Dedin Suli, koreografi që po 
rindërton historinë e baletit 

Dedin Suli, koreografi që po <br />rindërton historinë e baletit 
Ishte viti 1950 kur Filarmonia Shqiptare hapi dyert për valltarët, balerinët, këngëtarët e parë, apo siç i ka quajtur vite më vonë Dedin Suli në një nga veprat e tij. Ishin “dallëndyshet e para që ndër vite i dhanë temp skenës shqiptare e më pas edhe asaj të huaj, ku bashkë me hapat hodhën firmat e para si artistë të skenës së baletit dhe asaj të valles popullore”. Në skenën që gumëzhiti vite e vite të tëra e që edhe në ditët e sotme të shekullit XXI vazhdon të gumëzhijë, Dedin Suli për më se tri dekada ishte interpret i sa e sa roleve, të cilat e mbajtën gjallë e që vite më pas këto role e këto balete Dedini i ka hedhur në faqet e gazetave e në faqet e librave, ku madhërishëm ka trajtuar figura kolegësh, miqsh, dashamirës, artistë të asaj kohe e të kësaj kohe që po jetojmë e, teksa i hedh sërish një vështrim albumit artistik të krijuar me aq mall, Dedini ndien gjallëri edhe pse i ka kaluar jo pak, por 80 vite. Ishte fëmijë, adoleshent kur skena e thithi Dedinin e nuk e nxori më nga gjiri i vet.

Në shtypin e kohës Dedini ka shpalosur mjeshtërisht dukuritë koreografike si në pamje studimore edhe në shpalosje figurash që ndër vite i dhanë bukuri, temp, ritëm skenës përmes interpretimeve të tyre. Artistët e baletit, që Dedin Suli i kishte kolegë, kanë zënë vend në dhjetëra e dhjetëra gazeta ku artikullshkruesi ka dhënë në detaje bukurinë, aftësinë, mjeshtërinë e tyre në mbyllje të shfaqjeve e pse jo, edhe në mbyllje të jetës. Themi në mbyllje të jetës se Dedini i kërkon ende miqtë e tij.

Si e nisi Dedin Suli mjeshtërinë e koreografit? E nisi me Koncertet e Majit, ku për jo pak vite drejtoi grupe solistësh të ndërmarrjeve të kryeqytetit, të fshatrave më në zë po të Tiranës. E vazhdoi këtë sagë artistësh duke shkruar për ta artikuj të pafund. Pena, mendja e shpirti i Dedin Sulit hodhi themelet në shtyp e në libra teksa përshkroi mrekullisht portretet e kolegëve të tij si: Melushe Bebeziqi, Faruk Koka, Agron Aliaj, Mellani Terca, Engjëll Tërshana, Miltiadh Papa, Albert Janku, Ramazan Bogdani, Llaqi Nako Ilir Kerni e të tjerë artistë të fushës së baletit. Nuk la në harresë edhe artistët më të rinj të skenës, që sot, për fat të mirë apo të keq ndodhen larg vendit e disa syresh edhe larg të afërmve të tyre, por që me përpjekje të mëdha shkëlqejnë skenave të botës. Edhe pse janë diku larg, ata kurrë nuk harrojnë se u mëkuan në atë skenë të thjeshtë të Teatrit të Operës e të Baletit në Tiranë. Të tillë janë Erisa Gina, Mariola Kuqo (Fejzo), Kujtim Hoxha, Dion Gjinika, Kledi Kadiu, Ilir Shaqiri etj. Kontaktet e shumta që koreografi Suli ka pasur me balerinët të cilët ende me dëshirë interpretojnë në skenën shqiptare për publikun shqiptar ka bërë që të sjellë përshkrime dinjitoze si studiues koreograf në rubrikat e artit që mjaft gazeta tonat i trajtojnë. Dhe ndiejmë dashamirësi për penën e D. Sulit teksa flet me mjaft profesionalizëm për Enada Hoxhën dhe Gerti Vason (çift në skenë e çift në familje), Albi Nakon, artist i biri i artistit, Jonida Onuzin, Eno Birkon në figurën e të cilit koreografi D. Suli ngulit dëshirën e këtij balerini gjithnjë në ngjitje e që në shfaqjet e tij të shumta kërkon ende të bisedojë me babanë e tij, Enver Birkon, i cili dikur me gjunjë përshkonte diagonalisht skenën teksa interpretonte vallen madhore “Festë të madhe ka sot Shqipëria” dhe publiku i atëhershëm ende e ka në kujtesën e vet.

Koreografi D. Suli kurrsesi nuk harron të përmendë edhe të tjerë koreografë kolegë të tij në skenë ku vetë Dedini interpretoi mbi 30 vjet e më në fund u ul të pushojë paksa pranë skrivanisë së vet ku, teksa shfleton albumin me foto të përzgjedhura nga baletet e interpretuara, foto artistësh, kolegësh, sjell ndër mend se diçka duhet të shkruajë për njërin apo tjetrin. Dhe pena e Dedin Sulit nuk pushon, shkruan e shkruan duke i sjellë lexuesit sa më pranë portrete artistësh.

Ishte viti 2005 kur Dedin Suli i dhuroi lexuesit monografinë  mbi figurën e Agron Aliajt ku me detaje ka përshkruar aktivitetin e tij dikur si balerin e më pas si koreograf i mjaft shfaqjeve. E në vazhdë vijnë të tjerë koreografë rrethesh me të cilët Dedin Suli prej vitesh ka krijuar shoqërinë e ëmbël që ta jep vetëm tingulli i një vegle muzikore, hedhja e një hapi të studiuar në parketin e skenës së baletit apo të valles popullore. Të tillë kolegë ai i pati gjithmonë pranë vetes edhe teksa drejtonte pjesë të ndryshme koncertesh me raste të ndryshme si: Nexhat Agolli, Andrea Kokeri, Vladimir Seiti, Filip Gjergji, Albert Çela Ferdinant Shehu, Sadi Halili, Skënder Haklaj, Jani Gjergji, në mbyllje të çdo takimi shpesh i drejtohej shtypit me përshkrimet e veta.

Studiuesi i mirëfilltë Dedin Suli ka qëndruar pranë jo vetëm balerinëve, por edhe valltarëve të Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore. Valltari i viteve të shkuara ku këmba e tij rrahu parketin apo lëndinën e ku mbolli nder e krenari në çdo truall të vendit, Mjeshtri i Madh Besim Zekthi është i pranishëm në shkrimet e Dedin Sulit si në monografinë “Besim Zekthi korifei vallëzimit shqiptar”, që Dedini aq bukur e thuri për këtë valltar vital e po ashtu edhe në dy veprat madhore: “Historiografia e Artit Koreografik Shqiptar” dhe “Artistë të Shquar të Interpretimit Koreografik Shqiptar”.

Ansambli i Këngëve dhe  i Valleve Popullore ka qenë institucion që Dedin Suli e ka pasur për zemër se këngët e vallet popullore gjithnjë kanë qenë shoqëruese të shpirtit të tij prej artisti. Dashuria, miqësia, dashamirësia e artistit Dedin Suli për valltarët e këngëtarët e kësaj skene aq popullore ka gjetur strehë në bashkëbisedimet e takimet me ta, në shfaqjet e këtij ansambli që vetë Dedini i ka ndjekur nga afër e më pas i ka portretizuar përmes shkrimeve të shumta. Ka shkruar Dedini në frymë koreografike për Gëzim Kacelin, Panajot Kanaçin, mjeshtrin e koreografisë për shumë e shumë shfaqje të këtij ansambli, Rexhep Çelikun, për të cilin në vitin 2015 hartoi librin “Rexhep Çeliku – valltari fluturues”, libër i thurur me ndjenjë ku në çdo faqe figura e këtij valltari virtuoz veç selitej e skalitej. Jo pak ka shkruar D. Suli për këtë figurë duke e mbartur me frymë koreografike. Vetëm shfaqja “Valltari fluturues” përmban në vetvete, siç shprehet vetë Çeliku, “... 30 vjet karrierë artistike”. Dhe në krah të këtij valltari të dashur për të gjithë ata që e kanë ndjekur në çdo shfaqje, koreografi Suli ka vendosur “Mbretëreshën e vallëzimit popullor” Liliana Cingun. Kjo dyshe artistësh vetëm art i dha publikut për shumë e shumë vite. Me kënaqësi shkruante Dedin Suli për këtë çift artistësh, që aq shumë i deshi e aq shumë e deshën. Nuk kishte gjest më fisnik kur në promovimin e librit “Rexhep Çeliku – valltari fluturues” si flutur hyri në sallë e madhja Lili Cingu me një tufë trëndafilash të kuq, të cilat përmes një përqafimi  tejet miqësor ia dhuroi Dedin Sulit, autorit të kësaj monografie e më pas së toku me kolegun e saj të skenës kërceu në mënyrë të magjishme “Vallen e çobanit”. Për këtë valle Dedin Suli ka shkruar edhe në një nga gazetat e përditshme teksa me mjaft reputacion i dhuroi lexuesit një artikull për shtojzovallen Lili Cingu dhe shqiponjën krahëhapur Rexhep Çeliku.


Vite të shkuara Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore fitoi Gjerdanin e Artë në Dizhon të Francës. Dhe në librin e tij për artistët e interpretimit koreografik shqiptar Dedin Suli përshkruan artistë pjesëmarrës të kësaj shfaqjeje të madhe. E një prej tyre ishte Lefta Mullisi, e cila përshkruhet nga D. Suli: “... Solistja valltare, Lefta Mullisi, interpretoi një seri vallesh popullore të përpunuara nga Panajot Kanaçi. Kjo valltare e madhe zotëronte një teknikë të lartë kërcimi. Tek ata që e kanë njohur nga afër e kanë patur kënaqësinë ta ndjekin përgjatë shfaqjeve, ajo mbahet mend për elegancën e saj, dhunti kjo që ia dha natyra, gërshetuar me talentin e saj të padiskutueshëm”.

Përshkrimin me frymë koreografike studiuesi i mirëfilltë Suli e ka ruajtur e shpërndarë në mënyrë të shkallë-shkallshme për çdo valltar apo valltare të skenës së artit popullor. Një tjetër artiste e “kohës së Dizhonit” ishte edhe Mediha Lubonja, e cila që në konstrukt shquhej si personash e lindur për të kërcyer. Dhe ja çfarë shkruan koreografi Suli: “Gjithkujt prej artistëve të viteve ’70 u kujtohet Dizhoni i famshëm... Ky Dizhon me kënaqësinë më të madhe nderoi Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë me Gjerdanin e Artë. Këtë kënaqësi e ndjenë artistët tanë, e ndjeu edhe valltarja e talentuar Mediha Lubonja, e cila shpërtheu me “Vallen e Tropojës” dhe bëri për vete mijërat e qytetarëve të Dizhonit, teksa e shihnin këtë flutur, e cila bashkë me koleget e saj lodronin rrugëve të pafund të Dizhonit”.

Dhe valltaret e këtij ansambli gjenin përshkrim rreth portreteve të tyre përmes penës së Dedin Sulit, studiuesit të koreografisë, i cili me plot talent e aftësi krijuese i solli shumë pranë lexuesve, kolegëve të tjerë valltare e valltarë si: Mimoza Kokeri (Bekteshi), Pëllumb Memisharaj, Brikena Jaupaj, Genc Kastrati etj.

Valltarët që studiuesi i koreografisë shqiptare, Dedin Suli, i solli në mjaft nga shkrimet e tij, e lidhën jetën e tyre me kërcimet e dikurshme shumëshekullore kur Iliria e atëhershme pati në vetvete “Grimca kërcimesh”, të zbuluara përmes arkeologëve.

Me të drejtë studiuesi Adriatik Kallulli e ka vlerësuar në parathënien e tij punën pesë-vjeçare të studiuesit Suli “Një histori gjithëpërfshirëse e koreografisë shqiptare”.
Herët, mjaft herët e ka nisur vallen shqiptari e këtë hershmëri studiuesi Dedin Suli e përshkroi në librin e tij me titull tepër domethënës: “Historia e Artit Koreografik Shqiptar” (2011), libër që erdhi si rezultat i botimit të mjaft shkrimeve të natyrës koreografike nga vetë Dedini.

Studiuesi i koreografisë shqiptare, Dedin Suli, hedh vështrimin pak e nga pak në çdo hap të Ilirisë së dikurshme, në çdo truall, në kishat e shumë shekujve më parë, duke e pasuruar edhe me fotografi siç është: “Parajsa dhe Ferri”, vepër e Kolë Idromenos. Dhe autori Suli ndër të tjera shkruan: “Në kishën e “Zonjës së Këshillit të mirë”, që ndodhet në hyrje të qytetit të Shkodrës, gjendet një pikturë që pasqyron, midis tjerash, Zonjën e Këshillit të Mirë, të shoqëruar nga dy burra me veshje shkodrane (benevrekë, xhamadan e feste”, që duken sikur fluturojnë mes reve”.

Studiuesi i fushës koreografike, D. Suli, për lexuesin sjell në faqet e këtij libri edhe përshkrimet e udhëtarëve të huaj në trojet e vendit tonë. Dhe shkruan Dedin Suli: “Lord Byron, në një nga vizitat e tij në Shqipëri u prit në sarajet e Ali pashë Tepelenës dhe asistoi edhe në ekzekutimin e valleve epike. I mahnitur, ai shkruan në kujtimet e tij: “Vallja popullore, me atë fustanellë të bardhë që dukej sikur fluturonte drejt qiellit, qe aq e bukur sa krijonte një spektakël të thellë  e të paharrueshëm”... “Kronisti turk, Ibn Kemal, shkruan më 1467: “Shqiptarët inatçinj, të cilët hedhin valle edhe pa rënë muzikë, e ndienin se dëfrimi para luftës do t’i ngrohte”... “Elisabet Shenje, nëna e poetit francez Andre Shenje, shkruan më 1850: “Në mejdan të Stambollit 200-300 vetë kërcenin vallen shqiptare”.

Vallet luftarake që ka interpretuar trupa e Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore e gjejnë hershmërinë në shekujt XV-XIX që studiuesi i koreografisë shqiptare, D. Suli e shpalos në faqet e këtij libri. Dhe vallet luftarake spektatori ynë i ka ndjekur edhe në këto dekadat e fundit në skenën e ansamblit.

Me interes është kapitulli III i këtij libri ku studiuesi Suli parashtron për lexuesin në gati 15 faqe “Koreografinë në shtetin e parë shqiptar gjatë viteve 1924-1939”, duke e konkretizuar edhe me koreografë, orkestrantë, valltarë të asaj periudhe si Dhimosten Stathi, Eleni Qirici, Lola Gjoka, me pjesën “Princesha Iris” , ku interpretonin Lida Aleksi, Henrushe Ciu, Bukurie Xhiku, Evlaqia Mima, Filomena Mosi, Vasilika Pano, Lumnije Juka, Nushin Kokona etj.

Dhe e shtrin më tej historikun e koreografisë shqiptare studiuesi i apasionuar Suli në vitet e para të pasluftës me Filarmoninë Shqiptare, institucion me një jetëgjatësi 7-vjeçare ku shpalos edhe artistët e parë të skenës së baletit si: Melpomeni Bebeziqi, Afroviti Lipe, Nini Laca, Hiqmete Fani, Suzana Aliko etj.

Filarmonia Shqiptare ishte ai institucion që mblodhi artistët e parë të kërcimit, vallëzimit, këngës ku artistët e parë që dolën në skenë ishin grupi i valleve me “Kërcimin e logut” të Malësisë së Madhe, vallja “Presa me taganë” nën interpretimin e Fatmir Strugës dhe Petrit Vorpsit, “Peshkatarët”, interpretuar nga Xhemil Simixhiu dhe Gëzim Kaceli e tjerë valle e balete të asaj kohë e që Dedin Suli i ka paraqitur me ekzaktësi, me, larmi lëvizjesh të vetë interpretuesve.

Dhe vjen kapitulli V ku Dedin Suli ecën paralelisht me krijimin e Teatrit të Operës dhe të Baletit edhe si balerin ku, siç e përmendëm më sipër interpretoi përmbi tri dekada e kjo ishte kohë e mjaftueshme që ai më vitet e mëpasme të thithte nektarin e baleteve e, më pas, kur u krijua Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, nektarin edhe të valleve popullore, të balerinëve nga njëri krah e valltarëve popullorë nga krahu tjetër për të cilët ky studiues i koreografisë shqiptare i dha aq shumë medias së shtypit me shkrimet e përshkrimet e veta apo asaj televizive me intervistat e shumta për shkrimet në rubrikën e artit që përmbajnë mjaft gazeta në vend dhe krijimet në fushën e botimit të 5 librave.

Jetën e lidhi për jo pak, por plot 67 vjet me artin e baletit, artin e valles popullore, artin e përshkrimit të figurave të balerinëve, artin e përshkrimit të kërcimtarëve si dhe të shkrimeve eseistike në shtypin e kohës për shfaqjet e shumta dhënë në parketin e baletit dhe në atë të valles popullore.

Edhe shkrimet rreth baleteve të kompozitorëve të huaj, studiuesi i koreografisë i ka pasqyruar në mënyrë mjeshtërore në dy librat madhorë të botuar në vitet 2011 dhe 201 e që i përmendëm më sipër.

Kushdo që i ka hedhur vështrimin asaj çfarë ka shkruar në vite (libër apo shkrim gazete) ka krijuar bindjen se Dedin Suli, e ka hedhur me bindje firmën e tij, atë të studiuesit të koreografisë shqiptare.
 
                                        
 Shkrimi u publikua sot (24 janar 2016) në gazetën Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)