Deklarata e plotë e Komitetit Shqiptar të Helsinkit 

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, fillimisht i shpreh ngushëllimet e tij të sinqerta familjes së viktimës së 17 vjeçarit Astrit Gjoka, i cili u gjet i vdekur para disa ditësh në landfillin e Sharrës, në Tiranë. Me besimin se organet e ndjekjes penale dhe gjykata do të zbardhin kushtet dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja, si dhe përgjegjësit për vdekjen e tij, për KShH-në është e papranueshme që personat që kanë zbuluar për herë të parë kufomën e tij, nuk kanë njoftuar menjëherë familjen që ishte në kërkim të të miturit.

Ka të dhëna që firma përkatëse nuk e ka regjistruar 17 vjeçarin në Regjistrin e Punësimit, gjë që bie ndesh me dispozitat ligjore. Kjo është një ngjarje që kërkon reflektim nga institucionet e ngarkuara me inspektimin e ambienteve të punës dhe të drejtat e punëmarrësve. Gjithashtu, KShH vëren se duhet të intensifikohen kontrollet në sektorin privat, në drejtim të respektimit të rregullave të sigurimit të domosdoshme për ruajtjen e shëndetit dhe jetës së punonjësve.

Duke marrë shkas nga kjo ngjarje e rëndë, KShH ka marrë këto ditë ankesa të disa shtetasve dhe aktivistëve të Minoritetit Rom, lidhur me masat e marra nga Bashkia e Tiranës, për të konfiskuar mjetet e tyre të punës që shërbejnë për mbledhjen e mbetjeve urbane në koshat ku depozitohen këto mbetje. Ankues dhe aktivistë të të drejtave të Minoritetit Rom, referuan se në territorin e Bashkisë së Tiranës punonjnë si mbledhës individualë të mbetjeve rreth 3000 shtetas, ndërkohë që në landfillin e Tiranës punojnë rreth 200 persona.

Ankuesit pretendojnë se Bashkia e Tiranës, nëpërmjet punonjësve në terren informalisht ka ofruar vende të lira pune pranë Landfillit të Sharrës, por ky variant konsiderohet i papërshtatshëm për anëtarët e komunitetit për shkak të: kushteve të këqija të punës, distanca e largët me vendbanimin dhe kostos së papërballueshme për transportin, si dhe paga disa herë më të ulëta se në pika të tjera grumbullimi.

Ngjarja e rëndë me pasojë vdekjen e 17 vjeçarit në këtë landfill, ka ndikuar akoma më shumë në vendimin e këtyre shtetasve për të refuzuar alternativën e propozuar, pasi tashmë ata ndihen akoma më të pasigurtë për jetën dhe shëndetin e tyre, në ambientet e këtij landfilli. KShH vëren se këta shtetas vijnë nga familje që janë në kushte të vështira social – ekonomike dhe përfaqësojnë grupe të marxhinalizuara të shoqërisë tonë, pjesë e Komunitetit Rom dhe Egjyptian.

Duke patur parasysh ankesat dhe shqetësimet e tyre, KShH rekomandon që alternativat e punësimit që u ofrohen këtyre shtetasve duhet të jenë të sigurta për jetën dhe shëndetin e tyre dhe t’I përgjigjen nevojave ekonomike të tyre dhe familjarëve të mitur ose të moshuar që kanë në ngarkim.

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Berat/ Përfshihet nga flakët një sipërfaqe me ullishte në fshatin Sinjë (VIDEO)