Kryeministri Rama ka reaguar sërish në lidhje me deklaratat e tij të sotme për SPAK. Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës se ai ka kërcënuar institucionet e drejtësisë. Sipas tij kjo akuzë është për të qeshur e për të qarë por garantoi se heshtja ndaj mega skandaleve të shkuara nuk do të tolerohet.

 “Të qeshësh e të qash me lot! Paskam kërcënuar SPAKUN sipas ‘nongratave’ që betoheshin se edhe Flota e Shtatë Amerikane po t'i drejtonte tytat nga Lalzi nuk do ta votonin Reformën në Drejtësi! Për mua e për PS SPAKU rron e punon pa gajle 100 vjet dhe bujrum, derën tonë e ka hapur! Por gojën nuk kemi për ta mbyllur, që SPAKU të mos godasë njëanshmërisht, po gjithanshmërisht! Roli i mumjes, përballë rreshtit të gjykatësve e të prokurorëve, që Vetingu i nxori katran me bojë apo mbi dosjet e skandaleve legjendare të krimit shtetëror, nuk mund të tolerohet më”, ka shkruar Rama.

Deklaratat e Ramës për SPAK paraditen e sotme përfaqësues të partive të ndryshme opozitare i kanë konsideruar si një presion të Kryeministrit tij ndaj institucioneve të drejtësisë. Sipas tyre ky presion bëhet që institucionet e drejtësisë të ndalin hetimet për aferat qeveritare.

 Belind Këlliçi në emër të Komisionit të Rithemelimit të Sali Berishës, Monika Kryemadhi në emër të LSI, Jorida Tabaku në emër të PD zyrtare dhe deputetë e eksponentë të ndryshëm kanë reaguar ashpër ndaj fjalës së paradites së Ramës në Asamblenë e PS.

Rama i kërkoi SPAK për Berishën që të niste hetimet për shpalljen e tij 'Non Grata' nga SHBA-ja, teksa për Ardian Dvoranin tha se u hetua pasi kështu ka dashur presidenti Ilir Meta.