Emri i Shyqyri Coku është kthyer në emrin më të debatuar të politikës dhe medias ditët e fundit.

Dekorimi i Shyqyri Cokut është kthyer në një “mollë sherri” për politikën në vend, pasi ai ka rezultuar se ka dhunuar At Zef Pëllumbit. Kryeministri i vendit ka publikuar edhe dokumentin që fakton se ai ka përfituar nga ligji i miratuar nga qeverisja e Partisë Demokratike.
 
Madje emri i tij u bë mollë sherri mes Ramës dhe Berishës se nga cili ligj përfitoi Shyqyri Coku statusin e veteranit , nga ligji i demokratëve apo nga ligji i socialisteve.
 
Kryeministri Rama publikoi dje dokumentin që tregonte se Shyqyri Coku e kishte përfituar statusin e veteranit duke u bazuar në ligjin nr 7874 te 17.11.1994 .
 
“Lista qe po shikoni tregon mjaft qartë emrin e Shyqyri Adem Cokut në listën e veteranëve që përfitojnë statusin sipas ligjit në fjalë. Shkresa e ministrisë së Mbrojtjes daton në 16 maj të vitit 1996 dhe tregon qartë se Shyqyri Coku e ka përfituar statusin e veteranit në kohën e qeverisjes së presidentit Sali Berisha. Ndërkaq ish-presidenti Berisha në seancen e sotme plenare iu referua faktit se ligji për statusin e veteranit është ndryshuar qëllimisht nga socialistët në vitit 1999 duke aluduar se ndryshimi i nenit 6 të ligjit të vitit 1994 i ka krijuar mundësi xhelatëve si Shyqyri Coku të përfitojnë nga statusi i veteranit. Por nëse i hedhim një shikim nenit 6 të ligjit të vitit 1994 me nenin 6 në vitin 1999 është e vërtetë se ka një ndryshim të rëndeishëm por ky ndryshim nuk ka lidhje fare statusin e veteranit coku i kishte përfituar nga ligji i 1994 dhe jo nga ligji i vitit 1999.

Neni 6 I vitit 1994 shprehet 

Statusin e veteranit nuk e gëzojnë personat që janë dënuar ose dënohen me vendim të gjykatës për krime kundër lirisë dhe pavarësisë së Atdheut dhe kriminelë në luftën genocide të klasave në regjimin totalitar.

Ndersa ne vitin 1999 neni 6 thekson se 
"Statusi i veteranit nuk u njihet ose u hiqet personave që janë dënuar ose dënohen me vendim gjykate të formës se prerë, për krime lufte, për bashkëpunim me pushtuesit nazifashistë ose për veprimtari agjenturore kundër interesave te atdheut."

Pra siç shihet, ndryshimi qendron tek pjesa e fundit e nenit 6 që ka hequr frazën kriminelë në luftën genocide të klasave në regjimin totalitar.

Por nga ana tjetër është po aq e vërtetë qe Shyqyri Coku e ka fituar statusin me ligjin e vitit 1994 dhe nuk ka lidhje me ligjin 1999 i cili as ia hoqi dhe as ia shtoi statusin e veteranit të luftës.
 

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)