Një familje me tre fëmijë përjetoi momente frike dhe paniku mbrëmjen e së martës pranë plazhit të Jalës, pasi mjeti me të cilin po lundronin pësoi defekt në mes të detit për shkak të motit të keq.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30, kur u kërkua ndihmë për mjetin lundrues që kishte mbetur në det. Pas kërkimeve, Policia Kufitare lokalizoi mjetin ku ndodheshin një çift bashkëshortësh dhe tre fëmijët e tyre.

Familja u transportua drejt Himarës dhe fatmirësisht të pesë personat ishin në gjendje të mirë shëndetësore.

Ngjarja vjen pas përkeqësimit të motit në bregdetin jugor, ndërsa policia u bëjnë thirrje lundruesve të tregojnë kujdes dhe të shmangin daljen në det kur kushtet atmosferike janë të pafavorshme.

Njoftimi i plotë i policisë 

"Policia Kufitare ndihmon 5 shtetas (pjesëtarë të një familjeje) që rrezikuan të mbyteshin në det, pasi mjeti i tyre lundrues pësoi defekt gjatë natës, për shkak të motit të keq.  Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, Policia u njoftua se disa shtetas në një mjet lundrues në afërsi të plazhit të Jalës, kishin nevojë për ndihmë, pasi mjeti i tyre lundrues kishte pësuar defekt për shkak të kushteve të këqija atmosferike.   Menjëherë u angazhuan shërbimet e Policisë Kufitare, me mjetin e tyre lundrues, të cilët pas kërkimeve në det, bënë të mundur lokalizimin e mjetit lundrues në bordin e të cilit ndodheshin 5 shtetas (një çift bashkëshortësh dhe 3 fëmijët e tyre).  

5 shtetasit u transportuan me mjetin e Policisë Kufitare, drejt PKK Himarë, në gjendje të mirë shëndetësore.   Ata falënderuan punonjësit e Policisë që iu shkuan në ndihmë, duke vepruar në një kohë të shpejtë dhe me profesionalizëm.  Policia Kufitare vijon të jetë maksimalisht e angazhuar për garantimin e sigurisë së jetës së pushuesve/vizitorëve dhe apelon për respektimin e rregullave të lundrimit, përdorimin e pajisjeve të sigurisë dhe shmangien e lundrimit në kushte të rrezikshme atmosferike"


Lajmi kryesor:

Stuhia godet jugun/ Elektricisti vdes në punë në Himarë, mbytet peshkatari në Ksamil, 3 të lënduar në Sarandë! Autoritetet s’paralajmëruan