Edhe pse qeveria ka premtuar shumë për rikthimin e pronave të trashëguara nga ish-regjimi komunist për komunitetet fetare ky premtim ende nuk është realizuar ndërsa beteja e grupeve fetare me gjyqësorin për të rimarrë pronat vijon prej shumë vitesh. Konstatimi, vjen sërish si një ndër shqeteësimet kryesore që lidhen me respektimin e lirive fetare në vend, në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2011.

" Qeveria vazhdoi të trajtojë pretendimet nga secili prej katër grupeve tradicionale fetare në lidhje me kthimin apo kompensimin e pronës së konfiskuar gjatë epokës ish komuniste, megjithatë shumë prej kërkesave pronësore mbeten ende të pazgjidhura. Ky problem mbetet i pazgjidhur edhe pse në vitin 2008 pas një marrëveshje dypalëshe mes qeverisë dhe grupeve fetare, Agjencia Shtetërore për Kthimin dhe Kompensimin e pronave u udhëzua për tju dhënë përparësi pronave të zotëruara nga bashkësitë fetare" thuhet mes rreshtave të raportit. Raporti përmend edhe projektin ende në letër të xhamisë së re në Tiranë.

Komunitetit mysliman iu dha toka për ndërtimin e xhamisë, por ky komunitet vijon të jetë në kërkim të lejes së ndërtimit nga Bashkia e Tiranës. Xhamia ende nuk është ndërtuar-thuhet në raport-ndërsa në nëntor Kryebashkiaku i Tiranës deklaroi publikisht se do krijojë një komision për të përshpejtuar punën për realizimin e këtij projekti.

Gjithsesi në vija të përgjithshme raporti evidenton faktin se në vendin tonë respektohen liritte dhe të drejtat fetare, ndërsa nuk ka patur raportime gjatë 2011 për abuzime me këto liri.

Raporti i 2011 i DASH për lirite fetare përmend edhe censusin e 2011 ku deklarimi i përkatësisë fetare ishte një pjesë e tij, por që edhe pse jemi në mes të 2012 ende nuk ka nje rezultat zyrtar se si është përkatësia fetare e shqiptarëve.

Në raport përmendet vakuumi ligjor që ndalon mbajtjen e veshjeve apo simboleve fetare,ndërsa kjo e drejtë u takon drejtorëve të shkollave për të vendosur standartet për "veshjet e përshtatshme" e cila në disa raste ka krijuar kufizime ndaj ekspozimit publik të simboleve fetare.

Redaksia online
(ns/shqiptarja.com)