DASH: Hapja e urës së Mitrovicës në këto momente do të rriste gjasat për dhunë

DASH: Hapja e urës së Mitrovicës në këto momente do të rriste gjasat për dhunë

Departamenti amerikan i shtetit në SHBA

Departamenti amerikan i Shtetit tha të mërkurën se hapja e urës së Mitrovicës në këto momente do të rriste gjasat për dhunë dhe i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që “të mos ta ndërmarrë këtë veprim të pakoordinuar”.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin “asnjë lëvizje për të ndryshuar statusin aktual të urës së Mitrovicës në këto momente”.

“Hapja e urës për trafikun e automjeteve tani rrit potencialin për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it - përfshirë amerikanët – të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit.

DASH-i i bën thirrje qeverisë së Kosovës të mos ta ndërmarrë këtë veprim që e konsideron si “të pakoordinuar dhe të njëanshëm”.

Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë që ta diskutojë këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Ky është një pozicion që ne e ndajmë me partnerët tanë të Kuintit - Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar – si dhe me BE-në dhe NATO-n. Dhe është një qëndrim që e kemi bërë shumë të qartë, si publikisht ashtu edhe privatisht”, vazhdon deklarata e zëdhënësit.

Departamenti i Shtetit thotë se objektivi i Shteteve të Bashkuara është që të punojnë me qeverinë e Kosovës për të krijuar kushtet në të cilat ura të mund të hapet për qarkullimin e automjeteve.

“Prandaj, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t'i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, përfundon deklarata.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot gjatë një mbledhjeje të qeverisë se hapja e urës nuk është kundër askujt dhe aq më pak kundër aleatëve të Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë si kryeministër besojmë thellësisht se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Ne do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimet me partnerët tanë, hapja e urës nuk është kundër askujt”, tha ai.

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë kanë shtuar praninë e tyre në urën kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, që shënon edhe vijën ndarëse ndërmjet dy komunave të këtij qyteti.

Diplomacia perëndimore ka theksuar vazhdimisht që kur qeveria e Kosovës shprehu synimin për hapjen e urës se nuk është momenti I duhur për një gjë të tillë.

Kryeministri Kurti ka këmbëngulur se hapja e urës do t’i shërbente lëvizjes së lirë.VOA

Xh.K/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari! Në pranga edhe një 24- vjeçar, theu masën e arrestit të shtëpisë

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari! Në pranga edhe një 24- vjeçar, theu masën e arrestit të shtëpisë