Komisioni i Ekonomisë dhe Financave është shoqëruar me debate. Deputeti Petrit Vasili është përplasur me kryetaren e Komisionit, Blerina Gjylameti, e cila i dha fjalën relatores për të dhënë mendimin për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7/2017 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”.

Vasili kërkonte fjalën që të vijonte procedurën, ndërsa Gjylameti tha që radhën e ka relatorja për të kaluar më pas në fazën pyetje-përgjigje. Kjo nxiti reagimin e Vasilit, të cilit i ndërprenë fjalën ndërsa Gjylameti vendosi 5 minuta pushim derisa të vendoset rregulli.

Vasili: Është i treti prezantim që bëjmë. Do improvizoni procedurë ju këtu. Çfarë është kjo? A më keni ftuar? Mund t’ju shpejgoj? Nuk jam viktima juaj. Kam ardhur si propozues këtu.

Gjylameti: Zoti Vasili, ju lutem s’ju kam dhënë fjalën.

Vasili: Mos mu refero 70 herë. Nuk e zgjidh dot problemin me arrogancë. Do shpjegoj procedurën.

Gjylameti: S’më tregon ti. Jeni i ftuar.

Vasili: Jam propozues, s’jam i ftuar.

Gjylameti: Ju lutem mbyllni mikrofonin të vijojë relatorja. Fjalën do jua jap unë. Këtu nuk është me uzurpim por me procedurë.

Vasili: Nuk më impresionon kjo lloj gjuhe mua. Po të shpjegoj çfarë ka ndodhur.

Gjylameti: Fikni mikrofonin.

Vasili: Ohu 40 herë.

Gjylameti: 5 minuta pushim sa të vendoset rregulli.