Debatet, SHBA-BE shuplakë 
PD, paralajmërim për drejtësinë 

Debatet, SHBA-BE shuplakë <br />PD, paralajmërim për drejtësinë 
Nervozizëm, debate dhe paralajmërime mes misioneve të SHBA-BE në Tiranë dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike, në komisionin për Reformën në Drejtësi. Objekt i mosmarrëveshjeve është pikërisht ligji i Vetingut, i cili përmes një skanimi të trefishtë, synon të pastrojë sistemin e drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar. Të gjitha propozimet, draftet paralele, amendimet, opinionet dhe përpjekjet e opozitës konsistonin në krijimin e disa shtigjeve shpëtimi për gjyqtarët dhe prokurorët, ndërsa misionet e EURALIS dhe OPDAT i kanë qëndruar fort vijës së kuqe, me disa parime që nuk mund të shkeleshin. Në mbledhjen e datës 23 gusht të komisionit për Reformën në Drejtësi, kur krerët e misioneve të e EURALIS dhe OPDAT paralajmëruan se propozimet e PD shkelnin vijën e kuqe, përfaqësuesit e PD pretenduan disa herë se ekspertët e SHBA-BE nuk i kuptonin amendamentet e opozitës, për shkak të problemeve të përkthimit. Megjithatë, gjatë debateve, kreu i misionit të EURALIS, Rainer Deville, u ka përmendur disa herë demokratëve vijën e kuqe, duke deklaruar madje se propozimet e tyre, pengojnë procesin e Vetingut.

Mesazhi
Mesazhi nuk i adresohej thjeshtë përfaqësuesve të opozitës në komisionin, por krerëve të saj, Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, të cilët kanë nisur një rezistencës të re kundër ligjeve prioritare, me pretendimin se bien ndesh me Kushtetutën e re. “Përsëri kjo shkel vijën e kuqe. Ne mund t’i plotësojmë këto vende edhe para këtyre afateve që janë vendosur, prandaj që të mos pengoni procesin unë do të isha i mendimit që këto amendamente ose ky ndryshim të mos përfshihet në këtë nen”, ka deklaruar Deville. Nga ana tjetër, eksperti amerikan Jon Smibert, përfaqësues i misionit të OPDAT, ka mbrojtur nenin që penalizon gjyqtarët dhe prokurorët me lidhje të papërshtatshme me krimin, sidomos kur subjekti është fotografuar me anëtarë të organizatave kriminale.

Alibia e PD
Teksa Deville ishte i prerë kundër propozimeve të PD, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka pohuar se paralajmërimi i ekspertit të huaj kishte ardhur nga përkthimi i gabuar.“Unë nuk jam i sigurt nëse eksperti i huaj e kuptoi qëllimin e kësaj dispozite, sepse me siguri e ka nga përkthimi i momentit. Qëllimi i kësaj nuk ka lidhje fare me kalendarin. Unë nuk e kuptova se cila është vija e kuqe dhe mirë është të thuhet qartë se çfarë janë vijat e kuqe në këtë histori, por kjo nuk ka rëndësi. Besoj se të gjithë këtu dinë ta lexojmë Kushtetutën dhe ta zbatojmë”, ka deklaruar Oerd Bylykbashi. Edhe Fatmir Mediu ka deklaruar se problemi qëndron tek përkthimi. “Shqetësimi që kemi ngritur, meqenëse është shprehur në amendamente besoj se ka edhe humbje në përkthim, sepse e ka të pamundur zotëria, edhe eksperti më i mirë i anglishtes në botë të jetë, edhe ta përkthesh edhe ta kuptosh edhe të reflektosh”, ka deklaruar Mediu.

PD humbet durimin
Pas prapësimeve të amendamenteve nga kreu i misionit të EURALIS, në fundit e mbledhjes, demokratët e kanë humbur qetësinë. Deputeti Oerd Bylykbashi ka pohuar se eksperti po zëvendëson 140 deputetët.“Diçka nuk shkon, por nuk shkon shumë, me funksionimin e këtij komisioni, i cili nuk i ngjan asnjërit në këtë Parlament. Pa arsyetim bie e gjithë puna që bën gjysma e këtij komisioni. Një person nuk mund të zëvendësojë 140 deputetë thjesht me arsyetimin “nuk bie dakord”. Kjo është e paprecedentë në një komision ad hoc si ky. Z. kryetar, unë kam qenë në atë rol më parë, ku maksimumi i detyrës së një eksperti është të thotë arsyet pse, ndërkohë që për po ose jo vendos ky komision. Ky është një rast i paprecedent. Gjysma e punës së këtij komisioni po hidhet në plehra vetëm me një fjalë”, ka deklaruar Bylykbashi.

Debatet në mbledhjen e komisionit për Reformën në Drejtësi
 
-Rainer Deville: Së pari, ndarja e këtyre dy lloj grupeve përfaqësuesish është e përcaktuar edhe në Kushtetutë, kështu që nuk është e nevojshme ta përfshijmë edhe këtu. Këtu kemi një mendim të delegacionit evropian në lidhje me vendosjen e afateve kohore. Ky është një opinion i shprehur nga delegacioni evropian dhe më duket se ju nuk po e merrni parasysh. Është vërtetë një shqetësim ose një pikë e rëndësishme për delegacionin vendosja e afatit. Për sa i takon ndarjes së dy grupeve, vendosjes së atyre afateve në vend që ta ndihmojmë, ne më duket se e pengojmë këtë proces duke vendosur afate. Ne mund t’i plotësojmë këto vende edhe para këtyre afateve që janë vendosur, prandaj që të mos pengoni procesin unë do të isha i mendimit që këto amendamente ose ky ndryshim të mos përfshihet në këtë nen.
 
-Oerd Bylykbashi: Unë nuk jam i sigurt nëse eksperti i huaj e kuptoi qëllimin e kësaj
dispozite, sepse me siguri e ka nga përkthimi i momentit. Qëllimi i kësaj nuk ka lidhje fare me kalendarin.
 
-Gazmend Bardhi: Pa diskutim që pjesë prioritare, të cilët në vlerësimin tonë duhet të mbarojnë procesin e vlerësimit brenda vitit të parë të funksionimit të këtij ligji, duhet të jenë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e Gjykatës së Lartë, prokurori i Përgjithshëm, anëtarët e zgjedhur të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorisë dhe inspektori i Lartë i Drejtësisë. Ky është një parim që për ne është shumë i rëndësishëm, sepse kështu do të arrijmë të sjellim pasojat më shpejt te qytetarët. Kemi shtuar edhe një nen 8, që është shumë i rëndësishëm “Urdhërimi i Kushtetutës”, që ka të bëjë me kufizimin të drejtave.
 
-Rainer Deville: Përsëri kjo shkel vijën e kuqe të komisionit. Ne kemi përcaktuar edhe në Kushtetutë ndryshimet kushtetuese që vërtetë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të jenë të parët ata që do të kalojnë në procesin e rivlerësimit, por kjo nuk na pengon ne që në të njëjtën kohë të fillojmë edhe vlerësimin e gjyqtarëve të instancave të tjera më të ulëta dhe ndofta i gjithë ky proces vlerësimi mund të mbarojë në një kohë më të shpejtë. Kurse ky është një lloj tjetër vlerësimi, i cili nuk gjen reflektim në amendamentet kushtetuese. Me siguri një opinion i përgjithshëm që sigurisht që Kushtetuta është e aplikueshme. Ne nuk mund të themi se nëse nuk e bëjmë rivlerësimin kështu, atëherë disa dispozita të Kushtetutës do të jenë të pa aplikueshme.

-Oerd Bylykbashi: Unë nuk e kuptova se cila është vija e kuqe dhe mirë është të
thuhet qartë se çfarë janë vijat e kuqe në këtë histori, por kjo nuk ka rëndësi. Besoj se të gjithë këtu dinë ta lexojmë Kushtetutën dhe ta zbatojmë, për më tepër kur Kushtetuta ka nevojë për ligje për ta implementuar më tej. Besoj se e kuptoj shumë mirë si lexohet Kushtetuta. Z. Majko, nuk e di a dini ju, apo jo? Ju thoni që e bëni, unë me të lexuar e kam. Tani, një gjë shumë e thjeshtë, ndërhyrjet për po ose jo, sugjeroj të bëhen pasi të jetë kuptuar në detaj propozimi ynë, përndryshe le të merret kohë më pas, por jo të thuhen këtu gjëra që nuk janë thënë. E para. E dyta, nuk mundet t’u kërkohet katër komisioneve me 12 anëtarë që të marrin në shqyrtim të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët në të njëjtën kohë, sepse krijohet një grykë shisheje, që e dështon procesin, do ta mbajë pezull procesin e Vetingu, do t’i mbajë nën presion gjyqtarët, ndërkohë që ushtrojnë detyrën e tyre dhe do të bjerë ndesh edhe me rregullat bazë të një procedimi administrativ, përfshirë hetimin administrativ, për të cilin Kodi i Procedurës Administrative përcakton afate se kur kryhet. Edhe për procedimin administrativ më të ashpër ka afate. Kjo nuk mund të fillojë në vitin 2016 dhe të mbarojë pas 5 vjetësh.
 
-Fatmir Mediu: Unë mendoj se amendamentet kanë një qëllim të qartë për të përmirësuar dhe për të vendosur rregullat procedurale siç duhet. Ne në parim jemi të dy palët dakord. Shqetësimi që kemi ngritur, meqenëse është shprehur në amendamente besoj se ka edhe humbje në përkthim, sepse e ka të pamundur zotëria, edhe eksperti më i mirë i anglishtes në botë të jetë, edhe ta përkthesh edhe ta kuptosh edhe të reflektosh, e ka te vështirë, kështu që do të doja të paktën t’i jepet mundësia për t’i rikonsideruar shqetësimet, duke marrë shkas nga ajo që tha z. Bardhi.
 
-Gazmend Bardhi: Z. kryetar, ne mendojmë që duhet të ketë së pari një ndarje midis kushteve të zgjedhshmërisë, që janë parashikuara në Kushtetutë dhe janë vetëm pesë, dhe
kritereve ligjore që vendos ky ligj. Mënyra sesi është prezantuar amendamenti, ne bëjmë një barazim midis kushteve të zgjedhshmërisë që i parashikon Kushtetuta, që janë vetëm pesë, dhe kritereve ligjore që ne i detajojmë për të siguruar përbërjen ligjore dhe integritetin e kandidatëve që do të emërohen në organet e rivlerësimit
 
-Rainer Deville: Nuk duhet ndryshuar sistemi i parashikuar aktualisht në Kushtetutë, pasi kjo do të përbënte një tejkalim të vijës së kuqe. Në fakt, kjo që është propozuar tani është një sistem i diferencuar nga ai që është parashikuar në Kushtetutë. Duhet të kemi parasysh edhe afatet që janë shumë të rëndësishme, të cilat janë parashikuar në Kushtetutë.
 
-Fatmir Mediu: Cila është vija e kuqe që nuk duhet ta kalojmë në këtë rast? Duke
dëgjuar me vëmendje zotin Bardhi, ai tha që ne nuk do t’i kufizojmë në kohë, por të gjithë aplikantët duhet të kenë një set dokumentacionesh që duhet t’i paraqesin, në mënyrë që IMO dhe ne, klasa politike, të kemi një set materialesh, të dhënash, të firmosura prej tyre, që japin garanci që janë njerëzit e duhur, sepse këta janë ata gjyqtarët e mëdhenj që do të gjykojnë gjyqtarët e vegjël.
 
-Gazmend Bardhi: Komenti që kemi është se sekretari i Përgjithshëm duhet të
përmbushë të njëjtat kushte si anëtarët me përjashtim të kriterit të eksperiencës, sepse nuk është ashtu në projektligj. Pra, duhet të ketë te dispozita që përcakton kriteret për anëtarët e KPK-së apo të kolegjit me diferencën për sa i përket eksperiencës në punë.
 
Rainer Deville: Nëse shikoni nenin 17 aty janë të përshkruara detyrat që kryen sekretari i përgjithshëm. Mendoj se të gjitha kriteret e përcaktuara në nenin 16 janë të mjaftueshme dhe justifikojnë si ngarkesën e punës, ashtu edhe natyrën punës që ai kryen.
 
-Oerd Bylykbashi: Diçka nuk shkon, por nuk shkon shumë, me funksionimin e këtij
komisioni, i cili nuk i ngjan asnjërit në këtë Parlament. Pa arsyetim bie e gjithë puna që bën gjysma e këtij komisioni. Një person nuk mund të zëvendësojë 140 deputetë thjesht me arsyetimin “nuk bie dakord”. Kjo është e paprecedentë në një komision ad hoc si ky.
 
-Fatmir Xhafaj: E kërkuat ju që të japin komente. E tha që këto që po kërkoni janë te neni 16.
 
-Oerd Bylykbashi: Z. kryetar, unë kam qenë në atë rol më parë, ku maksimumi i detyrës së një eksperti është të thotë arsyet pse, ndërkohë që për po ose jo vendos ky komision. Ky është një rast i paprecedent. Gjysma e punës së këtij komisioni po hidhet në plehra vetëm me një fjalë.
 
-Keltis Kruja: Kisha një pyetje për pikën 3, germa “d” të nenit 34, subjekti i rivlerësimit merr pjesë ose është i pranishëm në takime e aktivitete ose raste të tjera me elementë të përfshirë në krimin e organizuar. Çfarë nënkuptohet me këtë? Nuk e kuptoj. Cili është kriteri i përcaktimit të pjesëmarrjes në takime masive , stadium, kinema, dasmë, varrim? Sepse, siç duhet ta dini, kemi disa zakone apo tradita të cilat shqiptarët i kanë pasur për shekuj me radhë dhe nuk mund t’i përcaktojmë çdo individi që të mos respektojë një pjesë të rëndësishme të jetës apo familjes së vet vetëm për shkak se do të bëhet pjesë e organeve të rivlerësimit. Këtë nuk e kuptoj. A mund të kem një specifikim të karakterit më diapozitiv se çfarë do të thotë kjo pikë?
 
-Rainer Deville: Neni 34, germa ”d” përcakton kushtet në të cilat do të konsiderohet pjesëmarrja në një organizatë kriminale. Këta janë thjesht shembuj. Në rast se, le të themi, një kryemafioz zhvillon një takim me disa mafiozë të tjerë, dhe aty merr pjesë edhe një gjyqtar, atëherë natyrisht që kjo nuk është një ide e mirë, dhe e gjithë kjo mund të përdoret kundër subjektit të vlerësimit ose gjyqtarit në këtë rast. Në rast se ju besoni se kjo rrethanë mund të jetë, për shembull, edhe në një martesë që zhvillohet në Lazarat, atëherë kjo është një rrethanë që natyrisht mund të merret parasysh. Natyrisht, thelbi i asaj që ne kemi dashur të themi, është se një gjyqtar nuk duhet të ketë kontakte të këtij lloji. Fakte të tjera që do të dalin gjatë hetimit do të merren në konsideratë.

-Jon Smibert: Faleminderit që më dhatë shansin të flas! Unë do të tregoj se nga vjen ky nen apo draftim i këtij neni dhe si funksionon. Në shumicën e vendeve të NATO-s e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Mbretërinë e Bashkuar, këto janë bazat mbi të cilat mbështetet ky lloj vlerësimi. Si bëhet vlerësimi i figurës? Bëhet në mënyrë të tillë: dikush ofron një informacion, e pastaj ky informacion i marrë vlerësohet. Ky informacion i kalon një trupi tjetër, i cili ka detyrën që të vendosë mbi këtë informacion. Më pas ka udhëzime se si mund të bëhet vlerësimi i situatave të ndryshme. Ato që janë të përcaktuara në pikën 3, janë rrethanat që merren parasysh në vlerësimin e këtyre gjetjeve apo informacioneve të grumbulluara. Ndërsa paragrafi 4 ka rrethanat lehtësuese që merren parasysh në lidhje me këtë informacion të grumbulluar. Në qoftë se një person, siç e përmendët edhe ju, do të ishte në një vend të përbashkët ku ka persona të përfshirë në krimin e organizuar, atëherë ky informacion do të merrej parasysh në lidhje me vlerësimin e figurës së këtij njeriu. Po të shikojmë edhe pikën 4 të nenit, do të vërejmë se rrethanat lehtësuese përcaktojnë nëse ky kontakt është i rrallë apo i shpeshtë, apo marrëdhënia e tij me këtë person është e afërt ose jo e afërt. Në bazë të këtyre vlerësimeve bëhet edhe vlerësimi i figurës. Prandaj janë vënë dy pika të këtij neni, ku jemi munduar të bëhet një balancim të këtij informacioni të grumbulluar, dhe ky informacion i marrë i kalon komisionit. Më pas këto informacione i vlerëson komisioni, nëse duhen marrë parasysh apo jo. Pra, në qoftë se dikush fotografon praninë e një personi me një person tjetër, por nuk jep ose nuk sqaron rrethanat në të cilat ndodhet apo rrethanat lehtësuese, atëherë ky informacion nuk mund të merret parasysh. Në qoftë se në ndonjë nga vendet e NATO-s do të kishte një informacion të tillë sensitiv, atëherë kjo do të ishte mënyra dhe procedura se si vlerësohet ky informacion sensitiv. Pra, bëhet një balancim midis informacionit dhe rrethanave lehtësuese, që mund ta shoqërojnë.
 
Oerd Bylykbashi: Besoj se shqetësimi po del i qartë këtu, nga pyetjet e kolegëve. Ajo që shihet qartë në këtë dispozitë është potenciali i jashtëzakonshëm për t’u abuzuar. Ne nuk e dimë fare se kush do të jetë ai që do të vijë nesër për ta aplikuar këtë ligj. Nuk është fare çudi që në këtë Shqipëri kaq të vogël edhe numerikisht, ku të gjithë kemi opinione politike, do të përdorim llastikun e këtyre lloj dispozitave, për të abuzuar me këtë, ndërkohë qëllimi është qartësisht pozitiv.
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim