TIRANË- Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Azgan Haklaj është shprehur se ambasadorja amerikane Yuri Kim i ka përcjellë një mesazh shumë të rëndësishëm Ilir Metës në takimin që ka zhvilluar ditën e sotme në selinë e Partisë së Lirisë. Në një intervistë në Report Tv, në emisionin ‘Repolitix’, Haklaj tha se Kim ia ka bërë të qartë Metës së nëse do i jap partinë Sali Berishës për t’u regjistruar në 14 maj, atëherë edhe ai do të shpallet Non Grata nga SHBA-ja.

“Kim ka dalë në terren, Berisha e njeh mirë se ku është. Meta e ka të qartë që nëse bashkëpunon me Berishën dhe i jep të drejtën për t’u regjistruar te partia e Lirisë, edhe Meta do jetë Non Grata. Ky ka qenë mesazhi i këtij takim. Këtu do jemi”, tha Haklaj.

Me gazetarin Denin Minga, Haklaj, i ka quajtur sulmet e Berishës nga Kim, si sulm ndaj SHBA-së

Sulmi ndaj Kim është kundër SHBA,  Berisha po përdor PD që nuk e ka për ta përplasur me SHBA, rast i paprecedentë”, shtoi Haklaj.

Takimin e Kim me 3 përfaqësuesit e partive politike në Shqipëri, ish kryetari i PD-së, Ibsen Elezi e sheh në dëm të imazhit të diplomates dhe vetë SHBA-së.

“Pa pikë morali politik, Gjiknuri u kap duke vjedhur vota e ndërsa Rama e ka graduar numri 2 të partisë. Alibeaj përfaqësues i 1900 karrige, 5000 e sa vota, përfaqëson një manipulim të hapur, s’ka lidhje fare me nocionin e shumicës. Ndërsa Ilir Meta, ka sjellë Ramën në pushtet, tani e thotë e kam në aleat, ky është turpi i Berishës. Ul imazhin e vet dhe të Amerikës, 3 palë hajdutë që t’u thotë ju që keni vjedh mos vidhni më”, tha Ibsen Elezi.

Ndërkohë, ndalur te zhvillimet brenda PD-së, gazetari Flogert Muça tha se është e qartë se amerikanët nuk do e pranojnë Sali Berishën në politikë.

“Më mirë që të shkrihej dhe të formohet një parti e re, e parikuperueshme plaga. Amerikanët nuk e pranojnë me Berishën në politikë, do e çojnë për në fund”, tha Muça.

Sot Yuri Kim pati takime me Damian Gjiknurin nga PS-ja, Ilir Metën nga Partia e Lirisë dhe Enkelejd Alibeajn nga PD-ja zyrtare në lidhje më 14 Majin, Ambasada e SHBA shton se, Amerika kërkon kandidatë të pastër dhe iu rikujtuan partive politike rekomandimet e OSBE ODIHR.