Moti i keq/ Në Qarkun Korçë pa drita dhjetëra fshatra, 7 të tjerë të izoluar! Bie niveli i Vjosës, tokat bujqësore nën ujë, shtëpitë 'nën pushtetin' e baltës! Banorët: Duam ndihmë, jo lëmoshë (VIDEO)

TIRANË- Pasoja nga reshjet e dendura të shiut dhe të dëborës janë të mëdha! Shtëpitë në Fier janë 'nën pushtetin' e baltës, e ndërsa dhjetëra hektarë tokë bujqësore janë nën ujë.

Ndërkohë, në qarkun e Korçës, bora në dardhë ka shkuar në 70 cm, ndërsa në Voskopojë 30 cm. Si pasojë e reshjeve të dendura, disa fshatra kanë mbetur të izoluar, për shkak se infrastruktura është e vështirë dhe e bën pothuajse të pamundur ndërhyrjen. Disa fshatra të tjerë, kanë mbetur pa energji elektrike në këtë qark.

Prezencë të dëborës ka pasur edhe në Malësinë e Krujës, e ndërsa Zona e Qafështamës prej 2 ditësh pa energji elektrike.  Lajmi i mirë është se ka rënë niveli i Vjosës ka rënë në 6.3, teksa 1 ditë më parë kishte arritur pikën kritike në 7.3. Vlora ka qenë qarku më i prekur nga përmbytjet ku Vjosa doli nga shtati duke përmbytur 7 banesa, ndërsa u evakuuan 30 familje. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:56
Moti i keq në vend, Vermoshi dhe Lëpusha rreth 16 ditë pa furnizim me energji elektrike

Dy fshatra turistike në veri të vendit, Vermoshi dhe Lëpusha kanë mbetur  për shkak të motit të keq rreth 16 ditë pa furnizim me energji elektrike.

Kryeplaku i Kelmendit Prek Vata për Report Tv tha se janë  140 familje dhe rreth 700 banorë në errësirë. Mësohet se trashësia e dëborës arrin nga 50-80 cm.

Ora 13:04
Rama inspekton grykëderdhjen e Vjosës: Falë investimeve, situata më mirë se vitet e kaluara

 

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar zonën pranë grykëderdhjes së lumit Vjosa, që pas daljes nga shtrati shkaktoi dëme të konsiderueshme në disa banesa. Kreu i qeverisë u shpreh se falë investimeve të bëra me kanalizimet dhe punës që u bë në 72 orët e fundit, situata ka kaluar më së miri krahasuar me vitet e kaluara.

"Me këtë prurje para disa vitesh uji vinte në qendrën e Fierit. Darzeza që ishte historikisht nën ujë, sot s'është prekur fare. Duhet të marrim masa çfarë duhet përmirësuar akoma që gjërat të vihen në vijë. Rezultati i mirë, por duhet të merremi me urën. Duhet bërë një projekt për të kuptuar çfarë ndërhyrjesh duhen bërë. Me gjithë këtë volum reshjesh është për tu përgëzuar puna e të gjithëve. Për ata në Ferras duhet të gjejmë një mënyrë, banesa sociale. Se s'ka argjinaturë e digë që të mbron."-tha kryeministri Edi Rama.

 

Video e plotë e Ramës duke inspektuar zonën pranë grykëderdhjes së lumit Vjosa
Ora 11:40
Moti i keq/ Kreu i Emergjencave Civile në Fier: Dëme në shumë shtëpi, grupet e punës në terren! 150 ha tokë bujqësore nën ujë

 

Drejtori i Emergjencave Civile në Fier, Maksim Zaka, deklaroi se aktualisht janë 150 hektarë tokë bujqësore që janë nën ujë. Ai theksoi se ka edhe shtëpi të cilave iu është futur uji në oborr, ndërsa në disa prej tyre edhe në katin e parë. Sakaq, ai theksoi se janë ngritur disa grupe pune të cilat kanë dalë në terren për të bërë një bilanc të dëmeve të shkaktuara nga moti i keq.

"Aktualisht me porosi dhe urdhër të kryetarit të bashkisë ka dalë një urdhër i cili u krijuan komisionet për evidentimin në terren të dëmeve të mundshme. Komisionet janë në terren dhe mund të them sa janë dëmet e mundshme. Ka shumë shtëpi që është futur uji në oborr, por mund të jetë futur edhe në katin e parë, për atë jemi, që t'i evidentojmë me saktësi dhe t'ju vijmë në ndihmë banorëve. Tokat bujqësore që janë jashtë shtratit pothuajse po kullojnë, problem janë tokat bujqësore që janë në shtratin e lumit, aktualisht nën mbulesën e ujit, rreth 150 hektarë."-tha Zaka për Report Tv.

Ora 10:54
Moti i keq, stabilizohet situata në Lezhë! 100 ha tokë të përmbytura, niveli i ujit në rënie! Rrugët nacionale të kalueshme pa probleme

 

Reshjet e dendura të shiut ditët e fundit kanë shkaktuar problematika në disa zona të vendit, ndërsa situata në Lezhë paraqitet e qetë. Niveli i ujërave në shtretërit e lumenjve dhe sistemin kullues është në kuotat normale. Hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë. Në kënetën e Kakarriqit, njësia administrative Balldre, Bashkia Lezhë, janë rreth 100 ha tokë me prezencë të ujit, por në rënie. Rezervuarët janë në monitorim ndërsa rrugët nacionale, rurale dhe bashkiake, janë të kalueshme pa problem, ndërsa furnizimi me energji elektrike po mbahet nën kontroll.

 

Ora 10:06
Banorët e përmbytur në fshatin Ferras: Uji në shtëpi na u fut nga dritarja, fjeta në makinë mbi urën e Mifolit! Shteti s'na ndihmon

Reshjet e denura të shiut gjatë dy ditëve të fundit kanë shkaktuar shumë problematika, kryesisht në Vlorë e Fier. Edhe pse sot situata u përmirësua dhe niveli i Vjosës ka rënë, në fshatin Ferras të Fierit disa banorë banorë bëjnë thirrje për ndihmë. Ato shprehen se uji në banesën e tyre ka kaluar nivelin mbi 1 metër. Më tej ata deklarojnë se sot nuk kanë parë askënd që të shkojë për ndihmë, ndërsa shtojnë se gjithçka iu është shkatërruar. Sakaq, ata deklaruan se shteti nuk i ka ndihmuar.

“Situata shumë e vështirë. Është mbushur plot, brenda afërsisht 1 metër e gjysëm uji. Elektroshtëpiaket nuk bëhen më. Edhe portën që kam bërë e kaloi nga lart. Kam fjetur lart në makinë, mbi urën e Mifolit. Të gjitha dëme janë. S'kemi rroba për të fjetur sonte. Të gjitha gjërat janë prishur. Uji është akoma brenda. Kaloi uji nga lart e nga poshtë. Që mos t'ju bie në qafë atyre, dje e pardje ishin, sot nuk shikoj asnjeri, kam kërkuar ndihmë. Kush na shikon, të na ndihmojë, jo për lëmoshë, por për ndihmë"-thotë një banor.

"Ku do vijë ai të flejë? I kemi çuar te njerëzit e nuses, dhoma e tij ka dalë jashtë përdorimit. Se mos e dimë ne me vlerë sa dëme janë. Neve jemi përmbytur kushedi sa herë, shteti na ka dhënë vetëm një herë një këst. Ju ka dhënë atyre që s'janë përmbytur dhe ne që jemi përmbytur s'kemi marrë. Shteti dërgon plot, por hanë ata që s'mbyten. Jemi të parët që na zë uji. Shteti nuk ka vënë dorë për neve që kemi një të sëmurë, tetraplegjik. E ngritëm në krah që e çuam në Levan."-shprehet një banore.

"Çdo gjë e shkatërruar, nuk e di çfarë zgjidhje do bëhet. Kemi nevojë për shumë gjëra. Uji në shtëpi ka shkuar 1 metër e 20 cm. Ka hyrë uji nga dritarja. Ikëm u larguam ku gjetëm vend."-tha një tjetër.

Ora 09:35
Përmirësohet situata në Elbasan! Aksi nacional Librazhd-Steblevë kalohet pa zinxhirë! Disa zona pa energji elektrike

1639384522_79048470df944787b48f94394f038a77.jpg

Prurjet e lumenjve dhe përrenjve janë ulur në Elbasan. Report Tv mëson se nuk ka sipërfaqe toke të përmbytura nga uji si pasojë e reshjeve në ditët e fundit. Akset rrugore mësohet se janë të hapura pa problematika. Në aksin nacional Librazhd-Steblevë segmenti Librazhd-K/Borovës qarkullimi bëhet pa zinxhirë ndërsa në K/Borovës-Klenjë qarkullimi kryhet me zinxhirë. Ndër të tjera mësohet se disa kabina janë pa energji elektrike si në njësinë administrative Orenjë, Lunik në Librazhd e një kabinë në Prrenjas dhe një kabinë që furnizon fshatin Benë në Labinot Mal.

Ora 09:35
Hiqet bora, rruga e Arbrit lehtësisht e kalueshme edhe pa zinxhir

Rruga e Arbrit, pjesa e Bypasit është lehtësisht e kalueshme. Borëpastruese kanë arritur që të heqin të gjithë dëborën, duke bërë që ajo të jetë lehtësisht e kalueshme edhe pa zinxhir.

Ora 09:33
Moti i keq, stabilizohet situata në Shkodër, bie niveli i Drinit dhe Bunës! Pa drita zona e Lëpushës dhe Vermoshit

Teksa reshjet e shiut dhe dëborës kanë pushuar, është normalizuar situata edhe në Shkodër. Bëhet me dije se në zonat malore, në akset ku kishte prezencë të ngricave është kryer pastrimi i tyre si dhe është hedhur kripë. Niveli i ujit në lumin Drin dhe Buna janë ulur dhe nuk përbëjnë rrezik. Ndërkohë problem mbetet furnizimi me energji elektrike, ku ende zona e Lëpushës dhe Vermoshit janë pa drita dhe nuk dihet se kur mund të rikthehet rryma.

Ora 09:26
Vjosa ‘tërhiqet’ nga 11 banesat, prezente në tokat bujqësore, niveli i ujit shkon në 6.3 metra

 

Orët e makthit dhe rrezikut kanë marrë fund për 11 familjet me banesa pranë lumit të Vjosës, ujërat e së cilës janë tërhequr dhe kanë rënë në 6.3 metra.

Mbrëmjen e djeshme situata ishte alarmante për shkak se niveli i ujit kishte ishte 7.6 metra, duke kaluar në këtë mënyrë edhe pikën kritike të saj. Por mëngjesin e sotëm gjithçka është drejt normalizimit.

Megjithëse Vjosa është tërhequr nga 11 banesat uji vijon të jetë prezent në tokat bujqësore.

Situata ditët e fundit ka qenë e rënduar në të gjithë vendin për shkak të reshjeve të dendura dhe pa pushim.

1639384055_65f5320adc534a9684fa3f60473b4ae3.jpg

Ora 09:23
Deri në 25 centimetra trashësi, malësia e Krujës mbulohet nga dëbora! Zona e Qafështamës prej 2 ditësh pa energji elektrike

 

Dëbora ka shtruar 'mantelin' e saj të bardhë në Malësinë e Krujës dhe duket se nuk ka ndërmend të largohet deri në pranverë.

Reshjet e rëna gjatë 48 orëve të fundit kanë qenë mjaft intensive duke bërë që në lartësinë 1700 metra trashësia e dëborës të shkojë deri në 25 centimetra.  Bëhet me dije se të gjitha rrugët janë të kalueshme, përveç pjesës së kampit të punëtorëve që ndodhet në majën e malit të Qafështamës. Ndërkohë, prej dy ditësh zona e Qafështamës ndodhet pa energji elektrike.

 

Ora 08:59
Bora në Dardhë deri në 70 cm! Në Qarkun Korçë pa drita dhjetëra fshatra, 7 të tjera të izoluara

Gjatë natës reshjet në qarkun e Korçës kanë qenë të pakta, por trashësia e dëborës nga 3 ditët e fundit, në Dardhë ka shkuar në 70 cm, e ndërsa në Voskopojë 30 cm.

Si pasojë e temperaturave të ulëta në disa minus gradë janë krijuar edhe akuj në rrugë, kështu segmenti Boboshticë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Ersekë, Ersekë-Leskovik, Pogradec-Qafë Thanë mësohet se kanë nevojë për kriposje, grupet e punës me mjetet e tyre ndodhen në terren për të bërë të mundur kriposjen e akseve të lartpërmendura në mënyrë që të krijojnë për drejtuesit e mjeteve lehtësira.

Gjatë paradites në segmentin e Dardhës mjetet e vogla duhet të jenë të pajisura me zinxhirë. Vijojnë në ditën e tretë pa energji dhjetra fshatra në Devoll, Maliq dhe Pogradec. Të izoluara fshati Lekas në Voskopojë, Panariti në Vithkuq dhe 4 fshatra në njësinë Dardhas pasi akset rurale për shkak të mungesës së infrastrukturës janë shumë të vështira për t'u pastruar.

Ora 08:57
Tokat bujqësore në Fier nën ujë, shtëpitë 'nën pushtetin' e baltës

Në Levan të Fierit, për fatin e mirë ka rënë niveli i prirjeve nga lumi Vjosë duke bërë që situata të normalizohet, megjithatë dhjetëra hektarë sipërfaqe të tokave bujqësore janë ende nën ujë.  Uji është tërhequr nga banesat, por ato po përballen me prezencën e baltës duke bërë që familjarët të zhvendosen tek të afërmit e tyre. Nga ana tjetër, rruga nacionale Levan-Mifol, e cila dje ishte e pakalueshme sot mësohet se është hapur për qarkullim.

Ora 07:01
Temperatura deri në -7°C/ Kohë e kthjellët, por me ngrica në zonat malore! Moti për sot

1639375711_8000motineser1.jpg

Sipas MeteoAlb: Depërtimi i masave ajrore të ftohta por të qëndrueshme nga Europa Veriore do të diktojnë në vendin tonë mot me kthjellime por me ngrica në zonat malore, vranësirat do të jenë prezente por reshje dëbore do ketë vetëm në zonat të izoluara të juglindjes. Parashikohet që pasditja dhe mbrëmja të jenë nën mbizotërimin e kthjellimeve.

Temperaturat e ajrit ulen sërish ndjeshëm në mëngjes por rritje të lehtë sjell mesdita duke bërë që minimumi dhe maksimumi të luhaten nga -7°C deri në 11 °C.

Era do të fryjë mesatare duke arritur shpejtësi 50 km/h nga drejtimi Verior-Verilindor duke krijuar në brigjet detare dallgë mbi 4 ballë.

Rajoni dhe Europa
Mot i kthjellët por me temperatura relativisht të ulëta dominon gjithë Europën Juglindore. Po ashtu me kthjellime mbetet Qendra dhe Europa Jugperëndimore. Ndërsa stuhi ere dhe shtrëngata shiu do kenë Brigjet e Detit të ZI, gjithashtu me reshje dëbore do të paraqitet gjithë Europa Lindore dhe Vendet Skandinave.

/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Mandarina me pesticide nga Shqipëria, Ministria e Bujqësisë: 3 ngarkesa u kthyen mbrapsht! Një u asgjësua, tjetra u bllokua, e treta s'ka mbërritur

Mandarina me pesticide nga Shqipëria, Ministria e Bujqësisë: 3 ngarkesa u kthyen mbrapsht! Një u asgjësua, tjetra u bllokua, e treta s'ka mbërritur