Për t’u konsultuar me Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, duhet të shkosh në adresën e internetit fjalori.online. Termi ‘online’ është një ndër shumë fjalë të tekonologjisë që kanë hyrë përmes gjuhëve të huaja në përditshmërinë e komunikimit.

‘Online’ u bë pjesë e fjalorit në formën onlajn, duke ndjekur rregullat e shqiptimit dhe të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.

“Fjala online është futur që në fjalorin e 2020-s. Është futur me formën e shkruar, ne e lamë si shqiptohet. Por nuk kemi pasur një reagim nga gjuhëtarët apo specialistët, pse është shkruar kështu dhe automatikisht u mbart, u mendua si formë e pranuar. E kemi diskutuar, kemi parë dhe komentet dhe them që do të dalë në fund të fjalorit, sepse ke online, por ke dhe offline. Sa i takon mënyrës së shpjegimit të saj, nuk është e mundur që çdo gjë të përkthehet fjalë për fjalë, sepse edhe pse burimi e ka ‘në linjë’, nëse e përkthejmë fjalë për fjalë “në linjë”, siç vjen nga anglishtja, ku ka lindur fillimisht, që nga ajo periudhë kanë kaluar le të themi rreth 50 vjet dhe përdoret në atë gjuhë.”, thotë për “Report TV” gjuhëtarja Anila Kananaj.

Sipas përkufizimit zyrtar, onlajn përdoret për të treguar veprime që kryhen përmes internetit. Në shpjegim përfshihen shembuj si: mësim onlajn, takim onlajn apo bisedë onlajn, duke e bërë termin pjesë të gjuhës standarde.

Sipas gjuhëtares Anila Kananaj, njëkohësisht sekretare shkencore e Fjaloritt ë ri, kjo fjalë nuk është përkthyer “në linjë”, pasi ky përkthim nuk e pasqyron saktë kuptimin.

 “Kur themi jam online, nënkuptojmë që jemi të lidhur me internetin. Ndërsa ‘në linjë’ nuk e jep këtë domethënie të qartë. Ne e kemi marrë tashmë si fjalë dhe e kemi futur si huazim dhe jo vetëm ne, por thuajse të gjitha shoqëritë perëndimore. Disa gjuhë janë më të prirura për t’i përkthyer si kalke, disa i kanë e kanë lënë ashtu siç është dhe shqipja është një prej tyre”, shpjegon ajo.

Ajo thekson se kjo fjalë tashmë përdoret në masë edhe nga moshat më të mëdha dhe shembujt janë të përditshëm: “Do të flas me djalin online, se është në Gjermani”, apo “Mësimi sot bëhet online”.

Në të kundërt, fjala ‘offline’ përdoret po aq natyrshëm për të treguar mungesën e lidhjes me internetin. Pas debateve, fjala ‘online’, është hequr dhe nuk gjendet më në fjalorin e hedhur për konsultim, me gjasë për t’u përfshirë në kategorinë e termave që do të vendosen në fund të veprës.

Një tjetër shembull sipas Kananajt janë edhe emrat e aplikacioneve të ndryshme, si “WhatsApp”, që përdoren çdo ditë në komunikim: “Ma dërgo në WhatsApp”, “Foli në WhatsApp”. Edhe pse nuk janë fjalë të shqipes së mirëfilltë, ato janë tashmë pjesë e realitetit gjuhësor.

“Edhe terma të tjerë teknologjikë janë bërë pjesë e fjalorit për shkak të përdorimit masiv. Fjala blog, për shembull, nuk ka paraqitur vështirësi, pasi shkruhet dhe shqiptohet lehtësisht në shqip. Ndryshe ndodh me shumë anglicizma të tjerë, ku forma e shkruar nuk përputhet me shqiptimin, çka i bën problematikë për t’u përshtatur.”, thotë Kananaj.

Gjuhëtarët theksojnë se çdo ndryshim në fjalor bëhet manualisht, faqe pas faqe, dhe se përdorimi i sinonimeve në shpjegimin e fjalëve është i domosdoshëm për të ruajtur prakticitetin e veprës. Përndryshe, fjalori do të dyfishonte vëllimin dhe do të bëhej i papërdorshëm.

Sipas specialistëve, media ka një rol të rëndësishëm për t’i sjellë publikut këta shembuj konkretë, në mënyrë që fjalori të mos shihet si një vepër e largët shkencore, por si një mjet praktik që pasqyron gjuhën e përditshme.