Ish-ministri i Emigracionit në qeveritë konservatore britanike, Robert Jenrick, është përjashtuar nga të gjitha funksionet drejtuese brenda Partisë Konservatore dhe ka dhënë dorëheqjen edhe nga vetë partia, në një tjetër zhvillim tronditës për opozitën britanike pas humbjes së thellë ndaj Laburistëve në zgjedhjet e vitit 2024.
Jenrick ishte pjesë e kabinetit hije të konservatorëve, me përgjegjësi për çështjet e Drejtësisë, dhe njihej për qëndrimet e tij jashtëzakonisht të ashpra kundër emigrantëve dhe të huajve në Britani, veçanërisht ndaj shqiptarëve. Ai mbahet mend edhe për një video që u bë virale, ku u bënte thirrje oficerëve të emigracionit të “kapnin shqiptarët kudo që ndodheshin” dhe t’i deportonin drejt vendit të origjinës.
Qëndrime të forta kishte mbajtur edhe ndaj politikës së dërgimit të azilkërkuesve në Ruandë. Në kohën e kryeministrit Rishi Sunak, teksa ndiente se humbja elektorale ishte e pashmangshme, Jenrick dha dorëheqjen edhe nga posti i ministrit në Home Office, duke u distancuar nga linja zyrtare e qeverisë.
Karriera politike e Jenrick është karakterizuar nga lëvizje të forta ideologjike: nga një politikan i njohur fillimisht si kundër Brexit-it, njësoj si Boris Johnson, ai kaloi gradualisht drejt qëndrimeve gjithnjë e më ekstreme, veçanërisht në fushën e emigracionit. Kjo qasje është përdorur nga kryeministri laburist Keir Starmer, i cili e ka cilësuar largimin e tij si “ikje nga një anije që po mbytet”, duke iu referuar gjendjes së rëndë të Partisë Konservatore në opozitë.
Konservatorët po përjetojnë një hemorragji të vazhdueshme largimesh, me deputetë dhe figura të larta që po kalojnë drejt Partisë Reforma të Nigel Farage. Shumë prej tyre konsiderohen si përgjegjës për keqqeverisjen e 15 viteve të sundimit të qendrës së djathtë konservatore.
Mbetet e paqartë nëse Nigel Farage do ta mirëpresë zyrtarisht Jenrick në radhët e Partisë Reforma, me të cilën ish-ministri ka flirtuar prej kohësh. Megjithatë, gjasat për një bashkim duken të larta, pasi retorika e Jenrick për emigracionin është e ngjashme, në mos edhe më e ashpër, se ajo e vetë Farage. Emigracioni pritet të jetë një nga temat kyçe të betejës së ardhshme politike të Partisë Reforma, në rrugën drejt Downing Street, në një kohë kur britanikët shfaqin lodhje të thellë nga krizat dhe dramat politike, veçanërisht nga konservatorët.
Fakt është se largimi i Jenrick, i konsideruar si një rival serioz për postin e kreut të opozitës, dobëson ndjeshëm retorikën anti-emigracion të Partisë Konservatore dhe, në të njëjtën kohë, forcon diskursin ksenofob të Partisë Reforma. Kjo e fundit synon të përthithë sa më shumë votues nga opozita tradicionale, e cila po dobësohet dita-ditës, ndërsa vota e së djathtës britanike vazhdon të copëzohet.
Komente











