Foto: Ermal Nufi
Ministri i Mbrojtes Ermal Nufi ka reaguar pas lajmit se Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e sistemit raketor HIMARS për Shqipërinë.
Në një postim në rrjete sociale Nufi shprehet se me këto sisteme, Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të fitonin aftësinë për të vepruar me saktësi në distanca të gjata, duke forcuar mbrojtjen e vendit dhe kontributin tonë në NATO.
“Shqipëria ka kërkuar të pajiset me dy sisteme të artilerisë raketore M142 HIMARS. Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme dhe ka njoftuar Kongresin amerikan.
Paketa e propozuar, me vlerë të përllogaritur prej 210 milionë dollarësh, përfshin edhe municione, trajnim për ushtarakët shqiptarë dhe mbështetje për mirëmbajtjen e sistemeve. Për financimin e saj parashikohet një kredi nga programi amerikan i financimit ushtarak - FMF.
E mirëpresim këtë hap në bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara. Me këto sisteme, Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të fitonin aftësinë për të vepruar me saktësi në distanca të gjata, duke forcuar mbrojtjen e vendit dhe kontributin tonë në NATO”, shkroi ministri Nufi.
Lajmi kryesor:
Departamenti Amerikan i Shtetit miraton shitjen e sistemit raketor HIMARS për Shqipërinë: Vlera 210 mln $, përmirëson kontributin në planin mbrojtës të NATO






