Debatet e forta kanë shoqëruar Komisionin e Shëndetësisë, ku opozita është ndalur sërish tek akuzat ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Agron Xhafaj është bërë temë debati në këtë komision, teksa deputetët e opozitës kanë hedhur akuza të forta ndaj tij, ministrit dhe kryeministrit Edi Rama.

Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, ka bërë një deklaratë të fortë, teksa ka theksuar se në PS ka njerëz kamikazë dhe të sakrifikuar për të mbrojtur çështje të pambrojtura.

Ne e dimë se ku duhet të shkojë ky vend. Unë e di që dhe brenda mazhorancës ka njerëz të sakrifikuar, kamikazë, për të mbrojtur çështje të pambrojtura. PS i ka të gjitha pushtetet, keni drejtësinë, ekzekutivin, mediat. Çështja e videos është e pa koment, njerëzit e dinë që është e vërtetë, problemi është si ta rregullojmë. Sot nuk mundeni më të thonë ‘opozita’ për çdo gjë që nuk shkon. Nuk ju ka sjellë thjesht Edi Rama, jam e bindur, ka mes jush njerëz që i kanë sjellë qytetarët. Një ditë do të dalim nga politika dhe duhet të themi të vërtetat. Heshtni!

Grida Duma, deputete e PD

Bardh Spahia: Fatmir Xhafaj duhet të ishte dorëhequr dhe duhet të ishte subjekt i ligjit Antimafia. Si ka mundësi që dy ministra të Brendshëm dalin të implikuar në trafik droge

Spiropali: Keni bërë një puç, që nuk është me armë, por që kush e ka bërë do mbajë përgjegjësi. Jeni bërë turp ndërkombëtar. Edhe pas 100 vitesh do ju shkruhet emri në librat e historisë, se nuk ishte parë kurrë që deputetët e opozitës të merren me sajimin e një videoje të tillë. Mos e sulmoni Ministrinë e Brendshme, lëreni të bëjë detyrën, që e bën me përgjegjshmërinë më të plotë.

Bumçi: Këto janë deputetët që mbrojnë markoshtetin dhe narkoeurot, eurot e drogës. Eid Rama di vetëm narkodrogën. Fatmir Xhafaj mbron vëllanë e tij narkotrafikant.

Spiropali: Kryetar keni marrë peng këtë komision. Aldo, kemi durim të madh, por jemi këtu për të folur për problemet e shëndetësisë. Disa nga kolegët po flasin sikur kanë pirë gjysma e asaj që ka mbjellë në Lazarat. Jeni bërë të lodhshëm dhe për votuesit tuaj. Si e keni ‘Babalen’? Do shohim deri në fund si do dalë kjo çështja e ‘Babales’ tuaj.

Balliu: Droga është kriter për ju. Nëse nuk je i lidhur me drogën, nuk mund të jesh në qeveri. Sa për ‘Babalen’, në çdo vend të botës nuk është kapur nga një përgjim intelektual, se Agroni nuk fliste me njerëz intelektualë, ai me këto rrinte.  

Duma: Kam respekt për disa nga ju. Edhe kolegia nga Vlora i di të vërtetat, edhe mjekët këtu që nuk prononcohen i dinë të vërtetat. Ne e dimë se ku duhet të shkojë ky vend. Unë e di që dhe brenda mazhorancës ka njerëz të sakrifikuar, kamikazë, për të mbrojtur çështje të pambrojtura. PS i ka të gjitha pushtetet, keni drejtësinë, ekzekutivin, mediat. Çështja e videos është e pa koment, njerëzit e dinë që është e vërtetë, problemi është si ta rregullojmë. Sot nuk mundeni më të thonë ‘opozita’ për çdo gjë që nuk shkon. Nuk ju ka sjellë thjesht Edi Rama, jam e bindur, ka mes jush njerëz që i kanë sjellë qytetarët. Një ditë do të dalim nga politika dhe duhet të themi të vërtetat. E vetmja gjë që duhet të ndjehemi mirë të kemi ndopak ndërgjegje me të vërtetën. S’ka më kredibilitet politika. Nuk ka një përgjigje nga ju për asgjë, ka vetëm një akuzë. Nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodh që kjo të zgjasë gjatë. Thoni minimumet e të vërtetave, sepse ndryshe do të rrëshqasim të gjithë.

Spaho: Ushtroni presion, në mënyrë që pjesa e shëndoshë të triumfojë mbi pjesën e kalbur. Nuk mund të shkojmë në Evropë me ministra të kriminalizuar.

Spiropali: Asnjë lidhje nuk ka ministri me këtë çështje, është një baltë që e hidhni ju.

Spaho: Ku e çuat zërin e Xhafajt që e verifikuat? Na thoni dhe neve ku e bëtë këtë verifikimin, na informoni dhe ne injorantët e të paditurit. Po pse iku me vrap në Itali ai.

Spiropali: Mos e shani ‘Babalen’, ju ka dhënë një flamur që mund ta tundni dhe për ca. Jeni zhytur aq thellë në krim, frika juaj është shumë e madhe, aq sa nuk ka fund.

Spaho: Jeni bërë si gamilja, që fut kokën në rërë.

Spiropali: Nuk është gamilje ajo, po ngatërroni dhe kafshët.