TIRANE-Kryebashkiaku Erion Veliaj u ka kthyer sot sërish një përgjigje Presidentit Ilir Meta dhe opozitës lidhur me Teatrin Kombëtar pas debatit për kalimin e pronësisë duke deklaruar se duan apo nuk duan, ata që ai i cilësoi si minoracë e zhurmshme, godina e re do të ndërtohet.

Në shtëpitë e vjetra, që u rrënuan, kishim nostalgji, kujtime, histori. Megjithatë, vjen një moment ku shtëpia e vjetër nuk mban më ose prej amortizimit, ose prej tërmetit. Lind nevoja për t’i thënë lamtumirë një projekti 100-vjeçar dhe për t’i thënë mirë se erdhe një projekti të ri, që do jetë për 100 apo 200 vitet e ardhshme. Por, kemi shtëpi të re, çerdhe, kopshte, shkolla, parqe, shesh, Pazar, Kala, Unazë të re, do të kemi edhe një Teatër të ri.

I gjithë qyteti po transformohet dhe rinovohet; po bëjmë kaq shumë projekte të reja saqë është dekurajuese kur ke një minorancë që bën zhurmë dhe bllokon çdo projekt. Gjithsesi, do ecim përpara. Mezi pres që në këtë 100-vjetor të Tiranës, të fillojmë jo vetëm ndërtimin e të gjitha shtëpive të reja, por edhe projektet që kanë vite që mbahen peng, të marrin udhë, që të mbahemi mend për mirë”, u shpreh Veliaj.

Deklaratën Veliaj e bëri nga Ndroqi, ku i dhuroi çelësat e shtëpisë së re një familje, banesa e së cilës ishte dëmtuar nga tërmeti i 21 shtatorit. Erion Veliaj tha se është gati nisja e fazës së dytë për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ishim këtu pak ditë pas tërmetit të shtatorit, për të parë në terren sesa ishin dëmtuar shtëpitë. Ka qenë një ditë e zymtë, por sot jemi në një ditë krejt tjetër. Me këtë shtëpi kemi kryer pothuajse të gjitha shtëpitë e tërmetit të shtatorit dhe jemi gati për fazën e dytë, të cilën po e drejton Kryeministri, për të bërë jo 50, por 15-fishin e këtyre shtëpive”, u shpreh Veliaj. Ai siguroi se ashtu sikurse u ndërtuan të gjitha banesat e dëmtuara nga tërmeti i shtatorit, do të përfundojë edhe rindërtimi i më shumë se 800 banesave të reja të prekura nga tërmeti i dytë. “Kemi nevojë për pak durim. Kush dyshon nëse do t’i shkojmë deri në fund kësaj historie, mjafton të shohë si ishte kjo shtëpi, si u bë dhe si e mbajmë fjalën”, tha Veliaj.