Debati për listën e 2017-ës
degët përplasen me strukturat

Debati për listën e 2017-ës<br />degët përplasen me strukturat
TIRANE- Afrimi i zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës ka nxjerrë në pah skenarët brenda Partisë Demokratike, të cilët lidhen me një rikonceptim të mundshëm të degëve lokale, propozime këto të Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, atij Organizativ, Eno Bozdo, të Burimeve Njerëzore, Fatbardh Kadilli dhe të deputetit Genc Ruli. Ky moment i shërben një tjetër përplasje brenda PD. Në vijim të kritikave të deputetëve ndaj Bashës, situatës së brishtë i shtohet edhe përplasja e kryetarëve të degëve me zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike, njëherazi edhe bashkëpunëtorë të kryetarit demokrat.

Zanafilla e sherrit është pikërisht dokumentimi i problematikës së PD në zgjedhjet e fundit tek mosfunksionimi i strukturës bazë të partisë. Dhe për këtë shkak, është parë e udhës një rikonceptim i bazës, duke krijuar degë të reja. Ndërsa për kryetarët e degëve, propozime të tilla i bëjnë ata të cilët duan të sigurojnë veten e tyre në listat e deputetëve të 2017-ës.
 
Përplasja
Projektidea për rikonceptimin e degëve të PD është pranuar zyrtarisht edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani. Sipas tij, një propozim i tillë është bërë nga raportet e analizës së degëve në bazë, ku janë konstatuar probleme gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit. Në dokumentin në fjalë parashikohet ristrukturimi i degëve, duke i krijuar ato në bazë të numrit të zgjedhësve. Në këtë mënyrë një bashki mund të ketë 3 deri në 5 degë. Ndërsa janë dhe dy propozime të tjera, që po ashtu sjellin dobësimin e rolit të kryetarëve të degëve në rrethe. Në këtë rast, kryetarët e degëve aktuale nuk do ta kenë më të sigurtë impaktin në selinë qendrore të PD-së dhe po kështu nuk do të kenë të sigurtë kandidimin për deputet në zgjedhjet e 2017. Megjithatë kryetarët aktual të rretheve të PD-së janë shprehur kundër kësaj nisme, duke akuzuar dhe ideatorët e saj.

Por vetë drejtuesit e punës për riorganizimin e PD-së, duket se janë kundër sistemit aktual, ku PD ka 40 degë në rrethe dhe 13 në Tiranë. Pikë që ia kanë shprehur dhe kryetarit të PD-së Lulzim Basha. Në fakt, nëse degët nuk ndryshojnë më të rrezikuarit janë deputetët aktualë, kjo pasi shpesh ata janë gjendur nën kritikat e rretheve për mos angazhimin në fushatë. Ndërsa dhe fakti se kryetarët e degëve do të bëjnë propozimet për listën e kandidatëve vë në dyshim nëse deputetët e PD-së do të jenë sërish në listën e vitit 2017 apo jo. Tashmë tensionet në PD po shfaqen dukshëm, ndërsa pritet që nismat të konkretizohen në mesin e dhjetorit.
 
Kryesia do vendosë për ndarjen ose jo të degëve
 Propozimi i grupit të punës për rikonceptimin e degëve, i cili i është dorëzuar kryetarit demokrat, Lulzim Basha, do të hidhet për diskutim në mbledhjen e kryesisë së PD. Kryetari demokrat pritet të thërrasë gjatë ditëve në vijim mbledhjen e forumit më të lartë vendimmarrës të Partisë Demokratike, pikërisht për të vendosur nëse është momenti për të riparë strukturën bazë të partisë apo jo. Mësohet se Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani dhe ai Organizativ, Eno Bozdo i kanë kërkuar me insistim kryetarit demokrat krijimin e degëve të reja, jo vetëm sipas ndarjes territoriale me 61 degë, por duke vendosur edhe si kriter numrin e zgjedhësve, e cila mendohet se do jetë deri në 50 mijë për degë.
 
Dëshmi e problemeve brenda PD dhe “përplasje brezash”
 Zgjedhjet për kryetarin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike janë shndërruar në “luftë” për mbijetesë politike, pra një përplasje mes të rinjve dhe të vjetërve, por njëherazi janë edhe dëshmi e problemeve 2-vjeçare brenda PD. Këto zgjedhje të pashembullta për rëndësinë dhe vëmendjen që kanë marrë, aq sa PD është ndarë zyrtarisht në dy kampe, me deputetë dhe kryetarë të degëve të cilët janë më aktivë se në zgjedhjet parlamentare apo politike, po mbartin në vetvete që gjithë tensionin e akumuluar në dy vitet e para në opozitë dhe të drejtimit nga lidershipi Lulzim Basha.

Ndonëse është një garë zgjedhore për një strukturë përbërëse të PD, aq më tepër Forumi Rinor, organizëm i cili realisht në vendin tonë nuk merr ndonjë vëmendje të madhe nga partitë politike, në fakt “katalizatori” është diçka tjetër. Ndarja në dy grupime do të thotë se sikush pretendon të “kapë” forumin për ta shndërruar atë në vegël që tu shërbejë për tu shtyrë pensionin politik përtej 2017-ës. Jo paqëllim zgjedhjet e FRPD kanë hyrë në këtë qorrsokak sa s’dihet dhe s’mund të parashikohet fundi, kur momentet e tensionit mes palëve shkojnë deri në kufijtë e përplasjes fizike. Është e gjitha një garë për mbijetesë që po përdoret nga disa funksionarë si drejtpeshim për t’iu fshehur “pensionit politik”.   
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Pas 10 vitesh Jens Stoltenberg largohet nga drejtimi i NATO, Mark Rutte zyrtarisht sekretari i ri: Ukraina dhe aleancat do jenë 3 prioritetet

Pas 10 vitesh Jens Stoltenberg largohet nga drejtimi i NATO, Mark Rutte zyrtarisht sekretari i ri: Ukraina dhe aleancat do jenë 3 prioritetet