Deklarata e plotë e deputetit Petrit Vasili

Jemi në këtë komunikim së bashku në vlerësim të një momenti të caktuar dhe që lidhet me kthimin nga ana e Presidentit të Republikës, në vazhdën e kthimeve të njëpasnjëshme të disa ligjeve të miratuara nga mazhoranca në Parlament, të ligjit për reformën administrative-territoriale.

Ne jemi njohur me argumentet me të cilat Presidenti kë zgjedhur të arsyetojë kthimin e këtij projektligji, por vendosëm të mbajmë këtë qëndrim publik për arsye se ky ligj është i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me një reformë madhore për të ardhmen e vendit dhe në mënyrë të veçantë për interesat e drejtpërdrejta të qytetarëve shqiptarë.

Për t’u futur në mënyrë të drejtpërdrejtë në thelbin e çështje ky proces është argumentuar nga ana e Presidentit si një proces që ka pasur mungesë transparence. Me cilësinë edhe të anëtarit të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën administrative-territoriale mund të them me bindje të plotë, dhe kjo është bindje që ndajnë të gjithë shqiptarët ashtu si unë, që ky proces ka shënuar një transparencë dhe një standard në drejtim të transparencës, që duhet të na udhëheqë dhe për shumë projektligje të tjera duke shënuar në mënyrë të padiskutueshme maksimumin e transparencës në komunikimin me publikun, jo vetëm me atë masiv, por edhe me të zgjedhurit në mënyrë drejtpërdrejtë, duke u përcjellë jo vetëm mediatikisht në çdo moment, në çdo hap të ndërtimit të tij, të konsultimit të tij me të gjithë grupet e interesit, me të gjithë aktorët që kanë pasur rol në reformën administrative-territoriale, dhe duke shënuar kësisoj një proces nga fillimi e deri në fund në sytë e publikut.

Gjithashtu, procesi ka pasur edhe një dimension tjetër shumë të rëndësishëm, atë të shërbimit shumë të madh që i ka bërë kohezionit, mirëkuptimit dhe një konsensusi të madh politik. Të gjithë shqiptarët nuk mund të harrojnë, por ne besojmë që edhe Presidenti nuk mund të harrojë, që për muaj e muaj të tërë, mazhoranca ka pritur me durim ardhjen e opozitës në Parlament dhe në komisionin përkatës. Një komision në të cilin asaj i ishte garantuar barazi e plotë vendimmarrjeje pavarësisht peshës që ka aktualisht në Parlament dhe njëkohësisht pas muajsh të tërë pritjeje deri në momentin kur mazhoranca gjykoi që takticizmi, mungesa e dëshirës dhe obstruksionizmi i opozitës kishte për qëllim bllokimin e reformës dhe jo qëllime të tjera konstruktive, eci më tej me atë proces që formësoi reformën.

Gjithashtu, nuk mund të harrojmë që procesi u mbështet gjerësisht nga një konsulencë ndërkombëtare shumë e kualifikuar dhe të gjithë donatorëve ndërkombëtarë që operojnë në vendin tonë dhanë mbështetjen e tyre morale, financiare dhe teknike në mënyrë që ky proces të ndodhte. Është sigurisht për ne e pakuptueshme dhe ne jemi të keqardhur, që brenda arsyetimit të Presidentit ne gjejmë edhe keqardhjen e tij që kjo reformë është e vonuar, pra që kjo reformë duhet të ndodhte sipas tij, por edhe më tutje që reforma është gabim, sepse zmadhon njësitë vendore.

Por lind pyetja, ç’reformë do të ishte kjo nëse nuk do të vinte me një ridimensionim të njësive vendore? Sepse copëzimi ekstrem kishte çuar në një primitivizëm në drejtimin e pushtetit vendor dhe gjithashtu kishte çuar në një mungesë ekstreme të shërbimeve ndaj qytetarëve, duke shkaktuar me të drejtë mosbesim të tyre dhe zemëratë. Megjithatë, në fund të gjithë këtij arsyetimi i cili demonstron qartë që mazhoranca ka pasur dy shinat të veprimit të saj, mendjehapjen politike për t’i shërbyer konsensusit me të gjitha mundësitë e saj politike, por njëkohësisht me vetëdijen e plotë se një reformë e tillë nuk mund të shtyhej as edhe një ditë më shumë dhe si e tillë ajo duhet të ndodhte për të mirën e mazhorancës, për të mirën e qytetarëve shqiptarë, të cilët bezdisen e ende rrugëve të Shqipërisë pa përftuar shërbimet të cilat atyre u përkasin dhe për të cilat ata votojnë e paguajnë taksa, dhe më në fund kësaj pakënaqësie dhe zemërimi i duhej dhënë një përgjigje e fortë dhe e menjëhershme. Këtë mund t’ia jepte vetëm reforma.

Megjithatë në fund të gjithë kësaj çështjeje, pra votimit në Parlament dhe kthimit të ligjit nga Presidenti, ka besoj një mundësi e cila paraqet interes të veçantë jo vetëm për mazhorancën, por në mënyrë të veçantë do të doja ta theksoja edhe për opozitën, e cila në ditët që na presin përpara deri në mbledhjen e Parlamentit apo të seancës përkatëse, besojmë që ka një kohë të bollshme që ajo të përpilojë më së fundi një qëndrim të ri, një variant konkret të saj, përtej bllokimit obstruksionizmit të ngushtë për të bllokuar reformën, dhe të vinte në sallën e Parlamentit me një variant të saj për të diskutuar më në fund për gjëra konkrete dhe për t’u shkëputur nga deklaratat retorike dhe patetike të cilat për fat të keq shënjuan edhe fundin e procesit të konsultimeve që opozita ndërmori. Dhe në momentin kur ajo duhet të konkludonte një variant, që sipas mendimit të saj duhet t’u jepte një zgjidhje problemit të shqiptarëve, ajo e mbylli me një deklaratë publike. Kështu që besoj se kjo kohë e vlefshme dhe e domosdoshme mund t’i shërbente opozitës edhe për të treguar më së fundi që ajo sillet në favor të qytetarëve, njëkohësisht pse jo do të ishte një kontribut për procesin i cili do të ishte i mirëpritur për t’u dëgjuar, ashtu sikurse kemi qenë të duruar për ta dëgjuar dhe për ta pritur opozitën për muaj e muaj me radhë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Maliq, mjeti bujqësor përmbyset në rrugën e Moglicës, vdes 61-vjeçari që e drejtonte