Data e zgjedhje 2013, Nishani
nuk fton në takim FRD-në

Data e zgjedhje 2013, Nishani <br />nuk fton në takim FRD-në
TIRANE- Të gjithë krerët e partive parlamentare, apo më konkretisht krerëve të partive të cilat kanë në Kuvend një deputet kanë marrë ftesë nga kreu i shtetit për të zhvilluar takim me të më 5 nëntor të këtij viti, për t'u konsultuar në lidhje me përcaktimin e një date të favorshme për zgjedhjet parlamentare të verës së vitit 2013.

Ndërkohë në adresën e partisë që drejtohet nga ish-Presidenti Topi, pavarësisht se selia e saj gjendet përballë selisë së Kuvendit të Shqipërisë, selisë së PD dhe në krah të zyrave të RD, organi zyrtar i demokratë. Në këtë mënyrë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka përjashtuar nga bisedimet konsultuese për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, partinë që përfaqësohet me një deputet në Kuvend, FRD. Mësohet se ftesa u është dërguar gjashtë partive parlamentare që janë PD, PR, LSI, PDIU nga mazhoranca dhe PS e PBDNJ nga opozita, por është lënë jashtë tryezës partia e Bamir Topit, që përfaqësohet në Kuvend me Gazmend Oketen.

Lajmin për marrjen e ftesës nga zyra e Presidencës e kanë konfirmuar të gjashtë partitë parlamentare, e pranuar dhe për gazetën "Shqiptarja.com" një ditë më parë dhe e publikuar në numrin e djeshëm, ndërkohë që zyrtarët e lartë të FRD kanë preferuar dy ditë më parë të tregohen të rezervuar në lidhje me këtë ftesë.

Por ditën e djeshme ata nuk kanë heshtur, duke thënë se ende nuk ka ardhur ftesë dhe për të cilën sërish do të ketë një qëndrim dhe reagim zyrtar në mënyrë publike. "Deri më tani nuk ka ardhur asnjë ftesë nga Presidenca. Por dhe nëse do kemi ftesë dhe nëse s'do të kemi ftesë, ne do të kemi një qëndrim zyrtar", ka qënë deklarata e anëtarit të kryesisë së Frymës së Re Demokratike, Aleksandër Biberaj. Partia e të cilit sërish është në pritje dhe mendohet që një ftesë nga Presidenca për konsultime mund të mbërrijë ditët e ardhshme pasi ka goxha kohë në dizpozicion deri më 5 nëntor. Por një përjashtim i tillë nga takimi konsultues për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare nga ana e Presidencës, është komentuar në qarqet politike si një mundësi hakmarrjeje nga ana e mazhorancës për partinë e ish-presidentit Bamir Topi. Komentohet se mund të ketë qënë dhe ndonjë harresë e mundshme e stafit të tij, të cilët kanë marrë të gatshme listën e vjetër të partive parlamentare, pa reflektuar në të realitetin e ri të Kuvendit, pas largimit të deputetit Gazmend Oketa nga grupi i PD e kalimi i tij si deputet i pavarur, dhe më pas përfshirja në kupolën drejtuese të FRD që e drejtoi përkohësisht derisa Bamir Topi la presidencën e u vendos në krye të kësaj partie të re deri në kongresin e vjeshtës që do të zgjedhë zyrtarisht kryetarin, strukturat e forumet drejtuese të saj.

EKSPERTET
Duke iu rikthyer konsultimeve të partive me Presidentin Nishani, ekspertët zgjedhorë saktësojnë se ndryshimet në Kushtetutë më 2008 kanë ngushtuar hapësirën e presidentit, për të dekretuar datën e zgjedhjeve, në dy mundësi reale. Sipas ekspertëve konsultimet janë një praktikë preferenciale që zgjedh kreu i shtetit, por data më optimale për mbajtjen e tyre do të ishte 23 qershori. Pavarësisht caktimit të datës së zgjedhjeve, ekspertët mendojnë se kemi humbur kohë me konstituimin e KQZ-së se re. Kjo sipas tyre mund të rrezikojë dhe futjen e teknologjisë në dy qarqe pilot. Në Fier do përdoret për herë të parë numërimi elektronik i zgjedhjeve, ndërsa në Tiranë do të zbatohet projekti pilot për identifikimin elektronik të votuesve. Pritet që javën e ardhshme të mblidhet KQZ për të filluar përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që do startojë me listat, me përcaktimin e udhëzimeve konform kodit zgjedhor e kërkesave për ngritjen e komisioneve, që do të përkthehet në trajnimin e komisionerëve të të gjitha niveleve.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë