Data e zgjedhjeve 2013, PS
pranon takimin me Nishanin

Data e zgjedhjeve 2013, PS <br />pranon takimin me Nishanin
TIRANE- Presidenti Bujar Nishani pritet që të zhvillojë një takim më 5 nëntor me partitë politike parlamentare për të vendosur datën e zgjedhjeve. Ai ka dërguar ftesën në të gjitha selitë e këtyre partive që kanë përfaqësues në Kuvend për të qënë në Presidencë e për t'u konsultuar për datën e zgjedhjeve të ardhshme. "Në zbatim të detyrimit kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka ftuar në takime përfaqësuesit e partive politike parlamentare, për të biseduar dhe për t'u konsultuar për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare

. Takimet do të zhvillohen ditën e hënë, dt.5 nëntor 2012, në mjediset e Presidencës", thuhet në një njoftim të presidencës. Ndërkohë menjëherë kanë reaguar krerët e disa partive parlamentare, të cilët e kanë konfirmuar pjesmarrjen. Në fillim ka qënë kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi ai që ka konfirmuar për gazetën "Shqiptarja.com" pjesmarrjen në takimin me kreun e shtetit për konsultime në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve. "Do shkojmë patjetër në këtë takim. Pastaj për datën, sipas Kushtetutës, do diskutohet", tha kreu i grupit të PS, njëherësh kryetar i Asamblesë së PS, Gramoz Ruçi, i cili nuk ka bërë prezent nivelin e përfaqësimit në këtë takim. Por mendohet të jetë vetë kreu i PS Rama.

Ndërkohë që pjesmarrja e drejtuesve të PD në këto takime as që diskutohet. Aleatja e PD në qeverisje, PR përmes sekretarit të përgjithshëm Arjan Madhi ka konfirmuar pjesmarrjen. "Pa diskutim që do marrim pjesë në këtë takim me presidentin. Për datën ende është herët, por do të jemi koherentë sipas Kushtetutës", tha Madhi. Në të njejtën linjë ka qënë dhe kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi teksa është shprehur se "po, do të marrim pjesë. Më ka nisur dhe mua një ftesë Presidenti për takim me datën 5 nëntor për konsultë për datën e zgjedhjeve".

Ndërsa njëri ndër drejtuesit e FRD, Aleksandër Biberaj, përfaqësues i partisë më të re parlamentare, ka nënvizuar se "do të presim të na vijë ftesa dhe pastaj të mbajmë një qëndrim". Një gatishmëri e tillë për t'ju përgjigjur ftesës së presidentit Nishani për takim dhe për t'u konsultuar për datën e mundshme të zgjedhjeve, që i bie të jenë në javën e fundit të qershorit të vitit të ardhshëm, tregon qartë se tashmë partitë mezi presin të hyjnë në garën elektotale. Madje nuk përjashtohet mundësia që të kërkojnë dhe një datë më të afërt për zhvillimin e zgjedhjeve.

Ndërkohë që dy ditë më parë ka qënë Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ai që i bëri thirrje anëtarëve të KQZ që të mblidhen sa më parë për t'i paraprirë në kohë detyrimeve dhe afateve që parashikon ligji zgjedhor. Gjithashtu, duke synuar realizimin e një procesi zgjedhor sa më të arrirë, Koalicioni i bëri thirrje Presidentit Bujar Nishani, që në zbatim të Nenit 9 të Kodit Zgjedhor, të marrë në shqyrtim dhe të dekretojë sa më parë datën e zgjedhjeve të ardhshme, si një detyrim ndaj Kushtetutës.
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Myrto Uzuni mbetet në La Liga, e kërkon ish-skuadra e Sadikut

Myrto Uzuni mbetet në La Liga, e kërkon ish-skuadra e Sadikut