Partia Demokratike hyn këtë të shtunë në një tjetër proces votimi për drejtimin e saj, por pa rivalë në garë dhe me vetëm një emër në fletën e votimit: Sali Berishën. Demokrati që e drejton dhe dominon partinë prej më shumë se 35 vitesh, kërkon një tjetër mandat në një proces të kundërshtuar, ku pesë kandidatë të tjerë u skualifikuan nga gara.

Debati për këtë proces ka kaluar tashmë edhe në SPAK, pas padisë nga aktivistja Evi Kokalari, e cila thotë se në PD nuk po lejohen zgjedhje të lira. Për këtë çështje diskutuan në emisionin “Studio Live” në Report TV, ish-kreu i PD Librazhd, Bujar Vreto dhe avokati Novruz Haderi

Për Bujar Vreton, problemi kryesor është vetë rikthimi i vazhdueshëm i të njëjtës figurë politike në krye të PD-së. Ai e sheh kandidimin e Berishës si shenjë se partia nuk po arrin të prodhojë lidership të ri dhe se demokratët po mbahen peng nga e shkuara politike e partisë.

“Nesër nuk ka zgjedhje. Ka thjesht një riciklim të pariciklueshmes. Kemi 36 vjet me të njëjtin emër, me të njëjtën figurë, që nuk ka çfarë jep më për demokratët dhe Shqipërinë. Unë e shoh si një proces manipulativ për opinionin publik”, tha Vreto.

Sipas tij, vetë statuti i Partisë Demokratike nuk i jep të drejtë Berishës të rikandidojë pas humbjes së zgjedhjeve.

“Berisha propagandon që në shumë vende të botës vetëm një kandidat garon në zgjedhje. Unë mendoj që duhet të jenë disa kandidatë. Neni 46 i Statutit të PD thotë që kryetari që humb zgjedhjet s’ka të drejtë të kandidojë. Ai mendon që s’i ka humbur, por po i njeh zgjedhjet hap pas hapi. Bashkoi votat në parlament për rezolutën me mazhorancën dhe miratuan edhe rregulloren e parlamentit. U shitën shumë lirë. Ai duhet t’i nënshtrohet një për një akuzave që i janë ngritur”, deklaroi Vreto.

Vreto ngriti dhe akuzën morale, që PD po sillet sikur humbja nuk ka ndodhur dhe po vazhdon me të njëjtën formulë politike që, sipas tij, nuk sjell më as frymë dhe as besim te demokratët. Ndërsa avokati Novruz Haderi e zhvendosi fokusin tek dobësia e kundërshtarëve të Berishës brenda partisë. Ndryshe nga Vreto që sulmoI drejtpërdrejt Berishën dhe legjitimitetin e kandidimit të tij, Haderi vendosI përgjegjësi edhe mbi ata që kundërshtojnë Berishën, duke thënë se mungesa e organizimit të tyre po e lë PD-në pa garë dhe pa alternativë të vërtetë politike.

“Anëtarësia duhet të kishte gjetur mekanizmat e duhur për të brëë një presion të fortë sa pakënaqësia të jetë 20% dhe të kenë mundësi të kërkojnë shkarkimin e tij. Problemi nuk është thjesht tek kryetari. Grupi i pakënaqur duhet të shtojë forcën dhe mekanizmat që të arrijnë rezultatin. Të futesh në garë me veten, nuk është proces votimi” tha Haderi.

Edhe metafora që përdori gjatë debatit shkonte pikërisht në këtë drejtim.

 “Nëse dikush të fton në dasmë dhe aty sheh që është mort, nuk përpiqesh ta kthesh mortin në dasmë. Krijon një dasmë tjetër” tha ai.

Diskutimi mes Vretos dhe Haderit dhe analiza e tyre në Report TV nxorri më tej në pah sot Partia Demokratik nuk prodhon garë dhe alternativa por një strukturë që vazhdon të rrotullohet rreth të njëjtit person. 

“Këto zgjedhje janë thjesht për të treguar fuqinë që ka numrat. Ai sillet sikur topi është i tij dhe sillet sikur ka të drejtë ta gjuajë vetëm ai ” tha Haderi duke argumentuar se të gjithë linjat opozitare në PD duhet të krijojnë unitet me njëri tjetrin që të tregojnë se ata janë  opozita e vërtetë dhe jo Berisha.