Çdo biznes apo individ që cenon sigurinë ushqimore do të ndëshkohet. Kryeinspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula në takim me inspektorët teksa foli për reformën e re të inspektimeve në bazë risku, e vuri theksin tek ndëshkimi i çdokujt që abuzon.

“Ato biznese që shkelin ligjin dhe janë të prirur të bëjnë gjëra në dëm të interesit të madh publik dhe qytetarit sigurisht ato duhet të ndëshkohen dhe kontrollohen sipas ligjit”, tha Sula.

Në fokus të kontrolleve do të jenë edhe datat e skadencave të produkteve ushqimore.

“Skadenca, nëse sot ka njerëz të cilët tentojnë apo bizneset që tentojnë që në fund të periudhës së skadencës së produkteve të tyre dhe kanë në supermarketet e tyre dhe që nuk janë shitur dhe tentojnë të krijojnë duke ndërruar etiketën duhet të jemi të vëmendshëm që çdo element abuziv ta parandaloni sepse nëse nuk parandalohet ajo do të vij ën tavolinat tona si ushqim dhe dëmi është I pallogaritshëm”, tha Sula.

Siguria ushqimore tha drejtoresha e përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Blerina Gjylameti është prioritet dhe për abuzuesit nuk do të ketë tolerancë.

“Zero tolerancë për të gjithë ata që cenojnë sigurinë ushqimore por po aq angazhim bashkëpunim me biznesin për të lehtësuar të gjithë këtë fazë tranzitore që të përmbushin të gjitha kriteret dhe standardet e sigurisë ushqimore. Sot ne funksionojmë si një trup i vetëm dhe si ishuj ne nuk mund të kemi dhe të vazhdojmë në mënyrë të tillë duhet bashkëpunim së bashku me inspektoratin e përgjithshëm për të arritur aty ku duhet inspektime në bazë risku”, u shpreh Gjylameti.