Pas një seance maratonë dhe përplasjesh mes opozitës dhe mazhorancës, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin për donacionet dhe sponsorizimet.
Projektligji mori 81 vota pro dhe 0 kundër, duke siguruar shumicën e nevojshme për miratimin e tij.
Seanca parlamentare u shoqërua me debate të forta mes deputetëve të opozitës dhe përfaqësuesve të mazhorancës, të cilët patën përplasje gjatë diskutimit të projektligjit dhe qëndrimeve për të.
Në përfundim të diskutimeve maratonë, mazhoranca siguroi votat për miratimin e ligjit, ndërsa opozita votoi kundër tij.
Sipas propozimit, bizneset që paguajnë tatim mbi fitimin do të mund të zbresin drejtpërdrejt nga detyrimi tatimor shumën e sponsorizuar, deri në 30% të tatimit mbi fitimin të vitit paraardhës. Skema synon të kanalizojë më shumë fonde private drejt sportit, artit dhe kulturës, duke krijuar një alternativë financimi përtej buxhetit të shtetit.
Projektligji parashikon gjithashtu zgjerimin e fushave që mund të përfitojnë nga donacionet dhe sponsorizimet, duke përfshirë arsimin, kërkimin shkencor, shëndetësinë, mbrojtjen e mjedisit, trashëgiminë kulturore, ndihmën humanitare dhe zhvillimin social.
Një tjetër risi e parashikuar është krijimi i një regjistri elektronik kombëtar për regjistrimin dhe monitorimin e donacioneve dhe sponsorizimeve. Gjithashtu, parashikohen rregulla për dokumentimin e kontratave, transparencën e fondeve, ndalimin e kontributeve anonime dhe kryerjen e pagesave përmes sistemit bankar..
Lajmi kryesor:
Miratohet buxheti 10 mld euro dhe paketa fiskale, opozita voton kundër, i rrëzohen të gjitha amendamentet! Hotelet me 4 e 5 yje, me status special, pa tatim fitimi edhe për 3 vjet! Jo TVSH 6% për ujin e ambalazhuar





