
Përcaktimi i kalendarit të punimeve për 5 javët në vijim në Konferencën e Kryetarëve, është zhvilluar mes debateve dhe kundërshtive nga grupet parlamentare.
Deputetja e PD-së, Ina Zhupa i është përgjigjur Taulant Ballës, lidhur me kohën e tepërt parlamentare që opozita ka marrë gjatë sesionit të kaluar, Zhupa thotë, se Rama i përdor “të vetët” si kartona për të miratuar ligje dhe se e kanë të ndaluar të përfshihen në diskutime.
“Duhet të kesh guxim të tepruar dhe pafytyrësi të thuash që sesioni i kaluar ishte sukses dhe dhënie hapësire për deputetët e opozitës. Treguesi kohor që citon Balla, ku opozita ka folur 48 orë dhe mazhoranca 40 orë, tregon që paskeni folur shumë. Sepse Edi Rama ju trajtoi si kartona dhe ushtarë pa personalitet, teksa ju tha: ju mos diskutoni, por vetëm miratoni projektligje. Edhe në këtë porosi, ku askush nga ju s’e kundërshtoi, ju ftoj që këtë sesion të flisni 4 orë gjithsej, sepse atë rol ua kanë dhënë: si kartona”, tha Ina Zhupa.
Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj kërkoi nga kryetari i Kuvendit respektim të rregullores për këtë sesion të ri parlamentar, për zhvillimin e debateve normale dhe të mos kenë frika nga fjala e opozitës. Gjekmarkaj nuk nali as akuzat për PS-ë, për vjedhje të votës, apo kapje të drejtësisë.
“Që të kemi vit të mbarë, duhet që drejtësia të mos merret peng, që viti të mos fillojë me hungërima, përçarje e çjerrje se si doni t’i tregoni vendin opozitës! Ju them: mos guxoni! Do ta keni përballë opozitën në Kuvend dhe në sheshet e Shqipërisë! Meqë zoti Balla iu referua raportit të OSBE-ODIHR-it, i them se ai raport jua rrëzoi zgjedhjet e vjedhura të 11 Majit, ato dy të tretat që ju thoni! Zoti Balla foli për një Shqipëri që nuk ekziston, foli për vizione, duke shmangur atë që Shqipëria reale pret të dëgjojë, atë që qytetarët duan: dënimin e korrupsionit”, tha ndër të tjera Gjekmarkaj.
Dhe deputetja Jorida Tabaku bëri thirrje për respektim të rregullores ndërsa akuzoi qeverinë për deformim të procesit të integrimit drejt BE. Tabaku theksoi se agjenda e integrimit evropian nuk mund të trajtohet si një proces formal dhe i njëanshëm, ku opozitës i kërkohet vetëm të votojë ligje të gatshme.
Lajmi kryesor:
Sot sesioni i ri parlamentar, priten debate për Ballukun! Balla-PD: Kthehuni tek ‘Zgjedhorja’ dhe ‘Territorialja’, ose do të vijojmë punën vetëm












