Deklarata e KQZ për rinumërimin
në qarqet Lezhë dhe Shkodë

Deklarata e KQZ për rinumërimin<br />në qarqet Lezhë dhe Shkodë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmbylli dje shqyrtimin administrativ të 41 ankimeve paszgjedhore paraqitur nga subjektet zgjedhore me objekt kundërshtimin e vendimeve të KQZ për miratimin e tabelave të rezultateve të zonave zgjedhore.
 
Gjatë shqyrtimit të këtyre 41 kërkesave ankimore,  KQZ shqyrtoi rast pas rasti problematikën sipas objektit të ankimit të paraqitur duke rrëzuar plotësisht 33 prej tyre.
 
Vetëm për dy zona zgjedhore, KQZ nuk u kufizua në objektin e kërkimit të paraqitur nga subjektet zgjedhore, konkretisht për ankimet e paraqitura me objekt kundërshtimin e vendimit për  tabelën e rezultatit të Zonës Zgjedhore Qarku Lezhë dhe për tabelën e rezultatit të Zonës Zgjedhore Qarku Shkodër.
 
Mbi bazën e provave të administruara gjatë hetimit administrativ për këto 2 zona zgjedhore, shërbeu për KQZ, si indicje për thellimin e hetimit administrativ.
KQZ, në këto dy raste, duke mos u kufizuar vetëm në objektin e kërkimit të paraqitur nga ankuesit, përdori autoritetin e plotë që i jep Kodi Zgjedhor për të adresuar ligjërisht, bazuar në përcaktimet e nenit 124 pika 6, në mënyrën më korrekte të mundshme, dhe me transparencën maksimale problemet e evidentuara, për të mos shmanguar deformimin vullnetit qoftë dhe të një zgjedhësi. 
 
Kjo veprimtari e KQZ-së, pavarësisht se u shoqërua me interpretime të gjata dhe të përsëritura të ligjit, deklarata personale dhe politike, të cilat nuk mund të thuhet se i shërbyen punës së KQZ-së, kjo sa i përket përmbushjes së rolit të KQZ-së për administrimin e zgjedhjeve në mënyrë asnjanëse dhe efikase, në fund dha produktin e mirëpranuar nga të gjithë palët në proces.
 
Ajo dëshmoi se KQZ ka si qëllim në veprimtarinë e saj vetëm frymën e ligjit, profesionalizmin, transparencën, pra të gjithë elementët që i shërbejnë qëllimeve madhore, rritjes së besueshmërisë në procesin zgjedhor të elekotratit në radhë të parë dhe të subjekteve politike, certifikimit të procesit sipas standardeve ndërkombëtarisht të pranuara.
 
Shqyrtimi administrativ për rezultatin e këtyre dy zonave zgjedhore, u iniciua mbi bazën e ankimeve të subjekteve zgjedhore. KQZ filloi procedurën hetimore administrative mbi bazën e kërkesave ankimore nr. 35 paraqitur nga subjekti Partia Popullore Kristiandemokrate e Shqipërisë, kërkesës ankimore nr. 37 paraqitur nga subjekti Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, kërkesën ankimore nr. 39 paraqitur nga subjekti, Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve të Shqipërisë, kërkesën ankimore nr. 40 paraqitur nga subjekti, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe kërkesën ankimore nr. 41 paraqitur nga subjekti, Partia Socialiste e Shqipërisë për qarkun e Lezhës, si dhe hetimin administrativ për kërkesën ankimore nr. 18 paraqitur nga subjekti Partia Popullore Kristiandemokrate e Shqipërisë, Kërkesën ankimore nr. 24 paraqitur nga subjekti Bashkimi Popullor i Pensionistëve të Shqipërisë, kërkesën ankimore nr. 32 paraqitur nga subjekti Partia Republikane e Shqipërisë, për qarkun e Shkodrës.
 
Gjatë procedimit administrativ për shqyrtimin e rezultatit të Zonës Zgjedhore Lezhë dhe Shkodër, i cili u zhvillua nga data 20 deri në datën 25 korrik 2013, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kqyri kutitë  e votimit të 258 Qendrave të Votimit për 4 ZAZ-të e qarkut Lezhë dhe 417 Qendrave të Votimit të 8 ZAZ-ve të qarkut Shkodër.
 
Nga hetimi administrativ i zhvilluar,  nga KQZ kryesisht për Zonën Zgjedhore Lezhë, dhe mbi bazën e kërkesës së Partisë Republikane për Zonën Zgjedhore Shkodër, u konstatuan deformime të rezultateve zgjedhore. U provua se rezultati zgjedhor kishte deformime të rënda në Zonën Zgjedhore Lezhë, ku rasti nga më flagrantët ishte manipulimi në rezultatet e 10 QV për të cilat, anëtarët e KZAZ-së 13 depozituan pranë KQZ-së tabela jo origjinale të rezultatit por të falsifikuara, të cilat për më tepër ishin të korigjuara duke fshirë të dhënat për rezultatin e disa subjekteve zgjedhore.
 
Edhe për Zonën Zgjedhore Shkodër rezultuan ndryshime të numrit të votave për disa subjekte zgjedhore, por pa ndikime në ndarjen e mandateve për këtë qark siç pretendonte subjekti ankues. 
 
Mbi bazën e provave, ky proces i kqyrjes së kutive të votimit për këto dy qarqe, dëshmoi parregullsi në plotësimin e tabelave të rezultateve zgjedhore nga grupet e numërimit.
 
Ndërmarrja e kësaj veprimtarie të hetimit, thellimi i këtyre dy procedurave hetimore administrative, dha jo vetëm impakt sa  i përket transparencës dhe besueshmërisë së procesit, por mbi të gjitha provoi se në zbatim korrekt të ligjit, me vullnetin për t’i shërbyer sa më mirë procesit,  çdo manipulim i rezultateve të zgjedhjeve dhe vullnetit të shqiptarëve të shprehur me votë, evidentohet dhe do të marrë ndëshkimin ligjor të merituar.
 
Shprehim bindjen se ky rol aktiv i KQZ-së do t’i shërbejë forcimit të kulturës së ndëshkueshmërisë, do të japë mësimin e merituar për cdo komisioner që në mënyrë joligjore merr përsipër të manipulojë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë!  

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat

‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat