TIRANE - Krahas dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë dhe hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, qeveria është angazhuar edhe në gjetjen e të zhdukurve gjatë regjimit komunist, si një detyrim moral ndaj të gjithë shtrese, por në veçanti ndaj familjeve të viktimave që sot nuk kanë një varr. Për këtë qëllim, pranë Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, me mbështetjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, do krijohet sektori i të zhdukurve, i cili është projektuar të jetë porta pritëse e të gjitha kërkesave dhe informacioneve mbi proçesin e gjetjes së personave të zhdukur gjatë periudhës së diktaturës.

Në këtë kuadër, Ministria e Mirëqenies Socialiste dhe Rinisë zhvilloi sot një tryezë konsultuese me aktorët e përfshirë në procesin e gjetjes së personave të zhdukur në periudhën e diktaturës, ku mori pjesë zëvendësministrja e MSR-së, znj. Gentjana Sula, përfaqësuesi i Komisionit Ndërkombetar për Personat e Humbur, z. Matthew Holliday, drejtori i Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, z. Bilal Kola, përfaqësues të shoqatave të të përndjekurve dhe intelektualë.

Në fjalën e saj, zëvendësministrja Sula u shpreh se trajtimi i kësaj teme prek thelbin e drejtësisë së munguar dhe shteti dhe shoqëria u ka borxh të gjithë atyrë personave që sot e kësaj dite nuk kanë gjetur prehje.

“Hapja e zyrës për Personat e Zhdukur pranë Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë është një hap mjaft i rëndësishëm i kësaj qeverie, jo vetëm administrative, por edhe moral, për të ndihmuar dhe lehtësuar kalvarin shumë vjeçar të familjarëve të të zhdukurve. Hapja e zyrës ka për qëllim që të fillojë një kapitull të ri në trajtimin e kësaj çështje kaq të ndjeshme, e cila gjer më sot është trajtuar në mënyrë sporadike dhe në mungesë të një qasje të koordinuar institucionale”, tha znj. Sula.

Gjithashtu ajo bëri të ditur se hapja e kësaj zyre do të ketë për qëllim të krijojë një databazë fillestare mbi këta persona të zhdukur, me të dhënat e tyre minimale si, emri, mbiemri, gjinia, vendi dhe data e lindjes, vendi dhe data ose (në pamundësi) viti i supozuar i zhdukjes dhe rrethanat e zhdukjes, si dhe të mbledhë informacione, të ndjekë dhe monitorojë proçesin e kërkimit dhe zhvarrosjes së personave të zhdukur, duke bashkëpunuar dhe koordinimin me institucionet e tjera përgjegjëse. Zyra do të bëjë edhe mbledhjen e dëshmive të ndryshme nga vetë ish të burgosurit, të cilët janë gjallë, si dhe familjaret e pushkatuarve me ose pa gjyq, është një ndihmesë e madhe për identifikimin e varrezave masive.

Por, suksesi i kësaj nisme do të varet shumë edhe nga bashkëpunimi dhe eksperienca që do të sjellin përfaqësuesit e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur. Përfaqësuesi i këtij komisioni, z. Matthew Holliday në fjalën e tij, solli përvojën e këtij institucioni ndërkombëtar në Bosnje dhe Kosovë, në kërkimin e personave të humbur.

“Gjatë bisedës që pata me zëvendësministren më pyeti: a mund të bëhet, a mund të gjenden? Janë rreth 6 mijë persona të cilët nuk gjenden që nga periudha e komunizmit. Dua të përmend këtu eksperiencën e vendeve të ish-Jugosllavisë: në fund të konfliktit në Bosnje ishin 32 mijë persona të humbur që nuk gjendeshin. Sot, pas asistencës tonë dhe punës që është bërë nga autoritetet në Bosnje, më shumë se 70 për qind e trupave janë gjetur dhe identifikuar. Pra, afro 23 mijë persona. Kjo tregon se personat e humbur mund të gjenden dhe të identifikohen. Kemi një sistem tepër të sofistikuar për indentifikimin nëpërmjet ADN-së. Ofrojmë asistencë teknike në mjekësinë ligjore dhe në antropologji”, tha z. Holliday.

Aktualisht numri i përafërt i personave të zhdukur përgjatë viteve 29 nëntor 1944 deri në vitin 1991 arrin në 6.000 vetë. Ndërsa është evidentuar gjithashtu, se numri i varreve masive të pa identifikuar dhe pothuajse të pazbuluar asnjëherë shtrihet në të gjithë vendin në rreth 30 vënde ekzekutimi.
 
sula

Redaksia Online
(o.b/Shqiptarja.com)