Paneli i parë që çeli dhe punimet e Samitit të Diasporës, “Diaspora dhe demokracia përfaqësuese në hapësirën shqiptare: Nga vota te përfaqësimi institucional”, nuk kaloi pa tensione gjatë bashkëbisednimit me panelistët dhe të pranishmit në sallë. Eva Baçi, një shqiptare që jeton në Bolonjë prej 25 vitesh ku është shkolluar dhe punon si juriste, kritikoi politikat aktuale në Shqipëri, duke thënë se pavarësisht dëshirës së emigrantëve për tu kthyer në vendlindje, mungojnë hapësirat reale për përfshirje.

Eva Baçi iu drejtua kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi dhe deputetit të PS Taulat Balla duke thënë se këto hapësira, nuk duhet të shërbejnë vetëm si hapësirë për të mbajtur fjalime politikanët, por për tu dëgjuar dhe ankesat e qytetarëve, në këtë rast ato të diasporës.

“Dëshira për t’u kthyer në Shqipëri është shumë e madhe, ndaj marrim pjesë në Samite sepse presim një dritare te hapur nga toka mëmë, për t’u kthyer, që të na hapë derën. Skenari është shkruar shumë bukur, si ai regjisori që shkruan shumë bukur, dëgjojmë narativa, por mungojnë aktorët kryesorë që është Diaspora. Ky është Samiti i Diasporës. Mendoj se përveç hapjes që fjala duhet t’u jepet ministrit, kryeministrit dhe presidentit, aktorët kryesorë jemi ne. Unë doja që të bëja një diskutim dhe nuk m’u dha e drejta e fjalës. Duhet t’i mbarojmë këto filmat e bukur, që ne vetëm të dëgjojmë”, tha Baçi.

Në përfundim, ajo pati edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për politikën shqiptare, duke theksuar se drejtuesit janë të shkëputur nga realiteti i diasporës dhe duhet të reflektojnë më shumë për rolin dhe përfshirjen e saj në zhvillimin e vendit. 

“Unë kam mbaruar 3 fakultete në Bolonjë, kam dy specializime. Kemi kërkuar shumë herë, që të hyjmë të japim kontributin tonë. Unë punoj 14 orë në Itali, por mund të punoj 20 orë për Shqipërinë. Unë nuk kam vend ku të flas, dua të shpreh atë që kam, sepse përndryshe ne ngelemi vetëm numra. Unë nuk mund të pres biletën të vij që andej për të qenë një numër. Unë kam ngelur shumë keq dje, kur u dhanë çmimet. Në krahun tim është njëri nga sipërmarresit shqiptarët që i jep punë 350 familje dhe ju nuk i dhatë një çmim, Astrit Poti.

Ju jeni larg realitetit, flas për politikanët, jeni larg realitetit, nuk jeni afër me ne. Jemi pa përkrahje dhe kur nuk të përkrah shteti yt, kur ti nuk jep kontribut në shtetin tënd. Unë për Italinë jam më e përgatitura, por jam thjesht e huaj. Ne duam të kthehemi në vendin tonë. Këto panelet e ndara nuk janë mirë. Ne aktorët kryesore duhet të flasim, të sjellim problemet. Jo të dëgjojmë politikanët, narativa është shumë e bukur, por ju nuk e keni idenë cfarë do të thotë sakrifica, pa asnjë përkrahje dhe asnjë ndihmë.

Hapni dyer, sepse Shqipërisë nuk i mungon truri. I keni mbyllur dyert, të gjitha personave që janë të përgatitur”, tha ndër të tjera përfaqësuesja e Diasporës. Kam edhe shumë gjera, por po të më jepet mundësia unë diskutimin e kisha përgatitur. Zoti Taulant Balla, je i pari që je shumë larg realitetit. Votën mund ta kalosh edhe 4 vite të tjera, por në histori duhet të lesh një emër”, tha ajo.


Lajmi kryesor:

Diaspora në Tiranë/ Rama: Bëhuni pjesë e rrugës drejt BE, projekt i madh sa amaneti i të parëve! Ju përmbushëm të drejtën e votës (VIDEO)