Debatet me Rusmajlin, Gjiknuri
përjashtohet 1 javë nga Kuvendi

Debatet me Rusmajlin, Gjiknuri <br />përjashtohet 1 javë nga Kuvendi
TIRANE - Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, është përjashtuar një javë nga punimet e Kuvendit. Vendimi u mor pas debateve të ashpra të ligjvënësit socialist me kreun e Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmajli, në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura në orët e mesditës së të enjtes. Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe Kuvendi, ku në një njoftim për shtyp tha se sjellja e Gjiknurit ishte e padenjë dhe se para kryetares së Kuvendit deputeti kishte kërkuar falje "tre herë". Ndërkaq vetë deputeti i Partisë Socialiste i ka cilësuar këto deklarata si trillime. Ngjarja ka vijuar më tej edhe me reagimin e Partisë Socialiste, menjëherë pas vendimit të Byrosë së Kuvendit që përjashton deputetin Gjiknuri pë 7 ditë nga Parlamenti. Nëpërmjet nën kryetarit të Kuvendit, Namik Dokle, PS tha se vendimi ndaj deputetit të tyre është "synim i mbrapshtë anti-opozitë".

Në një prononcim telefonik për A1Report, Gjiknuri tha pas vendimit se ishte përjashtuar pasi denoncoi një mbledhje të paligjshme. Në orët e mesditës, komisioni i ligjeve u mblodh pa praninë e mediave për të shqyrtuar kandidaturat e sjella nga partitë e dyta në Kuvend, ato të LSI dhe PBDNJ për anëtarë të KQZ.

Kryetari i Komisionit, Ilir Rusmajli kishte vënë në rendin e ditës emrat që kanë aplikuar për kryetar të KQZ-së. Ai u kërkoi deputetëve të përzgjedhin mes aplikantëve, për të mundësuar edhe miratimin e kreut te KQZ-së në seancën e së enjtës. Një veprim i tillë është kundërshtuar nga socialistët, ndërsa deputeti Damian Gjiknuri kujtoi se kreu i KQZ-së zgjidhet 10 ditë pas miratimit të anëtarëve të këtij institucioni. Socialistët kërkuan në këtë rast zhvillimin e një seance dëgjimore me kandidatët përpara kalimit të emrave në seancë.

Debati me tone të ashpra mes Gjiknurit dhe Rusmajlit ka tejkaluar etikën e komunikimit mes deputetëve duke përfituar nga mungesa e medias. Rusmajli kërkoi me ngulm përjashtimin e Gjiknurit nga Komisioni. Në pretendimin e tij kreu i Komisionit të Ligjeve del në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, pasi Neni 15 i tij përcakton se anëtari i shtatë dhe njëkohësisht Kryetar i KQZ-së zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së. Kjo lë hapësirën e duhur edhe për shqyrtimin e kandidaturave dhe dëgjimin e tyre në seancë.

MBLEDHJA E BYROSE NE KUVEND: SJELLJA E GJIKNURIT, E PADENJE

Ndërkaq, Kuvendi, nëpërmjet një njoftimi për shtyp sqaron masën e dhënë ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe përjashtimin e tij prej 1 javë nga punimet në Parlament. Sjellja e Gjiknurit në Komisionin e Ligjeve, cilësohet nga kryetarja e Kuvendit, si e padenjë, ndërsa në njoftim nënvizohet edhe fakti që deputeti i PS-së kërkoi tre herë falje përpara kryetares së Kuvendit dhe anëtarëve të Byrosë.

“Nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli u mblodh sot Byroja e Kuvendit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës.
Byroja e Kuvendit shqyrtoi propozimin e një grupi deputetësh të Komisionit për Çështje Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, për marrjen e masës disiplinore ndaj deputetit Damian Gjiknuri për përjashtimin nga punimet e Kuvendit për shkak të prishjes së mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, të sjelljes së tij të padenjë. Deputeti Damian Gjiknuri kërkoi tre herë falje përpara Kryetares së Kuvendit dhe anëtarëve të tjerë të Byrosë.”, lexohet në njoftimin për shtyp të Kuvendit të Shqipërisë. Pas kërkesës së faljes nga deputeti Gjiknuri, megjithëse grupi i deputetëve të Komisionit të Ligjeve kishte kërkuar që deputeti Gjiknuri të përjashtohej 2 javë nga punimet e Komisioneve Parlamentare, Kryetarja e Kuvendit dhe Byroja vendosën zbutjen e masës disiplinore të propozuar, duke përjashtuar deputetin Damian Gjiknuri për një javë nga punimet e Komisioneve Parlamentare.

GJIKNURI PER A1 REPORT: S'I KAM KERKUAR FALJE TOPALLIT

Në një prononcim telefonik për A1 Report, Damian Gjiknuri shprehet se pretendimet e Topallit se ai i ka kërkuar falje për sjelljen e tij në Komisionin e Ligjeve, nuk janë të vërteta. Sipas tij, deklaratat e Topallit janë mashtrime, pasi ka dëshmitarë që mund të vërtetojnë të kundërtën. Ai ka kërkuar që në qoftë se ka një procesverbal të tillë, atëherë le të zbardhet.


DOKLE: KUVENDI SJELLJE BRUTALE, VENDIMI ANTI-OPOZITE


Partia Socialiste ka reaguar zyrtarisht pas vendimit te Byrosë së Kuvendit për përjashtimin me një javë të deputetit Damian Gjiknuri. Në një deklaratë për shtyp, deputeti Namik Dokle thotë se në Kuvend “vazhdon sjellja brutale dhe represive ndaj opozitës, vazhdon shkelja e rregullores dhe e ligjeve që rregullojnë marrëdhëniet e Kuvendit me institucionet e tjera”. Sipas tij, e fundit ndër to është edhe përpjekja e mazhorancës për të imponuar në Komisionin e Ligjeve shkeljen flagrante të Kodit Zgjedhor mbi mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për Kryetar të KQZ. "Si edhe fyerjet e rënda ndaj deputetit Damian Gjiknuri, pasi ai nuk lejoi të shkelet Kodi Zgjedhor dhe as të procedohet më tej me këto shkelje", thotë Dokle. Ai këmbëngul se është e turpshme që pas kësaj, mazhoranca, në vend që të kërkojë ndjesë për shkelje të ligjit dhe fyerje të deputetit, përkundrazi, nëpërmjet byrosë së kontrolluar prej saj merr masë përjashtimi nga punimet e komisionit të deputetit Gjiknuri, bashkëkryetar të hartimit të Kodit Zgjedhor. "Është i qartë synimi i mbrapshtë i këtij akti anti-opozitë në një moment delikat dhe të rëndësishme të zbatimit të Kodit Zgjedhor", këmbëngul Dokle. Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar thonë se janë të vendosur dhe do bëjnë gjithçka për zbatimin korrekt, pa imponime dhe dredhira politike të Kodit Zgjedhor dhe të legjislacionit në tërësi.

JA DEBATET NE KOMISIONIN E LIGJEVE

Damian Gjiknuri: Zoti kryetar ju duhet ta dini që shqyrtimi i listës për kryetarin e KQZ është një proces i veçantë dhe nuk bëhet në po të njëjtën seancë me shqyrtimin e anëtarëve. Këtë e ka të përcaktuar qartë Kodi Zgjedhor.

Ilir Rusmali: Procedura e zgjedhjes së kryetarëve bëhet pas përzgjedhjes dhe shqyrtimit të kandidaturave për kryetarin.

Damian Gjiknuri: Zotëri, ti dje (të mërkurën)ke shpallur emrat e kandidatëve për kreun e KQZ. Ne kërkojmë që më parë të njihemi me të gjithë emrat që kanë dorëzuar dosjet në Kuvend. Ne duhet të njihemi me CV e tyre. Ndërkohë që për këtë mbledhje ju na lajmëroni vetëm sot(dje) në mëngjes dhe na keni vënë përpara listën e tyre.

Ilir Rusmali: Të fortin e komisionit mos na e bëj këtu ti Damian. Këtë komision e drejtoj unë.

Damian Gjiknuri
: Nuk vendos dot ti për këtë se është ligji para teje. Të lutem mbaj rregull.

Ilir Rusmali
: Zotëri, sipas Kodit Zgjedhor është shkelur afati për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ, ndaj bëra dhe unë këtë kërkesë. Në qoftë se ju thoni se për ligjet me 3/5 nuk do të jepni votën dilni dhe thojeni jashtë, por jo këtu. Këtu nuk ua lejoj. Këtë hilen tuaj nuk e pranojmë. Ju lutem bëjini thirrje seriozitetit tuaji politik. Damiani ka të ardhmen e vetë te ky komision.

Damian Gjiknuri: Kryetar, po ti ku e ke të varur karrierën dhe jetën tënde, apo te komisioni i Jozefinës?

Ilir Rusmali: Damian nuk të lejoj të flasësh në këtë mënyrë.

Damian Gjiknuri: Edhe ti mbaje gojën. Je rrahur e do rrihesh prapë po hë se kështu e ke ti. Ma di kokën mua ti kështu që mos fol shumë me ironi.

Ilir Rusmali: Të kërkoj të largohesh nga mbledhja.

Damian Gjiknuri: Nuk dua të largohem.

Ilir Rusmali: Të kërkoj të largohesh menjëherë, do filloj procedim disiplinor ndaj teje.

Damian Gjiknuri: Seriozisht e ke që do më largosh? Si kështu, fizikisht e ke apo në mënyra të tjera?

Ilir Rusmali: Po dhe fizikisht e kam. Ndaj teje kam filluar procedurën disiplinore, ndaj largohuni nga mbledhja.

Damian Gjiknuri: E po ty shyqyr që të kanë dhënë atë autoritet që ke, por nuk di ta mbash. Po shkel ligjin.

(kz/dm/Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Anti-berishistët mbledhin firmat për partinë e re, a do të mbështetet?



×

Lajmi i fundit

Hungaria akuzon BE-në për bllokimin e furnizimit me naftë nga Rusia

Hungaria akuzon BE-në për bllokimin e furnizimit me naftë nga Rusia