Dëbora që ka rënë në javën e fundit ka bllokuar disa zona në veri dhe verilindje të vendit. Ndër zonat që kanë më shumë probleme është Dukagjini, i izoluar prej 5 ditësh. Sot nga kjo zonë u shpëtuan me helikopter 15 persona, mes tyre disa mësues (lexo këtu). Por Nard Kolia, njëri nga banorët e Dukagjinit në një lidhje telefonike për Report Tv i bëri apel shtetit që të hapë rrugën sa më shpjet, pasi janë 400 familje të bllokuara.

“Ndihma nuk ka, rruga është e bllokuar, edhe me energjinë kemi pasur probleme. I bëjmë apel shtetit që të ndërhyjë për të hapur rrugë. Se bëhet fjalë për 400 familje, nuk po bëhet fjalë më për turizëm, por hapjen e rrugës për njerëzit. Të ndërhyjnë urgjentisht për hapjen e rrugës. Mos i lënë mjetet të pushojnë, por të punojnë ditën dhe natën, pasi emergjencat nuk mund të parashikohen. Sot ministria dërgoi një helikopter, ne menduam se erdhi për ndihma.

Unë i bëj thirrje sa më shpejt të vijnë të hapin rrugën, pasi njerëzit mund të vdesin nga ftohti, uria apo mungesë ilaçesh. Mos e lënë të bllokuar Dukagjinin. Ka pesë ditë që nuk qarkullon asnjë mjet. Helikopteri erdhi mori mësuesit, por fëmijët kush do i mësojë” deklaroi ai për Report Tv. Kryebashkiaku i Malësisë së Madhe u shpreh se aktualisht është e pamundur hapja e rrugës, pasi dëbora ka arritur 2 metra (lexo këtu).