Sherr në orën 1 pas mesnate tek Hetimori i Shëndetësisë/ Beqaj futet në sallë, përplaset me deputetët PD! Zhupa: Po kërcënon! Vokshi: Urgjent kthejeni në burg! Ish ministri - Spahos: Ti mbylle gojën

TIRANË-  Komisioni hetimor parlamentar i Shëndetësisë për koncesionet e Sterilizimit dhe Check-up u përfshi nga debatet e forta pas mesnatës, (ora 01:00, 14 nentor)  por pa dhënë rezultat pasi ish ministri Ilir Beqaj nuk arriti të dëshmojë.

Nuk munguan debatet, tensionet dhe akuzat deri në fyerje mes palëve dhe pretendimet e deputetëve të opozitës për intimidim dhe kërcënim nga ish-ministri, që hyri në sallën e Komisionit dhe u kërkoi deputetëve ta lejonin të fliste sepse kishte mbi 14 orë që priste aty. Kur ishte kaluar mesnata Ilir Beqaj që ishte në korridor hyri në sallë teksa po fliste deputetja demokrate Ina Zhupa

Beqaj pretendon se është tallur dhe fyer, duke iu nëpërkëmbur dinjiteti, por PD e cilësoi si një “hajdut dy metra” që lëvizi i lirë korridoreve të Kuvendit dhe kërcënonte deputetët e opozitës.
Zhupa dhe kryetarja Albana Vokshi i bën thirrje të dilte përjashtë. Beqaj iu drejtua Zhupës: Kush je ti që më thua të iki. Sakaq iu drejtua dhe Spahos që po fliste nga vendi: Ti mbylle gojën.

Gazetarja e Report TV, Esiona Konomi, informon dinamikën e asaj çfarë ndodhi

Në orën 01:30 të mëngjesit, pasi palët nuk ranë dakord, Komisioni rifilloi dhe opozita kërkoi që Ilir Beqaj të largohej, të kthehej në qeli, sepse i kishte përfunduar leja dhe kishin hyrë në datën 14, duke qenë jashtë afatit.

“Në këto momente, Ilir Beqaj hyri për pak çaste në Komision, teksa po fliste Ina Zhupa dhe i tha se kush je ti që më thua se unë duhet të iki, unë nuk do iki!”, informon Konomi.

Në këtë çast ndërhyn edhe deputeti Edmond Spaho, por Beqaj bëhet me dije se i është kthyer duke i thënë “mbylle gojën!”. Dhe kjo u cilësua si një kërcënim nga deputetët e opozitës në sallë, duke ndërprerë menjëherë mbledhjen dhe duke e quajtur shantazh ndaj deputetëve një i paraburgosur. Policia është urdhëruar të kthente në qeli Beqajn.

Debati pas kamerave 

“Pasi kamerat janë fikur dhe mbledhja u mbyll, deputetja Vokshi dhe Zhupa kanë shkuar te salla ku qëndronte Ilir Beqaj dhe janë konfliktuar me oficerët e Policisë së Burgjeve. Ato kërkuan që Beqaj të kthehej në qeli, por oficerët i kanë thënë se duhet të merrnin urdhër për këtë. Vokshi është përgjigjur se urdhrin e jep Kuvendi për kthim në qeli, kurse Zhupa telefonoi Gardën, e duke i thënë se ndihej e pasigurt dhe e kërcënuar nga prania në Kuvend e zotit Beqaj”, informon gazetarja.

Në këto çaste Policia ka vepruar duke e larguar Beqajn dhe pas kësaj u larguan edhe dy palët politike nga Kuvendi. Teksa mëngjesin e sotëm erdhi edhe reagimi i ish-ministrit, që mohoi kërcënimet ndaj deputetëve dhe pretendoi se ishte lënë mbi 14 orë në pritje, duke u fyer dhe tallur nga deputetët e opozitës. Beqaj pretendon se leja nuk varet nga koha, por nga procedura e çështjes përkatëse dhe nuk ka kufi. Ai tha se ka qëndruar vetëm një hap larg komisionit dhe se ishte ndjerë nën presion. Edhe avokati i Beqajt ka pretenduar se është ndjerë i sulmuar dhe shantazhuar nga deputetët e opozitës, duke bërë edhe ankim në Dhomën e Avokatisë.

Afati i Komisionit mbyllet sot në mesnatë dhe nëse ka persona për t’u pyetur duhet të merren sot. Kjo, nëse Parlamenti nuk merr vendim të dytë për ta zgjatur për së treti afatin e Komisionit. PD kërkoi sot në Kuvend që afati të shtyhet edhe me 3 javë të tjera. Nëse nuk pranohet kërkesa Komisioni përfundon, dukshëm pa dëshmitë e kërkuara nga opozita dhe pa një raport. 

Ditën e djeshme (13 nëntor), mbledhja nisi në orën 10:30 dhe përfundoi në 01:30 të mëngjesit të sotëm (14 nëntor) dhe në fund nuk u lejua që Beqaj të dëshmonte, pasi opozita kërkonte dakordësi që të pyetej edhe kryeministri Edi Rama dhe biznesmenia Vilma Nushi, që nuk u dha prej mazhorancës.

Debati

Ina Zhupa: Ilir Beqja tani duhet të shkojë atje ku ka vendin, ne të vazhdojmë diskutimet këtu. Ky komision nuk mund të bjerë peng i telefonatave të Ndrecës, që kam folur unë dhe kam marrë leje. Ju zonja kryetare mbani përgjegjësi sepse ju çoni shkresat. Nëse këta duan të bëjnë shou dhe ti japin një natë liri Beqjes, më vjen shumë keq. Sot është data 14 nëntor, leja që keni marrë për Beqjen është për 13 nëntorin.

Beqja hyn në Komision dhe i drejtohet Zhupës por nuk dëgjohet për shkak se nuk ka mikrofon

Zhupa: Kush je që hyn këtu?

Vokshi: Kush je ti mo, kush je ti.

Beqaj flet nga dera por nuk dëgjohet se është pa mikrofon.

Zhupa: Kush je ti që hyn këtu. A e kuptoni si e keni kthyer këtë komision. Vjen Ilir Beqaj këtu dhe kërcënon deputetët e kupton.

Vokshi: Garda, policia urgjent të kthejë Ilir Beqaj në qelinë e burgut tani! Njoftoni policinë tani.

Ina Zhupa: Ai vjen këtu dhe kërcënon deputetët pse themi ne që ai të vejë në burg.

Albana Vokshi: E kanë liruar që në 12:00 e kanë mbajtur peng këta (Deputetët PS) dhe guxon të hyjë në këtë mënyrë në sallën e mbledhjeve të komisionit. 

Ina Zhupa: Kjo është e papranuieshme

Zheni Gjergji: Ti shko aty ku e ke vendin.

Vokshi: Sekretaria, mos më rrini tani, njoftoni. Joana çfarë po pret? Ke pret Joana (i drejtohet sekretares). Shkoni thojini tani urgjent, ta marrin, ta fusin në furgon dhe ta kthejnë.

Plarent Ndreca: Nuk bëhet kështu kjo.

Zhupa: Bëhet bëhet, se nuk hyn ai atje të na kërcënojë ne çfarë do themi.

Vokshi: Joana a mund të çohesh ti thuash atyre?

Spaho: Zonja kryetare, ndërprisni mbledhjen, shkoni thojini ju atij të policisë që ta marrë urgjent në burg dhe të kërkohet masë edhe për gangsterit avokat që hyri këtu si trim. Të merret masë edhe punonjësit e gardës që e kanë lejuar.

Vokshi ndërpret mbledhjen dhe del të komunikojë me efektivët e policisë.

Vokshi: Ai person që erdhi nga policia e burgjeve bredh i lirë në të gjitha ambientet, ka futur ujë, ka futur drunj dhe mjete të forta dhe është lejuar. Edhe në këtë orë (1.37 e mëngjesit) shkon ku të dojë, futet në këtë sallë i pautorizuar, lejohet nga policia dhe garda dhe kërcënon. Policia e burgut duhet të marrë masa. Garda duhet të marrë masa për atë djalin aty që e la të hynte.

Spaho: Zonja kryetare porosisni punonjësit e Kuvendit që të mos eleminojnë pamjet filmike kur ai hyri dhe kërcënoi deputetët.

Vokshi: Tju vijë turp, të të vijë turp ty (i drejtohet Ilir Metajt), dhe kujdes se po e tepron. Ai mendon se është i lirë, por ka ca si ju këtu. Të futet Beqja dhe të kërcënojë deputetët e opozitës është skandal i skandaleve.

Ilir Metaj: Fol me respekt, fol me respekt.

Vokshi: Unë respekt? Ca do bësh, po kërcënon?

Ilir Metaj: Ty s’kam çfarë të bëj…

Vokshi: Çfarë kujtoni ju mo? Ik merrni një dajre në dorë dhe një fyell.

Ilir Metaj: Ti nuk je koshiente çfarë flet.

Ina Zhupa: Ju guxoni ta lini Beqjen të livadhisë dhe hyn këtu e kërcënon deputetët vetëm se s’ka kamera. Po ne kemi celularët zotëri.

Vokshi: Sekretaria nuk guxon, vajta vetë dhe i thashë personelit të policisë së burgjeve që ta largonte urgjentisht nga ambientet e kuvendit. Për çfarë po rrimë më ne këtu? Çfarë duhet të ndodhë tjetër? Nuk besoj që mund ta vazhdojmë më këtë mbledhje, e konsideroj të mbyllur mbledhjen e sotme. Nesër do ftoj kryesinë e Komisionit që të mblidhemi, të bëjmë shkresat përkatëse që tua dërgojmë gjithë institucioneve që t’u dëshmojmë bashkë me videon, skandalin më të madh që ka ndodhur. Mbledhje më këtu nuk vazhdohet.

Ndreca: Zonja kryetare e Komisionit mbledhjen nuk mund ta mbyllni ju.

Vokshi: Mbledhja është e mbyllur.

Menjëherë pas kësaj PD e ka quajtur skandal ndërsa vetë Beqaj përmes avokatit e ka mohuar se ka kërcënuar por se deputetët e PD e tallën dhe fyen për mbi 14 orë. 

S’mund të lejoj nëpërkëmbjen e dinjitetit! S’kërcënova askënd, nuk më lejuan të dëshmoj" tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:08
Sherr në orën 1 pas mesnate - Beqaj përplaset me Ina Zhupën, PD: Skandal, u guxua të kërcënohen deputetët e opozitës

1731573886_logoreportperYOUTUBE.01143007.Still180.jpg

Komisioni hetimor parlamentar i Sterilizimit dhe Check-up është përfshirë nga debatet e forta në orët e para të së enjtes,  por pa dhënë rezultat pasi ish ministri Ilir Beqaj nuk arriti të dëshmojë.

Partia Demokratike ka reaguar duke e quajtur kërcënim këtë hyrje të Beqajt dhe akuzon mazhorancën për bllokimin e komisionit.

 

SKANDALI NË PARLAMENT!!!

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në ambientet e Parlamentit në orët e para të mëngjesit!

Ilir Beqaj, pas takimeve private me deputetët e PS, shëtit i lirë, hyn brutalisht në sallën ku po zhvillohej mbledhja e Komisionit Hetimor duke guxuar të kërcënojë deputetët e opozitës!!!

As Policia dhe as Garda nuk veprojnë!

Edhe pas këtij skandali, Policia e Burgjeve, refuzoi të largonte Ilir Beqen për ta kthyer në burg, edhe pas urdhërit nga Kryetarja e Komisionit. Në pritje të urdhërit të Plarent Ndrecës i cili tentoi të rifillonte mbledhjen e Komisionit.

Praktikisht, Parlamenti ka rënë!!! Është në duart e atyre që i japin leje dhe garanci Ilir Beqes të fusë mjete të forta, hunj e drunj në Parlament, të shëtisë i lirë në çdo ambjent, e të kërcënojë deputetët e opozitës.

E gjitha, që Edi Rama dhe Vilma Nushi të mos dëshmojnë para Komisionit Hetimor!!

Opozita nuk do të bëjë asnjë hap pas!! Do të bëjmë transparencë! Do të denoncojmë! As Rama e askush nuk do të gëzojë asnjë qindarkë të vjedhur nga paratë e shëndetësisë.'

Ora 08:00
Hetimori i Shëndetësisë/ Beqaj reagon nga qelia: Deputetët e PD më tallën dhe fyen për mbi 14 orë, s’mund të lejoj nëpërkëmbjen e dinjitetit! S’kërcënova askënd, nuk më lejuan të dëshmoj

Tensionet prej dy ditësh te Komisioni hetimor për Shëndetësinë, koncesionet e Sterilizimit dhe Check Up nuk kanë sjellë vetëm përplasje verbale dhe akuza mes palëve politike, por edhe një reagim nga ana e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, që nuk arriti të dëshmonte dot, pasi opozita dhe mazhoranca nuk ranë dakord për procedurën.

I arrestuar për fondet e SASPAC dhe nën proces për koncesionin e sterilizimit, Beqaj reagoi sot (14 Nëntor), për atë që ndodhi gjatë 16 orëve të ditës së djeshme në pritje dhe deri në orën 02:20 të mëngjesit.

Reagimi u bë nëpërmjet avokatit të tij. Ai thotë se u përballë për dy ditë me radhë dhe dje për 14 orë pa ndërprerje me fyerje dhe tallje teksa priste të dëshmonte.

Beqaj deklaron se u përball me fyerje dhe tallje nga më të ndryshmet prej deputetëve demokratë, duke i përmendur ata me emra. teksa shton se nuk mund të lejonte nëpërkëmbjen e dinjitetit të tij. beqaj mohon se ka kërcënuar ndonjë prej deputetëve opozitarë.

Reagimi i plotë i Ilir Beqajt nga qelia:

“Prej marsit 2024, kur është miratuar ngritja e komisionit hetimor parlamentar për koncensionet në shëndetësi, nga deputetët nismëtarë jam përballur me akuza, fyerje si hajdut, kriminel etj. Kam pritur në heshtje ditën e përballjes në Komision. Ditën e martë jam paraqitur në orën 10 dhe deri në oren 19.30 jam penguar të jap dëshminë. është penguar të flasë edhe avokati im.

Ditën e mërkurë jam paraqitur në oren 10.30 sipas njoftimit dhe kam pritur deri në orën 01.40 të ditës së enjte. Edhe në mbledhjet e ketyre dy ditëve që janë publike, me zë dhe figurë, jam përballur me akuzat, talljet e fyerjet nga Vokshi, Zhupa, Koreshi dhe Hoti.

Në atë orë të natës, duke qëndruar pranë sallës së mbledhjes në pritje për të dëshmuar dhe duke ndjekur punimet e komisionit, kam dëgjuar deputeten Zhupa që sikur unë të isha send kërkonte që meqë kishte kaluar ora 24 e datës 13 nëntor të kthehesha në qeli, pasi sipas saj kjo ishte leja e dhënë nga Drejtoria e Burgjeve.

Sipas Kodit të Procedurës Penale edhe për një të paraburgosur në rast marrjeje në pyetje apo procesi gjyqesor, qëndrimi nuk varet nga orari i lejes, por kohëzgjatja e seancës përkatëse. Kam hyrë në sallën e mbledhjes vetëm një hap nga dera dhe kam shprehur haptazi revoltën time për talljen deri në kufijtë e torturës që bëhej prej më shumë se 14 orësh. Nuk kam kërcenuar apo fyer askënd.

I kam treguar i revoltuar deputetes Zhupa se jam aty në pritje prej orës 10.30. Edhe nëse jam i paraburgosur nuk pranoj të më fyejnë dhe të më marrin nëpër këmbë. Këtë e refuzoj, e kundërshtoj dhe do të vazhdoj ta kundërshtoj. Në 8 muaj hetime të komisionit, të gjithë dëshmitarët kanë provuar që dy koncensionet objekt hetimi janë histori suksesi. Dështimin politik deputetët e opozitës nuk i lejoj ta përcjellin në nëpërkëmbje të dinjitetit tim".

G.K/SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    10 Dhjetor, 10:15

    Në përplasjen Veliaj-Berisha kujt i jepni të drejtë?



×

Lajmi i fundit

Jasir Asani kërkon largimin nga Gwangju, mësohen tre klubet e interesuara! Çmimi për sulmuesin e Kombëtares

Jasir Asani kërkon largimin nga Gwangju, mësohen tre klubet e interesuara! Çmimi për sulmuesin e Kombëtares