TIRANË- Palët politike po shkojnë drejt dakordësisë për të vendosur 14 majin si datën e mbajtjes së zgjedhjeve vendore për vitin 2023.

Këtë të martë, presidenti Barjam Begaj nisi takimet për t’u konsultuar me krerët e grupeve parlamentare.  I pari, herët në mëngjes, në zyrën e kreut të shtetit, mbërriti  Oerd Bylykbashi në emër të grupimit të Rithemelimit në Partinë Demokratike.

Pas tij, në presidencën shkeli ish-kreu i shtetit Ilir Meta, kreu i partisë së Lirisë, që duhet theksuar se nuk ka grup parlamentar, me vetëm 3 deputetë në Kuvend. Mirëpo, duket se në këtë vendimmarrje të parë politike dhe në kushtet e një krize të brendshme brenda opozitës që ende nuk ka ndarë se kush do e drejtojë selinë blu, presidenti Begaj ka zgjedhur të mos i fryjë zjarrit dhe t’i bëjë të gjithë palë.

Për Metën, data bëhet e parëndësishme kur në thelb sipas tij duhet gëzuar që pas bojkotit të opozitës në zgjedhjet e kaluara për kryebashkiak, po kthehet pluralizimi.

 “E rëndësishme është që data të dihet sa më parë, partitë të marrin masa për tu përgatitur për zgjedhje dhe të gjithë ata që kanë dëshirë të kontribuojnë për kandidatët të dinë datën e kësaj feste të demokracisë”, tha Meta.

Për aleatët, Fatmir Mediu, Mesila Doda, Dashamir Shehi, Vangjel Dule e Agron Duka, 14 maji i jep kohë të marrin formë dhe 2 reformave të rëndësishme që pritet të kenë ndikim që në këto zgjedhje.

Të mërkurën pasdite presidenti Begaj pritet të ketë takim me kreun e grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj dhe të enjten i përmbyll konsultimet me kreun e grupit socialist, Taulant Balla. Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet në Shqipëri zhvillohen në periudhat  15 prill deri në 15 maj, ose nga 15 tetori deri në 15 nëntor, por që në këtë rast zgjedhjet me shumë mundësi do të jenë në periudhën e pranverës

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:57
Zgjedhjet vendore, Mediu pas takimit me Begaj: Data 14 maj është më e mira

Pas takimit me presidentin Bajram Begaj, Fatmir Mediu tha se data 14 maj është data më e mirë për zgjedhjet vendore.

“Menduam që data 14 është data më e fundit, është data më e mirë, duke pasur në konsideratë dy reforma shumë të rëndësishme, territoriale që kërkon kohën e vet për implementim nëse arrihet konsensus, dhe reforma zgjedhore. Mendimi ynë është për 14 majin”, tha Mediu.

Të pranishën në takim ishin edhe Dashamir Shehi e Vangjel Dule e Agron Duka.

Ora 12:35
Zgjedhjet vendore, Meta pas takimit me Begajn: S’ka rëndësi data, e rëndësishme që rikthehet pluralizmi në një pushtet që aktualisht është monist

 

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur pas takimit me presidentin Ilir Begaj në Presidencë. Meta tha se nuk është e rëndësishme data e zgjedhjeve, por ajo i takon presidentit. Sipas tij, e rëndësishme është që të partitë politike të jenë gati për zgjedhje dhe përmes këtyre zgjedhjeve të rikthehet demokracia në vend.

“Rikthimi i opozitës në këshillat bashkiakë do japë kontribut për forcimin e llogaridhënies në kuvend. Data konkret i takon presidentit dhe nuk besoj se një javë më parë apo më shumë është e rëndësishme, është ai që duhet të gjykojë pasi ka dëgjuar të gjithë aktorët. E rëndësishme është që data të dihet sa më parë, partitë të marrin masa për tu përgatitur për zgjedhje dhe të gjithë ata që kanë dëshirë të kontribuojnë për kandidatët të dinë datën e kësaj feste të demokracisë”, tha Meta.

Ora 12:29
Data e zgjedhjeve vendore, po diskutohet 14 maji! Kërkesë edhe e opozitës, darkodësi edhe mazhoranca

1664879454_votime.jpg

Report Tv mëson se në presidencë është duke u diskutuar data 14 maj si datë e zgjedhjeve.

Mësohet se kjo është kërkesë edhe e opozitës pasi sipas tyre i jep kohë komisionit të reformës territoriales dhe i jep kohe dhe komisionit të reformës zgjedhore për rregullime paraprake. Po ashtu nuk ndikon në sezonin veror.