Debat i ashpër në SHBA për procesin hetimor ndaj Presidentit Trump

Debat i ashpër në SHBA për procesin hetimor ndaj Presidentit Trump

Donald Trump

Në Shtetet e Bashkuara vazhdon debati për fillimin e hetimeve në Kongres me qëllim shkarkimin e Presidentit Donald Trump, i cili e denoncoi procesin nëpërmjet një mesazhi videofonik në Twitter si “mashtrimi më i madh në historinë e politikës amerikane”. Nga ana tjetër, Kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, konfirmoi se hetimi do të vazhdojë pavarësisht rrezikut politik që po ndërmarrin demokratët.

“Ajo që po ndodh është mashtrimi më i madh në historinë e politikës amerikane”, deklaroi Presidenti Trump.

Nëpërmjet një videoje në Twitter të filmuar në kopshtin e trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Donald Trump sulmoi demokratët.

“Rrezikohet si kurrë më parë vendi ynë. Është e gjitha shumë e thjeshtë. Po mundohen të më ndalin pasi unë po luftoj për ju. Nuk do ta lejoj kurrë që të ndodhë kjo gjë”, tha Presidenti Trump.

Po kështu, avokati personal i Presidentit, Rudy Giuliani, i doli në mbrojtje Presidentit Trump gjatë një interviste në kanalin Fox News, duke vënë në pikëpyetje vendimin e demokratëve për të filluar hetimet me qëllim shkarkimin e Presidentit. Zoti Giuliani tha se edhe sikur gjatë telefonatës Presidenti Trump dhe Presidenti ukrainas Zelensky t’i kishin thënë vetëm mirëmëngjesi njëri-tjetrin, sërish demokratët do të kishin thënë se aty pati një mesazh të fshehur.

Demokratët ndërkaq e paraqesin krejt ndryshe procedurën hetimore për shkarkimin e Presidentit.

“Njerëzit thonë se po ndërmarrim një rrezik politik, por kjo nuk ka ndonjë rëndësi. Nuk mund të lejojmë që Presidenti të shkelë betimin e bërë kur mori detyrën”, tha zonja Pelosi.

Kreu i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, mbështeti gjithashtu nisjen e hetimeve.

“Donald Trump, mos ki asnjë dyshim. Nëse faktet qëndrojnë..., Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer do të qepen nga pas”, tha zoti Schumer.

Disa shpresojnë që ky proces të përmbyllet përpara zgjedhjeve paraprake të 2020-tës, duke paraqitur akuzat në Dhomën e Përfaqësuesve përpara Krishtlindjes. Megjithëse Kongresi është zyrtarisht në një periudhë pushimi 2-javore, Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve do të ketë të premten një seancë dëgjimore me Inspektorin e Përgjithshëm, i cili e pati paraqitur denoncimin e informatorit si një çështje “urgjente shqetësuese”.

Megjithatë, kandidatët demokratë për President nuk duket se dëshirojnë t’i kushtojnë hetimeve shumë vëmendje.

“Kemi shumë gjëra për të folur dhe për hetimet unë jam shprehur më parë”, u tha gazetarëve Elizabeth Warren, kandidate demokrate për president.

Kandidatët mendojnë se hetimet ndaj Presidentit po lënë në hije çështjet e tjera tek cilat ata fokusohen.

“Nëse fle në motel dhe as atë nuk e përballon dot më financiarisht, a do të kishe kohë për të ndjekur skandalin e Ukrainës? Dyshoj shumë”, thotë kandidati demokrat Pete Buttigieg.

“Fokusi im sot dhe përgjithmonë do të jetë tek çështjet që i lënë njerëzit pa gjumë dhe që duan zgjidhje”, u tha gazetarëve kandidatja demokrate Kamala Harris. VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë