Shqiptarja.com, Basha i pyetur mbi një koment për darkën tha shkurt se, “nuk komentoj takimet tek Markata e Peshkut. Peshku është qelbur nga koka”.

Darka pas thirrjes së Ramës ndaj Metës: Jemi gati, ndaje mendjen
Darka Rama-Meta erdhi pas Asamblesë së PS ku u bë një apel për LSI. Kryeministri Edi Rama ka kërkuar koalicion me LSI-në për vazhdimin e reformave, duke i lëshuar mesazhin më të fortë Ilir Metës se nuk ka ndërmend të presë dhe ulë shpejtësinë e Partisë Socialiste për marrjen e çdo vote. Rama paralajmëroi të gjithë ata që do investoheshin tek rrëzimi i tij dhe qeveria teknike se do të dështonin. 

Kreu i mazhorancës tha se nuk do ketë shtyrje të zgjedhjeve dhe tha se Partia Demokratike është e mirëpritur të vetëshkatërrohet.

(d.b/Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg