Dekoratat e Kadaresë

Dekoratat e Kadaresë

Ismail Kadare

Rezultatet e para të fushatës së egër që pat shpërthyer kundër Ismail Kadaresë ishin neveri, ndot, pështirosje! Qe e neveritshme të shihje se si një takëm shqiptarësh u vërsulën të çirren e pështyjnë mbi një nga ikonat më të çmuara që kultura kombëtare ka arritur të nxjerrë në vetrinën botërore.

Duke shpresuar që kjo shpluhurosje dhe keqpërdorje e një ngjarjeje familjare, ndodhur në vitin 1982, do të fillojë të fashitet, them, se ky ka qenë një nga episodet më të fuqishëm për të testuar klimën e helmuar të Shqipërisë së këtyre kohërave.

Për afro një muaj rresht, hithrat e urrejtjes fshikulluan e fshikulluan pa pikë mëshire fshehtësitë intime e delikate të familjeve dhe individëve. U shfaqën e u rishfaqën mizëri filmash, të gjatë dhe të shkurtër, por që të tërë subjektivë, mbi të njëjtën ngjarje, nga më të rëndomtat. E rëndomtë ngaqë nuk ka më të përditëshme ngjarje se shqetësimet prindërore për fëmijët. Nuk ka më të rëndomtë e më të zakonshme se ankesa në polici. Nuk ka më të rëndomtë e më të zakonshëm, se trajtimi çnjerëzor i policisë dhe hetuesisë së atyre viteve. Ata mund të godisnin me grushta dhe çizme një djalë të ri, po aq lehtë sa edhe një zonjë të moshuar, apo një grua shtatzënë. E përdor fjalën “rëndomtë” apo “zakonshëm” e ndërkohë e pranoj me keqardhje të thellë, se për nënën e djalit të gjymtuar ky cilësim është i papërshtatshëm. Për të gjorën grua, trajtimi që iu bë djalit të saj, është vërtet krimi më i madh i kryer mbi këtë rruzull.

Por Kadare, krenaria e letërsisë tonë kombëtare, nuk mund të ketë pjesë në të….

Para ca ditësh, ishim në prag të rihapjes së morgut me kufomën ende të pakallur të komunizmit. Ishim në ato ditë kur Kadareja u shpreh fuqishëm për Gjyqin e Madh të së kaluarës naziste të Shqipërisë. Dhe, o qiell hapu!, Hijenat e së kaluarës vendosën ta ndëshkojnë atë të parin! Çfarë rrodhi nga ajo ngjarje e ’82-shit, sipas tyre, paskesh qenë krimi më i madh i komunizmit, që na kërkon tani Këshilli i Europës! Këtej duhet filluar, nga Kadareja, thanë ata!!! 

Është fati i Kadaresë. Është haraçi që duhet të paguajë njeriu më i shquar, që nuk pranon të hiqet mënjanë në strehëzën e studjos, por ngre aktivisht zërin për shëndoshjen e demokracisë, për zgjidhjen e çështjes kombëtare, për drejtësi shoqërore. Dhe vemë re se tërë skorjet e diktaturës me të po merren.

U duhet ta nxjerrin si njeriun më të përndjekur? - Atë zgjedhin!

U duhet ta venë në krye të listës për keqtrajtimet, burgimet dhe internimet? - Me të fillojnë!

Duket sikur bëjnë me ne një pazar të ndyrë e na thonë: doni t’i rrëzojmë tërë monumentet e kohës së komunizmit? Do të rrëzojmë edhe Kadarenë tuaj, ama!

Është me të vërtetë tronditëse të lexosh, mbi rreshta dhe nën rreshta, urrejtjen që shprehin nëpër shkrimet e tyre ca militantë të vjetër, ca inatçinj veteranë, që nuk arritën dot ta shohin shkrimtarin përmbys, ashtu siç dëshironin. Dhe pa dyshim do të gjenden gazeta për ta. Janë gazeta të hapura enkas, që e dinin dhe e prisnin këtë ditë. Misioni i tyre është vetëpërkëdhelja, ripërtypja e një kohe që përmban lavdi vetëm në përfytyrimet e tyre. Ato ia përmendin me ashk mosmirënjohjen, atij çanakpërmbysësit Kadare. I përmendin privilegjet që i janë bërë: veturat, mbrojtjet, simpatitë e Komandantit, daljet jashtë shtetit…

Dhe befas mua më lind një zjarr i brendshëm, e ndjej se si shpërfytyrohem, kur më çartin gjendjen shpirtërore, kur e humb aftësinë  të tallem dhe më kaplon tërbimi.

Racë e mallkuar që, tmerrësisht gjatë, po vonon të shuhesh, a vërtet Ismail Kadareja është njeriu që duhet vënë në shënjestër?! Këtij, njeriut kaq të vlertë, i duhen kujtuar veturat dhe të mirat e asaj bote?! Po a nuk meritonte shkrimtari më i shquar i Shqipërisë, ky talent i jashtëzakonshëm e botërisht i njohur, një çikë komoditet, një trajtim më të mirë se tërë furxhinjtë, karrocierët e brigadierët, që mblodhi diktatori rreth vetes?! A nuk meritonte një shqiptar dinjitoz si ai, të shfaqej nëpër sheshet e kryeqyteteve të Europës, më shumë se korierët trushkulur diplomatikë, badigardët tuaj pa sy e pa veshë?! Ishte vallë kaq nder i madh të kish një karrige në Kuvend, njeriu që më shumë se kushdo mund ta përfaqësojë këtë truall, njeriu që ka lartësuar e lartëson krenarinë, virtutet e racës shqiptare që në agimet e tij kombi i pati dhe më pas i bori?! Cilën mirënjohje ju ka borxh, njeriu që përkundër ushqimit më të varfëruar të sofrave, solli për fatin e tërë shqiptarëve ushqimin më të pasur shpirtëror të rafteve, bangave të fillores dhe auditoreve? Duhet të kish kahje të kundërt mirënjohja, - nëse ka mbetur mirënjohje në botën shqiptare! - kahjen drejt mjeshtrit që edukoi dhjetëra e dhjetëra shkrimtarë e poetë të rinj, u çau atyre udhën e abstragimit, u zbuloi atyre thesarin e metaforave, u tregoi konkretisht se si me guxim të martojnë të pamartueshmet në figurat letrare. Ai mprehu më së miri shijet e lexuesit të burgosur shqiptar! Në konferencat albanologjike nëpër botë, duheshin dërguar vallë gjuhëtarët e atrofizuar, apo ky mjeshtër i rrallë, kopshtari më i përkushtuar i gjuhës shqipe dhe i dashuruari më fanatik i saj?! Tek ia përmendni, nuk mendoni, a vallë, ky person, ka qenë ai më i dekoruari, më i  mirëtrajtuari dhe më i përkëdheluri shkrimtar i diktaturës? Pa kujtohuni, kujtohuni, se mos ndofta kanë qënë dhe ca të tjerë, që ashtu, të vdekur, duken si të nderuar, vetëm nga që nuk i ze askush në gojë?! Dhe po aq të nderuar do të mbeten pasi askush,  kurrë, nuk ka për t’i zënë! Nuk do ta provojnë fshikullin e tërbimit tuaj ata, shkrimtarët e kolkozit shqiptar, të kulakëve e diversantëve, kuptohet. Nuk do t’u përmendni atyre favoret, se si u bënë deputetë e morën dekorata, çmime e tituj të lakmueshëm! (Dhe këtej e tutje do të kujtohen vetëm për ata çmime e tituj, teksa veprat e tyre të shëmtuara do të duken të mira për sa kohë do të mbahen nën kapakun e gurtë të harresës. Se po dolën nën dritat e këtij shekulli!…).

Ata që e duan Ismail Kadarenë janë tronditur, skandalizuar e neveritur nga ky shkumëzim urrejtjeje i Nexhmie Hoxhës dhe i çakajve të diktaturës. Shumë kanë përfytyrimin se, pas kësaj, Kadareja lëngon diku i dërmuar, i përmbysur e i dëshpëruar nga trajtimi mizor që po i bëhet. Jam i sigurtë se ata gabohen katërcipërisht! Jo se unë e njoh më mirë nga të tjerët, por jam i bindur se nga ky episod domethënës, ky luan i letërsisë shqipe, po del me përfitim të madh.

Në përballimin e kësaj furtune Ismail Kadare ka qenë i vetëdijshëm se cilët ishin kundërshtarët e tij. Ishte kundër tij kuçedra e plagosur e udhëheqjes komuniste. Ishte kundër tij Sigurimi i Shtetit, me atë taborin e burrave lëkurëndritur, që mbahen mend të veshur me ato kostumet prej doku gri e bojëqielli, që nuk ia dolën e nuk ia dolën dot, ta shtrijnë shkrimtarin nën këmbët e tyre. Se, pavarësisht nga ironitë që kemi shkrepur paf-e-puf, ndaj “persekutimeve” të Kadaresë, duhet ta themi ndershmërisht e gojëplotë, se urrejtja reciproke mes tij dhe Sigurimit Shqiptar, ka qenë e paprerë, tepër e egër, bile e lexueshme qartë. Ato vizatime karakteresh të shefave të kuadrit, ato përshkrime të holla të të vetëndjerit dhe bëmave të “trimave” të Sigurimit në parathënien e “Thikave”, ajo tablo alegorike e “Pallatit të Ëndrrave”, që dukeshin si të shkruara jo me bojë, por me serrë të zezë, nuk mund të mos ndeshnin hungërrimën e tyre. Kundër, Kadareja, do të kishte edhe shumicën e politikanve të sotëm, të cilët jo njëherë janë përqeshur e fshikulluar prej tij. I duhen llogaritur kundër gjitha ato që përmendëm, ato fletushkat, që më mirë se me gazeta, mund t’i krahasosh me muret e nevojtoreve publike, ku me copa grafiti, pa vrasje ndërgjegje, shkruhen fjalë të ndyta e vizatohen fundet e barqeve. Dihej që Ismaili, nuk do të kish me vete, pastaj, edhe shtresën e të persekutuarve të regjimit komunist, ata të “përmbysurit” e famshëm që, në prozën e Kadaresë, e ndjenin veten të trajtuar me krupë dhe të cilëve gjithmonë u është dukur, se nuk pat qenë fare nevoja, që  Enveri ta frymëzonte krijuesin, kundër tyre. Dhe së fundi, pas më të madhit shkrimtar të vendit, si në çdo vend të botës, nuk do të ishte masa e gjërë e shkrimtarëve të tjerë, e zvarranikëve, mediokërve, por dhe e shkrimtarve me njëfarë emri, që me varrosjen e më të mirit të llojit, presin përjetësisht, një ngjitje në shkallaret e vlerave.

E pra, nga kjo provë zjarri, Kadareja doli, paradoksalisht, më i fituari. Dhe ky është rezultati i vërtetë i kësaj fushate. Atë ngjarje të turbullt të ‘82-shit e patën përgojuar shumë e shumë, mbi zë dhe nën zë. Dhe tani, me gjithë trazimin që solli në jetët intime, ajo shpërtheu në sipërfaqe, për të mos u zënë më kurrë në gojë. Por ama u kuptua se kush ishte në të vërtetë pala, që desh të bënte me këtë ngjarje një minë. Dhe kjo gjë u lexua drejt. Kam bindjen e patundur, se asnjëherë Kadareja nuk i ka pasur shkrimtarët me vete më shumë se këtë herë. Nuk e sajuan dhe as e pompuan shkrimtarët, historinë fatkeqe që u përfol kaqë gjatë. Nuk ishin aspak shkrimtarët gjeneratorët e intrigës. Nuk ishte një konflikt me mediokritetin, siç u munduan ta shpjegojnë psikoanalitikisht, por jo drejt, disa opinionistë. Absolutisht jo! Me plot gjasa, edhe politikanët e rinj të pas komunizmit, do të jenë ndërgjegjësuar se ç’vlera përfaqëson personaliteti që u muar paturpësisht nëpër gojë dhe se si duhet mbrojtur ai këtej e tutje. Gjithashtu kam bindjen e plotë, të patundur, se e tërë shtresa e të goditurve nga regjimi i Hoxhës e kuptoi se këtë radhë Kadareja, ish edhe i tyre, më shumë se kurrë. Se nuk mund të mos jetë i gjithë shqiptarëve, shkrimtari më i mirë i Shqipërisë dhe se ai kish nevojë për përkrahjen e tyre. Dhe, ia dhanë e po ia japin, ashtu të ndrojtur, siç janë të ndrojtur edhe në luftën për kërkesat e tyre. Kur u shfaq qartë që garda bolshevike e ka vënë këtë fatos të fjalës së shkruar në vijën e vetme të shënjestrës, pasi ky, më shumë se çdo parti, më me këmbëngulje se kushdo tjetër, ka vendosur t’i shkojë deri në fund përpjekjes për denazifikim, pjesa më e shëndoshë e opinionit kombëtar, brenda dhe jashtë atdheut, u rreshtua pas Ismail Kadaresë.

Ja pra çfarë prisnin e çfarë i bënë Ismail Kadaresë, këto hiena! Ata, në vaktin e tyre, e bënë Ismail Kadarenë me grada, tituj dhe ofiqe. E bënë deputet, nënkryetar e laureat gjithëfarësh. E dekoruan me të gjitha llojet e çmimeve, të kombit e të republikës. Por këtë radhë me egërsinë e luftës, me shpalosjen e urrejtjes për të, i kanë dhënë, pa dashje, çmimin më të lartë, nderimin më sublim, që mund të japë ndonjëherë ndonjë diktaturë. Urrejtja e tyre e tërbuar është dekorata më e lartë që i është dhënë atij në atdheun e vet!

Dhe, një herë të vetme, për herë të parë, duket se populli shqiptar është njëzëri  dhe një mëndje me diktaturën: Ismail Kadare e meriton urrejtjen e saj. Ai e meriton plotësisht  dekoratën e shquar! Le ta përgëzojmë të gjithë për këtë!/ “Shekulli”, 2 nëntor 2006

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Veny: 16/08/2024 23:43

    Ai kufoma mullah saliu i ka bo kto ligsu

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja