Darling Vlora: Përpjekjet për të
zbehur figurën e Ismail Qemalit

Darling Vlora: Përpjekjet për të <br />zbehur figurën e Ismail Qemalit
TIRANE - Darling Vlora, nuk e ka pasur të lehtë të lërë punën e tij në Itali dhe të jetë i pranishëm për 100-vjetorin e Pavarësisë. I duhej të bindte shefat për rëndësinë e ardhjes në Shqipëri në këto momente dhe tashmë është kthyer në Tiranë. Stërnipi i familjes së Ismail Qemalit, ai dhe e motra Arjana Vlora, janë të vetmit trashëgimtarë që kanë jetuar në Shqipëri. Familja e tyre ka vuajtur në diktaturën komuniste. Djali i Ismail Qemalit, gjyshi i Darling dhe i Arianës, u burgos nga regjimi komunist dhe familja Vlora iu nënshtrua luftës së klasave. Darling dhe Ariana Vlora, bij të Ismail Qemalit, nipit të themeluesit të Pavarësisë, që u pagëzua me të njërin emër e kanë përgatitur shtëpinë e tyre modeste si për festë. E, pavarësisht... dhimbjes për nënën e sapolarguar nga kjo jetë, ata duken shumë të lumtur. "Jemi të lumtur me mënyrën sesi populli e do Ismail Qemalin, si e tregon këtë dashuri. Kështu ka qenë gjithmonë. Populli e ka dashur, ndërsa disa historianë të politizuar përpiqen t'i zbehin vlerat", thotë Ariana, stërmbesa e Ismail Qemalit. Tashmë në këtë pragfeste edhe qeveria po tregohet për herë të parë e interesuar për trashëgimtarët e lënë në harresë të Ismail Qemalit, nga njëri regjim në tjetrin. Më në fund ata do të jenë të ftuar në ceremonitë zyrtare. Stërnipërit, Darling dhe Arjana Vlora do të jenë më në fund të pranishëm në ceremoninë e manifestimeve të 100-vjetorit.

Darling, ju punoni jashtë Shqipërisë. I keni ndjekur zhvillimet për përgatitjet e 100-vjetorit?

Unë e kam ndjekur gjithë këtë vit sesi po organizohet 100-vjetori i pavarësisë. Kam parë tashmë sesi Vora është përfshirë në këtë 100-vjetor dhe Tirana është zbukuruar me flamuj dhe kur sheh një popull entuziast dhe me flamuj në dritare, ky gjest tregon shumë, se është një festë që populli e do. Në kuadrin e këtij manifestimi është shtruar edhe çështja e rishikimit të Historisë, për të cilën nuk është rasti të flas këtu, por nuk do të rrija dot pa folur kur përpiqen disa historianë me çdo mjet ta zbehin figurën e Ismail Qemalit. Unë jam dakord t'u referohemi dokumenteve, por të mos i keqpërdorin ato. Mua më ka pëlqyer në një debat fjala që tha profesor Ferid Duka se "për turqit Ismail Qemali ishte po aq i rrezikshëm sa Skënderbeu" dhe ky konkluzion del nga dokumentet.

Si e keni përjetuar gjithë shpalosjen e figurës së Ismail Qemalit në publik, a ju duken tendenca për ta zbehur një qëndrim politik apo prirje për skup mediatik?
Edhe sikur skupi mediatik të përfshijë çfarëdo gjëje që thonë gjithfarë studiuesish, unë mendoj se nuk ndodh rastësisht dhe këtu ka një rol edhe politika. Me dokumente rastësore ose të pabaza nuk mund të fillojmë luftën për të zbehur figurat politike. Deri dje ne kemi akuzuar të tjerët, komunizmin për deformim të historisë, por kjo po ndodh edhe sot. Ndihem i fyer nga një debat në studio, ku ishin Fatos Lubonja, Eleni Kocaqi, profesor Ferit Duka, profesor Pëllumb Xhufi, Roland Qafoku. Kishte debat dhe unë jam që të ekzistojë debati, por nga ana tjetër ne nuk duhet të jemi dhe nuk duhet të bëhemi përçues të deformimit të imazhit. Fjalën e kam për argumentin që shtroi historiania Heleni Kocaqi. Pavarësisht se i referohej siç tha ajo një dokumentit austriak, Kocaqi këmbënguli se deklaratën që fëmijët e Ismail Qemalit nuk dinin shqip e ka thënë një konsull. Mirë, e ka thënë një konsull, po ti si historiane duhet ta dish, pse e ka thënë, në ç'rrethana e ka thënë dhe sa e vërtetë ka qenë. Si mund ta thotë ajo, kur në dokumente të shumta historike shkruhet se Ismail Qemali ka marrë pjesë në shoqëritë e alfabetit që ishin në Stamboll para se të krijohej alfabeti. Ismail Qemali ka bashkëpunuar me Kristoforidhin për alfabetin shqip. Ismail Qemali paguante mësues që t'u mësonte jo vetëm fëmijëve të tij shqipen, por edhe shqiptarëve të tjerë. Një konsull e thënka një gjë të tillë dhe një historiane e merr për bazë këtë në këtë 100-vjetor! Nuk është aspak e vërtetë që nuk dinin shqip. Djali i Ismail Qemalit, Qazim Bej Vlora, përkthente nga frengishtja në shqip. Memorandumin e Gërçes, librin e kuq, Ismail Qemali e ka shkruar në frëngjisht dhe në shqip e ka përkthyer djali i Ismail Qemalit. Fakti gjendet në një gazetë franceze në vitin 1911. Pra në vitin 1911, djali i Ismail Qemalit përkthente, që do të thotë të jesh njohës i hollë i gjuhës. Unë do t'u lutesha historianëve të mos marrin faktet pa u thelluar me argumente që fare mirë i gjen në shtypin e huaj e në arshiva.

Ka raste të tjera që ju mendoni se kanë cenuar imazhin e Ismail Qemalit?
Nuk besoj se mund të arrijnë ta cenojnë, por përpiqen ta zbehin. Disa historianë e theksojnë fort se ka bashkëpunuar me austriakët apo grekët në 1907-n. Po ka bashkëpunuar, ka pasur marrëdhënie diplomatike, por nuk ka asnjë rast që Ismail Qemali të ketë dhënë kufijtë. Ka pasur marrëveshje në 1907-n, por nuk ka pasur në 1912-n kur bëhej fjalë për kufijtë. Në këtë rast nuk flitet për asnjë marrëveshje. Ismail Qemali nuk ka shitur kufij. Një tjetër rast është tendenca për të theksuar fort se gruaja e Ismail Qemalit ishte me origjinë greke. T'i ndërhysh një personi në ndjenjat personale, se me kë dashurohet apo martohet, dhe ta quash këtë si faj, vetëm këtu e dëgjoj të diskutohet. Më duket një gjykim ordiner. Duhet të pyeste Ismail Qemali këta analistët e sotëm se me kë do të martohej ai. Në atë kohë u dashurua, ose edhe po të mos ishte dashuruar mund t'ia kishte dhënë familja atë grua. Kjo lloj zgjedhjeje mbetet gjëja më private e njeriut...

Tashmë po ngrihet edhe monumenti, e kini parë?

Unë monumentin e Ismail Qemalit që ka qenë te Muzeu Historik i bërë nga Paskali e kam parë dhe duhet të më kuptosh se për mua kur e shoh kam një tjetër ndjesi. Kur e kam parë, kam menduar pse e lënë këtu mbyllur brenda dhe nuk e nxjerrin në shesh. Specialistët thonë se nuk përshtatet për mjedisin e jashtëm. Por siç shkuan punët, ndodhi që meqë ky ishte më i miri, u desh që ta nxirrnin jashtë. Që doli në dritë, kjo për mua është diçka e mirë, por mendoj se vendi nuk i duhuri. Do të doja të ishte në një vend më të dukshëm. Do të doja të ishte një monument me përmasa që i përshtaten hapësirës jashtë.... Megjithatë nuk mendoj se është e lehtë të bësh një monument për Ismail Qemalin.

DEBATI
Djali i Ismail Qemalit, Qazim Bej Vlora, përkthente nga frëngishtja në shqip, Memorandumin e Gërçes, Librin e Kuq. Ismail Qemali e ka shkruar në frëngjisht dhe në shqip e ka përkthyer djali i Ismail Qemalit. Fakti gjendet në një gazetë franceze në vitin 1911. Pra në vitin 1911, djali i Ismail Qemalit përkthente, që do të thotë të jesh njohës i hollë i gjuhës.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com


(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi