Në intervistën e dhënë mbrëmë pas 10 vitesh mungesë në ekran, ish-kryeministri Fatos Nano, ka nxitur 'trazira' sidomos në kampin opozitar me deklaratat e forta që ka bërë kundër ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit Ilir Meta.

Por, ndryshe nga herët e tjera, shumica e mediave në vend, e kanë censuruar pjesën kryesore të intervistës së tij. Lidhur me këtë fakt ka reaguar edhe avokati Kreshnik Spahiu, i cili akuzon Metën dhe Berishën se kanë paguar mediet për të mos i përmendur ata në deklaratat e Nanos.

 “O Zot: Sa para paguan Meta dhe Berisha në media? Sot 90% e gazetave shkruanin sikur Fatos Nano nuk i kishte përmenduar aspak këta të dy”, shkruan Spahiu, duke treguar dhe arsyen se përse sipas tij mediet kanë censuruar deklaratat e Nanos.

Nano ka bërë deklarata të forta për Sali Berishën e Ilir Metën. “Berisha më ka marrë vitet më të bukura të jetës dhe më ka vrarë nënën”, ishin këto disa fjalët e Nanos për liderin historik të PD. Ndërsa për Metën, Nano tha se është politikani i vetëm që mbart 7 mëkatet, ndërsa e quajti atë si përfituesin më të madh të mbështetjes së tij.