Përfaqësuesit e Unionit të gjyqtarëve që kanë mbrojtur në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e tyre për ndryshimin e formulës së përllogaritjes së pagave të tyre, për t’i rritur ndjeshëm ato, kanë dhënë dhe argumenta që shkojnë përtej arsyetimeve juridike gjatë debateve në seancë.
Njëri prej tyre, Genti Dokollari, ka shpjeguar se zgjedhja e tyre për të bërë ankimin, gati dy vjet pas ndërhyrjes ligjore nga ana e qeverisë dhe parlamentit, kishte qenë taktike. Duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese në mars të vitit të kaluar, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, synimi sipas tij kishte qenë që të shmangte presionin e qeverisë mbi çështjen, me shpresën dhe të një ndryshimi politik në drejtimin e vendit. “Por llogaritë nuk an dolën”, deklaroi ai.
Report TV ka siguruar audion e seancës gjyqësore, ku Dokollari jep shpjegimet e tij:
Genti Dokollari, përfaqësues i Unionit të Gjyqtarëve: Dhe ne të zgjuar jemi. Të presim një moment të përshtatshëm kur përgatiteshin zgjedhjet e tjera që ishin dhe të paktën qeveria nuk duhet të kishte kohë që të merrej me ne apo me ju, dhe ndërkohë nuk i dihet se si dilte rezultati i zgjedhjeve të tjera dhe kjo është mot a mot. Eshtë paraqitur në fillim të marsit e kam bërë kërkesën vetë personalisht e kam sjellë dhe shpresoja që të dilte shumë shpejt kërkesa që të mos kishte kohë që të merrej, të paktën pjesën e presionit, sepse gjyqi është gjyq në fund të fundit. Kjo është arsyeja nga fillimi deri në fund. U munduam të tregoheshim të zgjuar pavarësisht se nuk na dolën llogaritë në atë mënyrë. Kjo është e gjitha.
Sonila Bejtja, relatore e çështjes: Pra, ishte një zgjedhje taktike, logjistike sepse unë kam përshtypjen që konstatimin e cënimit e bëtë dhe më herët?
Genti Dokollari, përfaqësues i Unionit të Gjyqtarëve: Vetëm për këtë, që presioni të ishte sa më i ulët, të mos ishte kohë që të merrej dikush me Gjykatën kushtetuese. Ndodhën parashikime ndryshe, sepse menjëherë pas zgjedhjeve, mandati absolutisht, besimi absolut i popullit tek qeverisja aktuale është e pamohueshme dhe normalisht dhe presioni u rrit, është më se normal. Ne konceptojmë që është normale. Pra zgjodhëm atë pikën kur presioni do të ishte më i ulët, por për rrethana rastësore nuk rezultoi tillë.
Ndërsa kolegu i tij gjyqtari Sokol Pina, argumentave të qeverisë, se rritja e kërkuar prej tyre kapte një shumë prej 37 milionë eurosh që do rëndonte buxhetin, i është kundërpërgjigjur, duke deklaruar se buxhetit i shkaktohen “më shumë dëme nga keqmenaxhimi”,
Sokol Pina, përfaqësues i Unionit të Gjyqtarëve: “Së pari, unë dua t'i bëj me dije Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit, që përpara se të shqetësohet për pagat e magjistratëve, ata duhet të shqetësohen për dëmet që i vijnë buxhetit të shtetit nga keqmenaxhimi i fondeve publike. Unë kam sjellë disa të dhëna, kam paraqitur edhe disa prova referuar në raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit lidhur me vlerën shumë të madhe të dëmeve që i vijnë buxhetit të shtetit nga keqadministrimi i fondeve nga funksionarët e ekzekutivit. Kjo nuk vjen nga gjykatet. Gjykatat, nuk ka ndodhur ndonjëherë që të keqmenaxhojnë fondet. Pra përpara se të shqetësohen për pagat tona, do duhet të ndreqin këtë të metë që vjen nga puna e tyre”.
Pina ka sjell dhe një shembull tjetër duke deklaruar se vetëm sekuestrimet e SPAK e tejkalonin rritjen e kërkuar prej tyre për pagat:
“Gjithashtu unë kam sjellë dhe disa të dhëna nga raportet e SPAK-ut lidhur me shumën, me vlerat e konfiskuara në vitet 2023 dhe 2024 vetëm nga Gjykatat e Posaçme, pa marrë këtu juridiksionin e përgjithshëm që e tejkalojnë atë rritjen prej 37 milionë eurosh, që parashikon rritja po themi e të gjithë funksionarëve që preken nëse pranohet padia apo kërkesa e Unionit të Gjyqtarëve. Kështu që ky nuk është një argument ku mund të bazohen prapësimet e tyre”
Gjyqtari Pina ka deklaruar se nuk e kishte një përgjigje të atyshme, por se shembullin e sekuestrimeve të SPAK-ut e kishte sjellë “për ilustrim” dhe se kërkesa e tyre për pagat “nuk është ndonjë dëm, pra vetëm në kuadrin e dëmit të pretenduar ekonomik të që ngriti që ka ngritur në parashtrimet e tyre Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave”
Komente











