Debati për një foto

Debati për një foto
Unë jam orthodokse, nëse më pyesin për fenë. Babai im e ka emrin Aristotel (që është totalisht orthodoks), por mbiemrin familjar e kemi Basha (që në fakt shumica më thonë se është mysliman). Kurrë personalisht nuk e kam përjetuar ndarjen mes orthodoksëve, myslimanëve apo katolikëve, edhe pse me vete mbaj një kryq (ndoshta është ideja supersticioze e një hajmalie për të sjellë fat).
E bëra këtë parantezë për “origjinën” time fetare, për të dhënë një mendim lidhur me gjithë skepticizmin dhe debatet që po orientohen ditët e fundit lidhur me foton e publikuar gjerësisht në media të tre kryeministrave, Rama, Erdogan e Thaçi, gjatë një vizite të tyren në Kosovë.

Nuk e besoj se ne shqiptarët jemi kaq të dhënë pas ritualit fetar aq sa e shfaqim këtë në ëebsite apo rrjete sociale. Ashtu sikurse nuk besoj se përqindja jonë më e lartë e popullsisë, anon te ai kontigjent njerëzish, që faljen në xhami apo lutjet në Kishë, i bëjnë sepse ky është një rregull që na e detyron feja, apo një ditë ku ne duhet të reflektojmë se duhet të jemi më të qetë me veten, e me shoqërinë.

Shumica jonë, në perceptimin tim, sidomos këto vitet e fundit me ardhjen e demokracisë, vendet e faljes e lutjes në Kisha e Xhami, i shohin si një lloj qetësie shpirtërore. Pa dashur të paragjykoj pjesën e qytetarëve që besimin e kanë prioritar në jetën e tyre të përditshme duke ndjekur ritualet fetare sikurse e thotë zakoni fetar, jam e mendimit, se një pjesë e madhe e njerëzve, nuk e kanë këtë një vetëdije të brendshme e një vëmendje karshi fesë. Eshtë një rit zakonor, i ardhur rishtaz gjatë viteve të demokracisë.

Njoh shumë bashkëkombas të mitë, që gjithë ditën mëkatojnë, e gjithë ditët fetare ndjekin ritualin sipas kalendarit fetar. Nuk u jap të drejtë atyre që vjedhin, shajnë, fyejnë, ofendojnë, korruptojnë, nuk respektojnë, shprehin arrogancë e gënjejnë, që vazhdojnë të falen në xhami, e të luten në kishë, duke kërkuar falje e mëshirë në zot për mëkatet e tyre. Por më pas, me të njëjtën logjikë të ftohtë, vazhdojnë të kryejnë të njëjtat gjëra e mëkate, sikurse edhe më parë.

Dhe në rrjetet sociale, shumë prej syresh, i pashë të flasin, shkruajnë, shajnë, ofendojnë, përbuzin, anatemojnë (parime që feja myslimane apo e krishtere nuk i lejon), një foto, të kryeministrit shqiptar, ulur në një sofër po shqiptare, krah kryeministrave, Thaçi e Erdogan, siç e donte ndoshta zakoni i atij vendi, apo e asaj sofre.
Nuk më bëri ndonjë përshtypje kaq të madhe kjo foto për të qenë kaq shumë e komentuar. Deklaratat, më bënë më shumë përshtypje sesa gjesti, dhe kjo është një çështje me të cilën duhet të merren historianët por edhe editorialistët, për mënyrën sesi u bënë këto deklarata.

Qeveria shqiptare e ka vendosur në programin e saj Turqinë si një vend prioritar strategjik. Turqia është një vend anëtar i NATO-s dhe nëse do të shihet politikisht, një vend shumë i fortë edhe në partneritete ndërkombëtare. Nëse Shqipëria synon të shohë edhe ekonomikisht aspektin e kësaj aleance, kjo nuk më duket se duhet të krijojë një problem. Përkundrazi, mund të jetë një pikënisje shumë pozitive për shumë investime të reja që mund të fillojnë në Shqipëri. Në fund të fundit, aspekti ekonomik i një marrëdhënie mes shtetesh, është po aq i rëndësishëm sa aspekti politik i tij.
Do të isha shumë e shqetësuar nëse kryeministri Edi Rama pa të drejtë u hap rrugën firmave turke vetëm duke u bazuar në parimin e ri të kësaj aleance strategjike.

Kjo, do të minonte në një farë mënyre konkurrencën e ndershme dhe shmangjen e monopoleve. Përsa kohë që kjo nuk ka ndodhur, dhe ne do të jemi këtu për ta parë, nuk ka asgjë të keqe një histori e re dashurie në një botë, që përpiqet të shmangë kufijtë. Mendësia jonë ballkanike, nuk duhet të na pengojë të shohim njëlloj myslimanët, katolikët apo orthodoksit. Qytetaria dhe evropianizmi ynë, duhet të kapërcejë barrierat që na kanë ndarë prej kohësh. Në fund të fundit, për të perifrazuar një shprehje të vjetër popullore “s’mund të jemi ne, më katolikë se Papa”. Por, as ata që të qajmë ditën, e të qeshim natën. Jemi një vend evropian, dhe të tillë duhet të sillemi edhe karshi fqinjëve, apo partnerëve strategjikë.

Shkrimi u publikua sot (26.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier! Qytetarët me flamuj kuq e zi paradë në qendër të qytetit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier! Qytetarët me flamuj kuq e zi paradë në qendër të qytetit