Partia Demokratike duket se ka një problem serioz me shifrat. Në fakt, këtë problem e kishin dhe gjatë tetë viteve në pushtet kur mburreshin se kishin ndërtuar 10 mijë kilometra rrugë, apo kur pretendonin se ekonomia e Shqipërisë që ishte e zhytur në borxhe, mbetej vetëm pas Kinës në botë dhe Gjermanisë në Europë. 

Sot zonja Guxholli, pikërisht ajo që e këshillonte Berishën se si ta zhyste sektorin energjitik në borxhe prej 150 milionë dollarësh në vit, pretendon rritjen e çmimit të energjisë prej 22%. Ndërkohë që dje, Qeveria shqiptare e tha me zë e me figurë se kërkon as më shumë e as më pak se mesatarizimin e çmimit të energjisë.   

Problemit me shifra nuk i shpëton as Lulëzim Basha që dje i gënjeu shqiptarët duke u thënë se çmimi i naftës në Europë është ulur 40%, kurse në Shqipëri jo. Të dalë e të na tregojë zoti Basha një vend të vetëm në Europë ku çmimi është ulur 40%. E vërteta është se në Itali, Francë, Greqi, Maqedoni dhe në Europë në përgjithësi, çmimi i naftës është ulur në tre muajt e fundit 4 - 5%, ekzaktësisht sa është ulur edhe në Shqipëri.  

Ndaj, duke qenë plotësisht modest dhe kokulur, të përkushtuar plotësisht në detyrën e vështirë që kjo qeveri dhe mazhorancë ka marrë përsipër, i kërkojmë opozitës që të paktën të mos gënjejë kaq hapur e të mos harrojë kaq shpejt se personat përgjegjës të krizës ekonomike që trashëguam, janë ata vetë, Partia Demokratike dhe qeverisja e tyre 8 vjeçare.