TIRANË- Partia Socialiste është kundër propozimit të demokratëve, që komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme të ndahet në dy komisione siç ka qenë para vitit 2025. Në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, kreu i grupit të PS, Taulant Balla tha se i qëndrojnë ndarjes me 11 komisione, duke kundërshtuar propozimin e PD që të ketë Komision për Çështjet Evropiane dhe Komision për Punët e Jashtme.
“Ne duam 11 komisione. Në këtë fazë ne mbetemi tek kjo ndarje aktuale”, tha Balla në mbledhje.
Pavarësisht kësaj, socialistët u shprehën të gatshëm për të arritur konsensus në disa pika, si ajo për kohën e fjalës së ligjvënësve.
“Duhet të bëjmë të gjitha palët përpjekjet për të arritur konsensusin. Të gjithë duhet të tërhiqemi nga disa pozicione për të gjetur një të mesme”, tha Balla.
Opozita kërkon të hiqet propozimi i PS që shkurton kohën për fjalën e deputetëve nga 10 në 5 minuta. Taulant Balla bëri një hap pas dhe ofroi që koha e deputetëve të shkojë në 7 minuta.
Propozimi i PD për anëtarë të barabartë në Sekretariatin e Etikës, përmes së cilit synon t’i vë fre përjashtimeve, nuk u mirëprit nga mazhoranca.
“Propozimi i PD për sekretariatin e etikes 3 me 3 fut Kuvendin në një bllokim institucional”, tha Balla.
Por, dritë jeshile iu dha një tjetër propozimi të demokratëve që në rast se deputetët që përjashtohen ankimojnë vendimin e Sekretariatit të Etikës, ai nuk futet në fuqi derisa të shprehet Byroja e Kuvendit.
Një tjetër pikë që bashkoi palët ishte çështja e shqyrtimit të projektligjeve për integrimin. PS propozonte që të gjitha aktet që kanë të bëjnë me procesin e negociatave të kalojnë me shpejtësi, ndërsa PD ishte kundër. Ishte një propozim i Niko Peleshit që bashkoi palët, të cilat u dakorduan që me shpejtësi të kalojnë vetëm ato pr.ligje “që synojnë përafrimin e legjislacionit, marrëveshjet që lidhen me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe/ose detyrimeve që dalin nga procesi i negociatave të anëtarësimit, kur shqyrtimi i tyre është i nevojshëm për respektimin e afateve që rrjedhin nga procesi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”.
Palët nuk kanë gjetur dakordësinë për raportimin e institucioneve të pavarura, për të cilët PS kërkon të mos raportojnë më në Kuvend dhe në komisionet përgjegjëse por vetëm tek Komisioni i ashtuquajtur “Xhafa”. PD kërkon që ata të vijojnë të raportojnë në seancë plenare, pasi sipas Gazment Bardhit kjo parashikohet në Kushtetutë.
Balla: Ne kemi krijuar komisionin për nismat qytetare për te kontrolluar institucionet dhe si mund t’ia heqim raportimin? Në Bundestag nuk raporton askush. Ata do raportojnë tek komisioni përgjegjës dhe më pas për rezolutën tek Nismat qytetare
Bardhi: Raportimin në seancë plenare ne e kemi në Kushtetutë jo me rregullore ndaj nuk mund të hiqet
Mes palëve nuk u arrit konsensusi as për një propozim të demokratëve që në kryetari i Kuvendit të mos kalojë në votim rendin e ditës në rast se ka kaos, por ta shtyjë për ta diskutuar një ditë tjetër.
Komente











