Paratë e fermerëve që vinin nga BE-ja, u vodhën, dhe i morën të pushtetshmit. Me këtë akuzë opozita ka debatuar me tone të larta në Komisionin e Ekonomisë me ministrin e Financave për fondet e IPARD, që u bllokuan në verën e vitit 2023 për shkak të parregullsive të identifikuara nga OLAF.
Deputeti Agron Shehaj sulmoi Minitrin duke thënë se vjedhjen e 33 mln eurove po e quan sukses. Kësaj deklarate ministri ju përgjigj, duke thënë se brenda vitit realizohen detyrat e lëna nga BE, dhe në 2026-ën qeveria nis diskutimet me Komisionin Evropian.
“Ishin 33 milionë euro të Bashkimit Evropian që ishin parashikuar të shkonin në xhepat e fermerëve, por ato para po ndaheshin me ish kryebashkiak, familjar të ish kryebashkiakëve, ish zyrtar, familjar të ish zyrtarëve. Si mund të vini këtu dhe të thoni që është sërish suksesi, kur 33 milionë euro vidhen?”, tha deputeti Agron Shehaj.
“Së pari do të kërkoja që të ruaje pak etikën e komunikimit. DIGIAGRI, ka lënë disa rekomandime për disa nga praktikat të cilat kishin parregullsi. Masa të cilat ne jemi duke i përmbushur dhe deri në fund të këtij viti do të përmbushen këto masa, të cilat pastaj do t'i hapin qeverisë mundësinë për të hyrë në diskutime me Komisionin Evropian në mënyrë që të çelet programi i parë tre”, tha Malaj.
“Ministri tani e rëndon akoma më keq situatën e vet, se thotë, disa prej tyre janë kapur, jo të gjitha, se duhet të kapeshin të gjitha që të quhej një dështim edhe një vjedhje”, tha Shehaj.
Ky debat çoi në ndërprerje të komisionit për disa minuta. Por përsëri diskutimet për bujqësinë nuk u ndalën.
“Fakti që po vete i dytë vit radhazi që Shqipëria nuk përfiton nga fondet e IPARD-it. A nuk duhet që ju ta shikoni këtë projekt buxhet në një sy tjetër?”, tha Bozdo.
“Në vitin 2026-do t'i japim rreth 14 milionë euro për të mbështetur fermerët rreth 300 fermerë për investimet me grante. Kjo vjen natyrisht për të kompensuar edhe atë mungesën e fondeve të I PARD-it”, tha Ministri.
“Çfarë kemi të re ne në politikën buxhetore për buxhetin, sepse siç jemi, është viti i tretë ku ne jemi me rënie të fortë në sektorin e bujqësisë, më duket e qëllimshme për të ndryshuar strukturën ekonomike të vendit”, tha Braçe.
“Ajo që mund të them unë është që buxheti është rritur me rreth 13 milionë euro më shumë në krahasim me vitin tjetër”, u përgjigj ministri.
Për vitin 2026, buxheti në total për Ministrinë e Bujqësisë përllogaritet në 162 milionë euro nga rreth 149 milionë euro që është buxheti aktualisht.











