Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, është shprehur se brenda marsit të vitit 2027 inspektimi do të bëhet vetëm në bazë të indikatorëve të riskut.
Komentet Sula i bëri teksa ishte i ftuar në emisionin ‘Frontline Interview’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku tha se në pikat doganore, deri pak kohë më parë inspektimi nuk bëhej online, por me blloqe e ‘letra bakalli’.
Sula tha se me të marrë postin e kryeinspektorit, e raportoi këtë problematikë te kryeministri Rama dhe mënjëherë nisi puna për t’i dhënë zgjidhje.
“Po u’a jap ekskluziv këtë lajm sot këtu, në pikat doganore ndodhte që inspektimi nuk bëhej online, por me blloqe e letra bakalli. Edhe subjekteve nga pikëpamja e humbjes së kohës, nuk kishte mundësi që Inspektorati i Përgjithshëm ta mbikëqyrte përmes sistemit. Dhe nga 85 mijë inspektime në 2025, 25 mijë ishin në pikë. Unë sapo e konstatova, kam vënë menjëherë në dijeni kryeministrin Edi Rama dhe i paraqitja që kjo praktikë nuk duhet të vazhdojë më. Bashkë me AKU-në, bashkë me AKSHI-n, ne maksimumi javën tjetër, fillon operimi i inspektimit online nëpër dogana, nëpërmjet sistemit AKUNET.
Unë sot kam qenë në takim në Kryeministri. Brenda marsit të vitit 2027 nuk do të ketë më inspektim të paralajmëruar në këtë lloj forme, por do të ketë sistem inspektimi me anë të indikatorëve të riskut. Unë po e them publikisht se në krye të AKSHI-t është një profesionist i quajtur Igli Tafa. S’kam pasur kontakt me AKSHI-n kurrë. Kur kam ardhur në krye të Inspektoratit të Përgjithshëm, ka ardhur edhe Igli Tafa në krye të AKSHI-t. Kur kryeministri më la detyrë që për 9 muajë të mbaroja dixhitalizimin, ky zotëria këtu, bashkë me stafin, kemi mbaruar për 3 muaj termat teknikë, referencat dhe kemi dorëzuar në AKSH në 15 maj 2026, ku u bë studimi i tregut dhe më 1 tetor fillon procedura e prokurimit dhe funksionimit të këtij sistemi. Kjo është në mbështetje të drejtpërdrejtë edhe të kryeministrit”, tha mes të tjerash Sula.
Ai tha gjithashtu se menjëherë pasi mori postin e kryeinspektorit të Përgjithshëm, u larguan nga detyra 9 inspektorë të AKU-së në Shkodër, pasi sipas Sulës, në pikën doganore të Hanit të Hotit hynte misër me aflatoksinë nga Serbia.
“Ju garantoj se unë si Kryeinspektor i Përgjithshëm, të jeni të sigurtë se situata do të përmirësohet ndjeshëm. Qysh në muajin e parë kur kam ardhur unë në krye të Inspektoratit të Përgjithshëm, në pikën doganore të Hanit të Hotit, tentohej që misri me aflotoksinë që vinte nga Serbia, që nuk lejohej në dyert e BE-së, por që eksportohej në Shqipëri, ne kemi ndëshkuar 9 inspektorë të AKU-së së Shkodrës, ku i kemi larguar nga detyra”, shtoi Sula.
Në përfundim Sula theksoi se përgjatë 7 muajve që ka qenë në krye të Inspektoratit të Përgjithshëm, ka pasur zero ndërhyrje nga kryeministri Edi Rama për një subjekt të caktuar.
“Në muajin e shtetë që unë jam në krye të Inspektoratit të Përgjithshëm, e kam pasur zero ndërhyrjen e kryeministrit për një subjekt. Më ka thënë që ‘unë përcjell shqetësimet e qytetarëve siç m’i dërgojnë, por zgjidhjen ja jep ti. Unë nuk të ndërhyj zero’”, përfundoi Sula.
Lajmi kryesor:
‘Shteti është i gjithë shqiptarëve, jo i socialistëve’- Sula zbulon në Report Tv bisedat me Ramën para se të merrte detyrën: S’jam ‘diamant’, por kam qëndruar larg interesave personale







