Deklarata e Spahos për A1 Report 
Vasili: Nuk shtyhen zgjedhjet lokale

Deklarata e Spahos për A1 Report <br />Vasili: Nuk shtyhen zgjedhjet lokale
Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili ka reaguar pas intervistës së Edmond Spahos për televizionin A1 Report, ku nënkryetari i demokratëve tha se procesi i dekriminalizimit të bëhet përpara qershorit ose do të shtyhen zgjedhjet lokale. Sipas Vasilit zgjedhjet e 21 qershorit nuk do të shtyhen dhe ky është një shantazh i Partisë Demokratike.

Numri dy i LSI-së thotë se PD ka shumicën në KQZ falë tolerancës së mazhorancës. Ai ka theksuar se Spaho e ka bërë këtë deklaratë pasi PD nuk ka kandidat për kryeqytetin dhe as kandidatë të tjerë për zgjedhjet lokale. 

 “Zgjedhjet e 21 qershorit nuk shtyhen. Shantazhi i Partisë Demokratike për shtyrjen e zgjedhjeve lokale është qesharak. Theksoj se PD ka shumicën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kjo edhe falë tolerancës sonë si mazhorancë. Por, Partia Demokratike nuk gjen dot kandidatë për zgjedhjet vendore dhe kjo forcë politike nuk ka kandidatë për Bashkinë e Tiranës”, tha  Vasili.
 
I pyetur për çështjen e dekriminalizimit dhe propozimet që PD ka bërë në Kuvend, Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim u shpreh se PD-së i ka dalë boja me dekriminalizimin. Petrit Vasili shprehu gatishmërinë e mazhorancës për të zgjedhur kandidatë me integritet për zgjedhjet vendore, ndërsa shtoi se dhe kandidimi i të pavarurve ndihmon demokracinë. “PD-së i doli boja me dekriminalizimin. Mazhoranca do të zgjedhë figura me integritet. Kandidimi i të pavarurve ndihmon demokracinë”, theksoi Vasili.

PD: Meta do të kandidojë njerëz të lidhur me krimin
Por në një reagim të dytë të Partisë Demokratike theksohet se ky qëndrim i LSI bëhet për të kandiduar dhe përfshirë në fushatën zgjedhore kontigjentë të krimit me qëllim presionet dhe blerjen e votës siç bëri edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare.

"Partia Demokratike dënon ashpër qëndrimin e Ilir Metës kundër procesit të dekriminalizimit para zgjedhjeve lokale të 21 qershorit. Ky qëndrim demaskon synimet e kreut të LSI për të kandiduar dhe përfshirë në fushatën zgjedhore kontigjentë të krimit me qëllim presionet dhe blerjen e votës siç bëri edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare. Partia Demokratike është e vendosur të ecë përpara me dekriminalizimin e politikës me çdo çmim. Qytetarët shqiptarë meritojnë një politikë të pastër nga krimi dhe korrupsioni", theksohet në reagimin e PD-së.

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

U dënua për korrupsion, senatori amerikan Menendez jep dorëheqjen

U dënua për korrupsion, senatori amerikan Menendez jep dorëheqjen