KUKES - Reshjet e dendura të dëborës të cilat janë rikthyer në Qarkun e Kuksit kanë sjellë sërish izolimin e disa zonave të thella ndërsa shumë zona të tjera kanë mbetur pa energji elektrike.

Kështu, sipas informacioneve të marra pranë Shtabit të Emergjencave bëhet e ditur se trashësia e borës në qytetet e qarkut Kukës është 10-15 cm, ndërsa në lartësitë mbi 500-700 m trashësia e borës 30-60 cm.
 

Akset rrugore Qarku Kukës
Ndërkohë akset rrugore nacionale kryesore si Autostrada e Kombit është e qarkullueshme pa zinxhirë, ndonëse trashësia e borës arrin në 50cm tek Tuneli. Për ta mbajtur të hapur kanë punuar gjatë gjithë kohës 6 borëpastruese. Aksi Domaj-Drajreç është pjesërisht i  qarkullueshëm me zinxhirë dhe po punojnë 2 mjete. Në aksin Domaj-Bushtricë rruga është e qarkullueshme pa zinxhirë. Kukës-Ura e Zapodit është e qarkullueshme pjesërisht me zinxhirë, dhe punohet  nga 1 mjet borëpastrues për të mbajtur rrugën të hapur. Kukës-Qafë-Shllak është i qarkullueshëm pa zinxhirë. Kukës-Krumë është e qarkullueshme pa zinxhirë. Bajram Curri-Valbonë e qarkullueshme pa zinxhirë. Aksi B.Curri-Qafë-Morinë, qarkullimi bëhet pa zinxhirë. Aksi Bajram Curri-Kam e qarkullueshme pa zinxhirë.
Problem për qarkullimin mbetet aksi nacional Aeroport-Domaj me gjatësi 12 km, pasi nuk është vepruar për pastrimin nga bora.
 
Sa i takon komunave, qarkullojnë me zinxhirë qëndrat e komunave Surroj, Zapod, Topojan, Malzi. Ndërsa qëndrat e komunave Grykë-Çaj, Kalisë e Arrën janë të bllokuara. Në rrethin e Hasit janë të qarkullueshme të gjitha akset që lidhin qëndrat e komunave. Në rrethin e Tropojës me përjashtim të komunës Lekbibaj e cila është e bllokuar si pasojë e rrëshqitjes se masiveve të mëdha të dherave akset e tjera janë të qarkullueshme.
 
Situata e energjisë elektrike
Lidhur me energjinë elektrike: Në Qarkun e Kukësit janë pa energji elektrike disa lagje të qytetit të Kukësit, komunat: Tërthore, Shishtavec, Topojan, Zapod, Surroj, Malzi, Bushtricë, Kalisë e Grykë–Çajë. Rrethi i Hasit nuk ka energji për shkak të defektit në nënstacionin PLA-Krumë. Pa energji në rrethin e Tropojës është komuna Lekbibaj dhe një pjesë e fshatrave të komunës Fierzë.
 
Redaksia online
(F.M/Shqiptarja.com)