Qeveria respekton vendimin e gjykatave dhe nuk ndërhyn në konfliktet civile tha zv.kryeministrja Albana Koçiu në parlament për çështjen e ndërtimit të resortit luksoz të botuesit Bashkim Ulaj në Rrjoll. Teksa iu përgjigj në interpelancë deputetëve të Partisë Mundësia, që kërkuan sqarime mbi pretendimet e banorëve se Bashkim Ulaj u ka grabitur pronën, numri dy i qeverisë tha se pretendimit të tyre i jep përgjigje vetëm drejtësia.
“Çështje që meriton seriozitet, prek disa aspekte, për këtë arsye nuk do e përdor këtë foltore për të hedhur baltë, nuk i shërben seriozitetit të seancës. Është shumë e lehë të krijosh zhurmë, të bësh akuza. Është e rëndësishme të mos ngatërrojmë dy çështje të ndryshme: politika e zhvillimit ekonomik dhe turistik të vendit, e dyta pretendimet e individëve për pronën. Qeveria nuk mund të zëvendësojë gjykatën, nuk merr rolin e prokurorit apo gjykatësit. Koha kur politika vendose me telefon ka marrë fund. Sot Shqipëria funksionon me institucione. Çdo qytetar që pretendon të drejtën e pronës, mund t’u drejtohet institucioneve.
Nëse sot dikush mendon se zgjidhja është që qeveria të dalë e të vendosë kujt i takon prona, do të ishte kthim pas. Procedurat janë ndjekur në përputhje me legjislacionin, çdo hallkë është trajtuar në përputhje me të. Është njohur e gjithë procedura përmes vendimeve të gjykatave. Në një shtet demokratik, vendimet e gjykatave respektohen edhe kur ka debat.
Dua të ndalem edhe te një element tjetër që në këtë debat ironizohet, zhvillimi ekonomik i Shqipërisë. Për dekada të tjera, potenciali turistik e ekonomik ka mbetur i pashfrytëzuar. Për vite me radhë kemi dëgjuar se veriu duhet të zhvillohet, por sa herë ngrihet një projekt zhvillimi, ngrihet e njëjta kundërshti. Rrjolli, Velipoja kanë potencial të jashtëzakonshëm ekonomik. Detyra jonë është që ky potencial të kthehet në ekonomi, mundësi për të rinjtë.
Shqipëria nuk duhet të zgjedhë midis zhvillimit dhe ligjit, duhet të ecë paralelisht. Shqipëria duhet të garantojë zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e pronës private dhe zbatimin e ligjit. Territori është i mbrojtur nga konventa, por ajo nuk parashikon ndalim absolut të zhvillimit, kërkon që të jetë i njehsuar me standardet mjedisore. Sa u përket pretendimeve, Policia e Shtetit ka qenë në terren, ka pasur tension, përplasje, ndërhyrja e policisë ka bërë të mundur që situata të mos dalë jashtë kontrollit dhe për këtë meriton respekt e mbështetje. Qytetarët duhet t’i ndjekin pretendimet në rrugë institucionale, askush nuk fiton nga tensioni e përplasja”, tha Koçiu.
Lajmi kryesor:
Rritja e çmimeve/ Bozdo: Qeveria asnjë masë, 45% e fëmijëve në varfëri! Ibrahimaj: Kemi vepruar për shmangien e abuzimeve dhe panikut











