Në sferën publike 2025 qëlloi një vit i ashpër në vendin tonë, i mbushur me tension verbal. Përmend publiken, pasi në të vërtetë e imagjinoj atë si pjesën e dukshme, si dallgët që shohim në një det të trazuar shumë, nga ato, 7-8 ballë kur kapiteneritë njoftojnë ndalimin e lundrimit deri në qetësimin e detit. Por nëse zhytemi më thellë, deti, oqeani, është përherë i qetë, i paqtë, i palëvizshëm, ashtu si edhe kur kalojmë përtej reve, ku qielli është gjithmonë një oaz qetësie dhe mirësie.

Në diturinë e njerëzimit, disa kultura më të zhvilluara, kanë kërkuar përherë të përfitojnë mësime për jetën pikërisht në këto pjesë “oqeanike” dhe “qiellore” të njerëzve. Janë munduar të arrijnë thellë e thellë, duke kapërcyer furtunat dhe uraganët e ndjenjave dhe instikteve, duke nxjerrë prej aty pjalmin për një shoqëri më të mirë, të së tashmes dhe të së ardhmes.

Budistët njihen si më të mirët në sipërmarrje të tilla, të veshur me durimin e tejskajshëm dhe aftësinë për “të mbajtur frymën” dhe për të parë se çfarë ka poshtë dallgëve dhe sipër reve, ata kanë zbuluar “Dashamirësinë” si një koncept dhe filozofi jete. Me meditimet dhe teknikat e shumta të shpikura dhe të eksperimentuara prej tyre kanë dhënë dhe japin një kontribut të jashtëzakonshëm në ekuilibër dhe harmoni. “Mettasutta” është një prej teknikave që predikon një nga tekstet më paqësore që mund të jenë konceptuar ndonjëherë nga mendja njerëzore e që në thelb thotë këtë: “…Të gjithë krijesat qofshin të lumtura dhe në paqe, qoftë mendja e tyre e lumtur. Çdo krijesë, e levizshme a e palëvizshme, pa përjashtim, e gjatë, e madhe, mesatare apo e shkurtër, e vogël apo e bëshme, e dukshme apo e padukshme, që jeton afër apo larg, që ka lindur apo është duke lindur, që të gjitha këto krijesa – them – paçin një mendje të lumtur. Që askush të mos ofendojë tjetrin, që askush, në cilëndo situatë, të mos përbuzë tjetrin; që askush për inat apo qejfmbetje, të dëshirojë të keqen e tjetrit. Ashtu si një nënë mbron fëmijën e saj, fëmijën e vetme të saj, me çmimin e jetës, në të njëjtën mënyrë, ndaj të gjitha krijesave, duhet zhvilluar një vëmendje e pakufishme mendore dhe një dashamirësi për të gjithë botën…”.

Nuk jemi budistë, por në jetën tonë e për 2026-n që po vjen, pak budizëm e Dashamirësi do të na harmonizonte më shumë e do të na bënte të jetonim të gjithë më mirë, duke kaluar dallgët e trazuara dhe retë.