Ish-komandanti i UÇK-së, Hisen Berisha, e cilëson deklaratën e deputetit Fatos Geci për Hashim Thaçin, të cilit i uroi të njëjtin fat si të Naim Murselit, si të rrezikshme dhe në linjë me narrativat anti-shqiptare të Beogradit dhe Moskës.
I ftuar në “Studio Live” në Report TV, ai shprehet se kjo nuk është thjesht një deklaratë e izoluar, por një qëndrim që sipas tij godet vetë themelet e shtetit të Kosovës dhe luftën çlirimtare.
Siç thotë Berisha, "ai tekst ishte shkruar dhe dërguar nga komitetet e Vetëvendosjes për të prodhuar zhurmë."
“Deklarata të tilla janë tipike nga ato që kemi dëgjuar në Beograd, në Moskë apo në qarqet anti-shqiptare. Këtu s’kemi të bëjmë me liri të shprehjes. Shprehje të tilla godasin në themelet e shtetit, pavarësisë dhe institucioneve në të cilat operojnë edhe kjo kategori e njerëzve pro jugosllavë që ende kanë nostalgji për regjimin e shokut Tito dhe të ish-Jugosllavisë. Reagimet e tyre kanë demonstruar se kemi të bëjmë me një filozofi të këtij subjekti për të delegjitimuar luftën çlirimtare të Kosovës mbi vlerat e së cilës është ndërtuar shteti. Këtu s’është thjesht një deklaratë spontane e një individi të caktuar. . Do të duhej një veprim i ashpër i drejtësisë sepse kemi një bashkërendim me pretendimet e Serbisë për zhbërjen e themeleve të shtetit të Kosovës. Këtu duhet edhe të veprohet dhe KQZ duhet të jetë radikale në heqjen e mandatit të këtij deputeti. Mazhoranca bëri reagime formale por nuk ia pengoi fjalën. Ai tekst ishte shkruar dhe dërguar nga komitetet e Vetëvendosjes për të prodhuar zhurmë dhe për ta shmangur vëmendjen nga problemet madhore me të cilat përballet Kosova”, tha ai.
Sipas Berishës, rasti kërkon reagim konkret nga drejtësia dhe institucionet, ndërsa paralajmëron se deklarata të tilla nuk duhen parë si të rastësishme, por si pjesë e një linje më të gjerë politike.
Komente








