Kritere dhe kushte të vendosura qartë se kur duhet marrë një masë sigurie arrest me burg, ndryshime në Kodin e Procedurës që përcaktojnë një numër veprash penale për të cilat nuk mund të vendoset paraburgimi si dhe uljen e afateve të paraburgimit. Këto janë propozimet e para të bërë nga ekspertë ndërkombëtarë për të adresuar problematikën me shifrat e paraburgimit në vend.
Në një tryezë të thirrur nga ministri i drejtësisë Besfort Lamallari, Nicola Lettieri, Zëvendësprokuror i Përgjithshëm në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë, tha se në nenin 228 të Kodit duhet të hiqet togfjalëshi “dyshim i arsyeshëm” dhe të zëvendësohet me fjalët që një masë sigurie vendoset kur ka “baza të arsyeshme për prova apo indicie”.
“Një çështje ku jemi përqendruar janë edhe kriteret e arsyetimit ligjor, sepse ajo që kemi dashur të shmanget është që gjyqtari mund të miratojë një masë vetëm duke iu referuar kërkesës që vjen nga prokurori, pa bërë asnjë përpjekje të shohë dosjen dhe për të krijuar opinionin e tij. Ne sugjerojmë dy ndryshime në nenin 245, kur kërkohet paraburgim, gjykata duhet të tregojë arsye specifike përse e konsideron këtë ndalim të përshtatshëm. Nëse kjo nuk bëhet atëherë mund të apelohet në gjykatën e shkallës më të lartë”, tha Nicola Lettieri.
Theo Byl, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Antwerp në Belgjikë sugjeron rishikimin e tipologjisë së veprave penale, për të cilat gjykata mund të vendosi një masë paraburgimi.
“Duhet të vendosim për tipologjinë e çështjeve që nuk do lejojmë të ketë paraburgim, psh për një vjedhje e thjeshtë. Mund të bëhen më pak paraburgime dhe të jetë politika të vendosë që për kategori të caktuara veprash penale gjyqtarët nuk mund të vendosin masë paraburgimi. Në legjislacion mund të përfshihet përpjekja për të kufizuar paraburgimin me ligj”, tha Theo Byl.
Të dy ekspertët veçuan edhe masat alternative më të buta se paraburgimi, ndërsa gjyqtarët duhet ta arsyetojnë me argumente shteruese çdo masë arresti.
Në fjalën e tij, Ministri i Drejtësisë Lamallari tha se situata aktuale me paraburgimin në vend duhet të marrë fund, dhe koha për veprim është tani.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari thotë se Shqipëria është nga vendet me përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë.
Në konferencën me temë “E drejta për liri dhe siguri personale-nga Strasburgu te zbatimi në nivel kombëtar”, Lamallari u shpreh se gjysma e të personave që ndodhen në paraburgim, nuk kanë vendim të formës së prerë.
"Të dhënat flasin qartë: përdorimi i tepruar i masës së paraburgimit nuk është vetëm një problem statistikor, por një problem thelbësor i të drejtave të njeriut, i prezumimit të pafajësisë dhe i proporcionalitetit të ndërhyrjes së shtetit. Për fat të keq, Shqipëria vazhdon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë. Aktualisht, rreth 58% e personave në institucionet penitenciare janë të paraburgosur dhe kohëzgjatja mesatare e qëndrimit të tyre në paraburgim llogaritet në 253 ditë, krahasuar me 155 ditë në vendet evropiane, apo 63% më e lartë! Pra, mbi gjysma e personave që ndodhen në burgjet tona janë ende pa një vendim të formës së prerë, për më tepër, për një kohë shumë herë më të gjatë se ajo e zbatueshme në vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, në Bashkimin Evropian mesatarisht vetëm 1 në çdo 5 persona në sistemin penitenciar është i paraburgosur", tha ministri Lamallari.
Sipas tij, Kodi i Ri Penal do duhet të reflektojë marzhet e dënimit të zbatueshme në BE për të njëjtat vepra penale.
Ministri shtoi se edhe Kodi i Procedurës Penale duhet ndryshuar, sipas standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe se duhet të ndahemi nga politika e ashpër penale.
"Tema e kësaj konference na fton të bëjmë pikërisht këtë, dhe koha më e mirë është tani: Kodi i Ri Penal do duhet të reflektojë marzhet e dënimit të zbatueshme në Bashkimin Evropian për të njëjtat vepra penale; Kodi i Procedurës Penale, do duhet ndryshuar për të garantuar qartë dhe pa ekuivok të njëjtat garanci procedurale për lirinë dhe sigurinë e personit, sipas standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut", deklaroi Ministri i Drejtësisë.
Lamallari theksoi se bashkëpunimi me Këshillin e Evropës dhe partnerët ndërkombëtarë është thelbësor në këtë rrugë.
Komente












