Dastid Miluka: Dashuria duhet
të shndërrohet në stil jetese

Dastid Miluka: Dashuria duhet<br />të shndërrohet në stil jetese
TIRANE - Brukseli nuk është vetëm një burim kumtesh politike. Në kryeqytetin e politikës europiane, janë shkartisur kultura dhe kombësi, jetë dhe vepra të cilat nuk vijnë me kaq jehonë sa mesazhet politike. Në galerinë XXL, ku janë ekspozuar punime të artistëve të njohur si Alechinsky, Soto, Cesar, Arman apo punime dhe grafika të kineastit të shquar amerikan David Lynch, është hapur këto ditë një ekspozitë e tre piktorëve, njëri syresh shqiptar.

Është Dastid Miluka, piktori i ri, që jeton dhe krijon larg vendit të tij ashtu si dhe shumë artistë të tjerë shqiptarë. Ekspozita e organizuar nga galeria në bashkëpunim me fondacionin Artmagna në Bruksel ishte planifikuar një vit më parë ashtu siç e kërkon axhenda kulturore dhe në të Dastid prezantohet vetëm me punime bardhë e zi.

Njëra anë e krijimtarisë së tij, sepse pjesa tjetër e punëve të tij janë të mbushura plot ngjyra të qarta dhe kontrastuese, forma dhe koncepte që zbulojnë formimin kulturor të artistit, por përtej të gjitha hamendësimeve për rrymat e ndryshme që kryqëzohen brenda telajos së tij, ka një fill të pangatërrueshëm, është stili i tij, është ndjesia, fantazia dhe emocioni i ngjizur sipas Dastid Milukës.

«Përsa i përket tematikës, këtu vij me kompozime që kanë në qendër peisazhe urbane apo personazhe imagjinare »- shpjegon Dastid «Janë punime nëpërmjet të cilave komunikoj në një gjuhë narrative dhe ajo ç’ka përftohet duke i parë këto krijime është një ndjesi që duket sikur të çon në një udhëtim ndërmjet një realiteti të shkuar dhe një të tashme të mbetur statike në kohë, e kjo për të lejuar imagjinimin e situatave të ndryshme  të vendosura në të ardhmen.

Po ashtu, në punimet e tjera, mund të vihen re personazhe të cilët bëhen pjesë pikërisht e këtyre peisazheve urbane. Janë personazhe me karaktere të dyzuar e që mundohen të ruajnë një lloj ekuilibri midis elementeve të ndryshëm në subjekt dhe në formë.

I tërë koncepti ka të bëjë me një lloj dileme që ne si qenie njerëzore kemi apo ndiejmë në rrugëtimin tonë drejt të ardhmes. Ka nota nostalgjike të cilat nëpërmjet gjuhës figurative krijojnë mundësi reflektuese mbi idenë e asaj se çfarë ne, si qenie njerëzore,kemi qenë, jemi dhe drejt çfare të ardhmeje po shkojmë.

Në punimet e mia, mund të haset jo rrallë një paraqitje e elementeve të kundërt, të vendosur në momente apo gjendje të ndryshme, në një hapësirë kohore të papërcaktuar. Shpesh përdor në to dhe nota humori apo ironie dhe kjo pikërisht për të zbutur ndoshta dhe një anë disi fort të kontrastuar që i karakterizon në përgjithësi punimet në bardhë e zi.

Kjo më shërben dhe në vendosjen e një lloj ekuilibri ndërmjet këtyre elementeve të kundërt. Si përfundim mund të them që krijimet e mia në këtë ekspozitë vijnë si një pyetje dhe një reflektim mbi realitetin social të cilin ne përjetojmë ».

Duke parë faqen tuaj në facebook, hasa në konceptin tuaj për artin, politikën dhe dashurinë. Ju mendoni se arti mund (apo duhet) të shndërrohet në një stil jetese ashtu sic është bërë politika sot.

Refleksionet mbi Artin, Politikën ashtu si dhe Filozofinë apo Religjionin, si koncepte, mënyrat se si këto bashkëveprojnë apo mund të kundërshtojnë njëra-tjetrën, janë tema që më ngacmojnë dhe për mua janë tepër të rëndësishme, ashtu siç mund të jenë të tilla për çdo krijues.

Ajo çfarë për mua është më e rëndësishme dhe që mbetet thelbi dhe në krijim është koncepti mbi dashurinë. Eshtë Dashuria elementi kryesor që vë në lëvizje çdo gjë në jetë. Në mungesë të saj asgjë nuk funksionon siç duhet. Një krijim i bërë me dashuri është gjithmonë dhe më tepër komunikues pasi flet me gjuhën e ndjenjës.

Eshtë kjo ndjenjë, në plot kuptimin e saj, e cila vjen dhe  jep inspirim në art ashtu siç mund të bëhet dhe shtysë e fuqishme në momente delikate që mund të hasim në jetë. Më thjesht do të thoja, apo do të doja, që dashuria të ishte më në qendër të ekzistencës tonë dhe të shndërrohej në stil jetese për të gjithë ne. Ndoshta jeta do ishte më ndryshe në kuptimin më pozitiv të saj.

Si mund të realizohet ky stil jetese?
Eshtë e thjeshtë. Duhet vetëm të mësojmë të duam sa më shumë. Të duam njëri-tjetrin dhe çdo gjë të bukur që na rrethon. Ne humbasim shumë kohë me probleme të përditshme që në shumë raste mund të jenë dhe të kota e ndërkohë harrojmë që jeta jetohet vetëm një herë dhe se ajo ikën shpejt. Mungesa e dashurisë na bën t’i largohemi më tepër njëri-tjetrit. Dashuria na afron dhe na bën më të mirë.

Ajo çfarë unë them është ajo që artistë të ndryshëm nëpërmjet artit të tyre e kanë thënë gjithmonë dhe vlerësoj në këtë rast që roli i artit është i rëndësishëm që nëpërmjet gjuhës së tij t’i bëj njerëzit të reflektojnë dhe të bëhen me koshient për çfarë e si kjo jetë që na është dhuruar të mund të jetohet më mirë, pikërisht duke pasur më tepër dashuri dhe duke e kthyer atë në stil të jetuari.

Është e pranishme politika në artin tuaj?
Deri tani mendoj se arti im ka qenë më tepër i influencuar nga zhanret e tjera artistike, si muzika apo letërsia, ndaj dhe krijimet e mia i përkasin me tepër një profili ëndërrimtar apo lirik. Personalisht, nuk kam preferuar, deri tani, ta përfshij shumë politikën në krijimtarinë time, dhe kjo për arsyen e thjeshtë, sepse nuk e kam pasur shumë në vëmendje përkthimin e saj në imazh.

Megjithëse në një të ardhme nuk është së përjashtoj këtë mundësi ashtu siç nuk përjashtoj asnjë ngacmim që mund të shndërrohet ne inspirim për të krijuar punë të reja. Faktikisht, ngacmime të nisura nga ide në lidhje me zhvillime të caktuara socio-politike kam pasur në disa raste, megjithse këto të pakta. Shembull është pikërisht rasti i një punimi që ishte paraqitur në ekspozitën e fundit.

Punimi titullohet «Belgian Chocolate» dhe këtu, nëpërmjet simbolikës  figurative që kam përdorur, mund të shikohet dhe ajo ç’ka karakterizon aktualisht realitetin socio-politik belg, ku shkurtimisht mund të them që ka pasur një konflikt ndërmjet 2 komuniteteve më të mëdha, atij Flamand dhe Valon.

Ajo që sjell në këtë punim është një përqafim simbolik i tyre për të ruajtur idenë dhe konceptin e një bashkëjetese në vazhdimësi. Pra, absolutisht nuk e përjashtoj faktin që dhe në të ardhmen të ketë të tjera krijime mbi realitete të caktuara politike, megjithëse për momentin nuk janë pjesë e preferencës time. Gjithsesi, më pëlqen kur opsionet mbeten të hapura.

Jetoni në qytetin që për shqiptarët është shndërruar në burim kumtesh politike. Po jeta artistike si është atje?
Dihet që Brukseli është qyteti apo kryeqyteti i politikës europiane por dhe jeta artistike është po aq e gjallë dhe e shumëllojshme. Aktivitetet artistike janë të shumta dhe vetëm po të shikosh axhendën e programuar të çdo muaji e kupton sa e mbushur është jeta artistike.

Duhet të mbash shënim apo të bësh seleksionime për të pasur mundësi të ndjekësh ato aktivitete artistike që janë më tepër të preferuara apo që janë më pranë interesave personale, pasi të gjitha aktivitetet nuk ka mundësi që të ndiqen. Kjo shumëllojshmëri vjen dhe ngaqë Brukseli është një qytet multikultural dhe kjo është një tjetër pasuri që ky qytet mbart në vetvete.

Kultura të ndryshme nga pothuaj të gjitha vendet e botës janë të pranishme dhe këto komunikojnë e shkëmbejnë me njëra-tjetrën. Pra këtu gjenden të dyja realitetet, ai i institucioneve apo politikës në njërën anë dhe realiteti i artit dhe i kulturës në anën tjetër. Si krijues e shoh gjithashtu tepër inspirues këtë imazh të Brukselit.

Jeni takuar së fundmi me shkrimtarin Ismail Kadare…
Për mua ishte një takim i mrekullueshem dhe do ngelet si i tillë gjithmonë në mendjen time. Ismail Kadare është një nga intelektualët më të mëdhenj që Shqipëria, për fat të mirë, ende ka. Eshtë gjithashtu vërtet për të ardhur keq që ende ka njerëz që nuk arrijnë, apo qëllimisht nuk duan të kuptojne sesa i rëndësishëm është Kadare jo vetëm për letërsinë, por dhe për të gjithë faktorin shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

“Mosmarrëveshja. Shqipëria përballë vetvetes” titullohet romani që Kadare prezantoi në Bruksel në një takim me shqiptarët e diasporës. Mendoj se ky është një libër që çdo shqiptar duhet ta lexojë dhe ta analizojë. Vlerësoj që ky roman vjen si një portret i realiteteve shqiptare të vendosura përballë pasqyrës të së vërtetës.

Ka një gjuhë të thellë ky libër dhe të bën të reflektosh mbi atë se çfarë na bën ne shqiptarëve të ndryshëm apo të njëjtë me popujt e tjerë e për më tepër hap rrugë drejt njohjes më mirë të vetes.

Kadare shprehet se nuk merr përsipër të japë mesazhe, por mendoj se për të thithur esencën dhe pikërisht për ta kuptuar mirë duhet që ky roman të lexohet në fjalë dhe më tepër të lexohet dhe kuptohet në mes të linjave të fjalëve.

Përveç të tjerave, mendoj se ne si shqiptarë do të jemi më të mirë, më kreativë dhe do të ecim më shpejt përpara pikërisht kur të njohim më mirë veten, pasi kështu do dimë se si te vetrespektohemi dhe më pas se si të respektojmë të tjerët. Përfundimisht, mund të them që takimi me të ishte i  shkurtër në kohë, por kur je pranë njerëzve të tillë është pikërisht koha ajo që e humb kuptimin e saj.

Ajo që shquhet në krijimtarinë tuaj është një raport mes vizatimit dhe pikturës e për pasojë mes dritëhijes dhe ngjyrave të forta, të qarta plot kontraste. Të dyja tok në ekspozita…
Sigurisht që lidhja ndërmjet vizatimit dhe pikturës është e madhe dhe e pashmangshme. Për mua vizatimi është baza ku dhe lind një koncept artistik ndërsa piktura e merr dhe e zhvillon për të dhënë dhe zgjidhje të tjera në varësi të paletës koloristike. P.sh, nëse një vizatimi, të konceptuar në bardhë e zi ne do t’i shtonim sikur thjesht një ngjyre, psh, një të kuqe, atëherë çdo gjë që kishte lidhje me punimin fillestar do të ndryshojë e si rrjedhim vetë punimi do të kërkojë raporte të reja.

Në vazhdim, kjo lojë e re e ndërtuar mbi raporte të reja mund të marrë zhvillime të tjera dhe në mënyrë të pashmangshme mund të çojë në përfundime të ndryshme. Kjo mund të vazhdojë në pafundësi. Për mua kjo është e gjitha një lojë emocionale ku nese luhet me gjithë zemër bën të mundur lindje të krijimeve të mrekullueshme.

Femrat tuaja janë nudo dhe ndryshe nga koncepti tradicional

Përpiqem t’i shmangem deri diku klisheve të femrës-engjëll e paraqitur në versionin e asaj sesi ne i konceptojmë dhe i njohim imazhet të paraqitura artistikisht të engjëjve. Them artistikisht sepse janë pikërisht artistët ata që e kanë krijuar vizualisht imazhin që ne njohim.

Femra në krijimet e mia është dhe vjen pikërisht në shëmbëllimin më të saktë të asaj pjese njerëzore të cilën ne e njohim, ashtu siç ajo vjen dhe me pjesën e saj të panjohur. Ajo vjen me bukurinë trupore dhe mistikën e qenies dhe të krijimit.

Ajo është vetë krijimi dhe në të njëjtën kohë ajo vetë është krijuese. Femra për mua është inspiruese me gjithçka që ajo përmban në brendi apo në formë dhe me tërë ekuilibrin që ajo krijon në të gjithë këtë që ne quajmë jetë.
 
Portrete burrash flokëblu dhe mjekërkuq, mosha të ndryshme, por ngjyra të njëjta thuajse… Ka një domethënie në lidhje me gjininë?
Janë në fakt elemente që unë i përdor, në këtë rast, për të dhënë një ide të caktuar mbi personazhet. Kur flasim për flokë ngjyrë blu, sigurisht që ne e dimë realisht nuk ekzistojnë flokë në këtë ngjyrë, por ka një lloj simbolike që përdoret dhe ku paraqitja e figurës mashkullore merr konotacione të caktuara.

Për sqarim, ngjyra blu është ngjyra e qiellit, por ngjyra blu përdoret dhe kur duam të pasqyrojmë një gjendje emocionale të caktuar. Ngjyra blu përdoret po ashtu për të përcaktuar një përkatësi në rangjet aristokratike. Pra ka interpretime në gjuhë simbolike. Përsa i përket të kuqes, dhe kjo simbolizon, pasionin, apo karakterin luftarak që përgjithësisht karakterizon mashkullin.

Pra janë një sërë elementesh që përdoren për të transmetuar gjendje të veçanta të këtyre personazheve. Dhënia e elementeve të tillë figurativë është mjeti që unë përdor për të komunikuar me shikuesin, dhe njëherazi për ta lënë atë të lirë në perceptimin dhe interpretimin e imazhit që ai shikon.

Fantastikja dhe realiteti janë pjesë e shumë prej veprave tuaja. Cili është koncepti juaj për kohën?
Per mua fantastikja dhe realiteti janë shumë pranë. Ato janë pjesë që ushqehen nga njëra- tjetra. Eshtë pikërisht realiteti ai që frymëzon fantazinë. Janë pjesët që i mungojnë këtij realiteti apo janë ato pjesë të padukshme që interpretohen dhe lindin në krijime.

Janë dy pjesët kryesore që përbëjnë thelbin e tërë krijimtarisë time. Ajo që unë bëj është që i marr të dyja këto dhe i vendos në  një kohë të padefinuar. Realiteti dhe fantazia vijnë si 2 pjesë të të njëjtës medalje që në këtë rast është koha.

Keni një pikturë të titulluar “Kukafshehti” dhe kjo më solli ndërmend Lotman, dhe idenë e tij se arti është një lojë.
Mendoj që arti është lojë dhe e shikoj si të tillë, një lojë siç është dhe jeta. Secilit prej nesh i duhet të krijojë dhe ndërtojë lojën e tij, sipas mënyrës së tij. Në këtë koncept për mua çdo njeri,që lojës së tij i jep një zgjidhje të caktuar, ai njeri bëhet krijues.

Krijues i lojës dhe jetës së tij. Kur mënyrat e zgjidhjes së lojës janë më të shumta atëherë ky njeri është një krijues i mirë dhe plot fantazi. Unë jam mbështetës i idesë së të parit të artit si lojë, por një lojë që vjen me plot mesazhe, reflektim apo kënaqësi dhe për vetë jetën.

Çfarë ju frymëzon?
Mund të frymëzohem nga një pjesë muzikore ashtu siç mund të frymëzohem dhe nga leximi i një romani. Mund të më inspirojë një imazh i bukur ashtu siç mund të kem ngacmime nga ngjarje të caktuara. Më frymëzon gjithçka që më komunikon dhe transmeton gjendje dhe ndjesi emocionale.

Cili është udhërrëfyesi juaj në art?
Udhërrëfyesit për mua janë disa. Ë e bukura. Është dashuria. Është e vërteta.

Shkrimi u botua sot Suplementin Fundjava në gazetën Shqiptarja.com (print) 29.03.2103

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Si ndikon veza për kolesterolin, diabetin dhe shëndetin e zemrës

Si ndikon veza për kolesterolin, diabetin dhe shëndetin e zemrës