“Kinemaja ka të bëjë me atë qe vendosim të fusim brënda kuadrit” - Martin Scorsese
Në vitin 2026, kinematografia shqiptare ndodhet pikërisht në këtë pikë delikate: mes asaj që prej vitesh kemi zgjedhur të fusim në kuadër dhe asaj që sot po fillojmë, më në fund, të mos e lëmë më jashtë.
Për dekada, në qendër të kuadrit ka qenë filmi si akt heroik individual - sakrificë personale, vullnet i izoluar, vepër që lind pavarësisht kushteve. Jashtë saj kanë mbetur industria, publiku, tregu, shpërndarja dhe bashkëpunimi. Dhe kjo zgjedhje ka pasur një kosto reale.
Sepse filmi shqiptar, pavarësisht çmimeve, selektimeve dhe vlerësimit kritik ndërkombëtar, vazhdon të ketë një problem themelor: ai ekziston më shumë si ngjarje sesa si sistem. Një film prodhohet, udhëton në festivale, kthehet me duartrokitje simbolike dhe më pas zhduket. Nuk gjen sallë. Nuk gjen publik. Nuk gjen vazhdimësi. Ky nuk është dështim artistik — është dështim struktural.
Në 2026-ën, kjo nuk mjafton më.
Në një kohë kur Shqipëria promovohet ndërkombëtarisht si destinacion turistik, kulturor dhe filmik, kinematografia jonë vazhdon të funksionojë si ishull. Ndërkohë që rajoni ka lëvizur përpara, ne kemi hezituar të pranojmë një të vërtetë thelbësore: filmi nuk është vetëm art, është edhe ekonomi. Serbia, Kroacia, Rumania, Hungaria kanë ndërtuar mekanizma që tërheqin produksione, punësojnë profesionistë, gjenerojnë të ardhura dhe ndërtojnë imazh kombëtar. Shqipëria ka peizazhin, historitë dhe koston konkurruese - por jo gjithmonë sjelljen e një lojtari serioz.
“Art pa spektatorë, është një veçse një senacë terapie” thoshte David Mamet. Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi ynë: kemi artistë, por kemi humbur publikun. Kinematë kombëtare, aty ku ekzistojnë ende, shpesh janë më afër muzeve të harruara sesa hapësirave të gjalla kulturore. Një brez i tërë është rritur pa ritualin e filmit shqiptar në ekran të madh, pa heshtjen e sallës, pa debatin pas shfaqjes. Dhe pa ritual, kinemaja vdes ngadalë.
Pikërisht në këtë pikë ndërhyrja institucionale merr një formë konkrete.
Për herë të parë pas shumë vitesh ne 2026-ën po shihet një përpjekje reale për të dalë nga logjika e projekteve të izoluara dhe për të ndërtuar strukturë. Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve nuk po flasin më vetëm për financim filmash, por për sistem, për industri dhe për lidhjen e kinemasë me ekonominë kreative, turizmin dhe imazhin e vendit.
Ky ndryshim qasjeje shoqërohet edhe me një moment kyç ligjor: puna për ligjin e ri të kinematografisë dhe ligjin e sponsorizimeve. Ligji i kinematografisë synon të rishikojë një kornizë ligjore që nuk i përgjigjet më realitetit të sotëm, ku filmi është bashkëprodhim, treg, promovim, shpërndarje dhe platformë, jo vetëm akt artistik. Ku për herë të parë do artikulohen cash re-bate, lojrat digjitale, serialet etj.
Ndërsa ligji i sponsorizimeve hap një derë të mbyllur prej kohësh: përfshirjen reale të biznesit në kinematografi, jo si dekor, por si partner afatgjatë.
Sepse filmi nuk është thjesht logo në poster. Është histori, imazh, ndikim. Një film i suksesshëm ndërton më shumë imazh për një vend sesa dhjetë fushata reklame.
Gjithashtu një bashkëpunim i rëndesishëm mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Qendrës Kombëtare të Kinematografise dhe bashkive të vendit, është ndërmarrë një program i posaçëm për rivitalizimin e 7 sallave të kinemasë në Shqipëri, me një fond prej 1.4 milion euro. Ky program nuk synon thjesht rikonstruksion fizik, por rikthimin e kinemasë si hapësirë publike aktive ,si vend shfaqjeje, dialogu, edukimi dhe ndërtimi audience. Është një hap i vogël në numër, por i rëndësishëm në filozofi, sepse për herë të parë pranohet se pa infrastrukturë funksionale, filmi nuk ka ku të jetojë.
Por ndërtimi i një industrie nuk mbështetet vetëm mbi mure dhe ekrane. Ai kërkon njerëz, dije dhe profesionalizëm. Pikërisht për këtë arsye, në vitin 2026, me synimin për të ndërtuar një industri të qëndrueshme dhe profesionistë të niveleve ndërkombëtare, Qendra Kombëtare e Kinematografisë do të financojë bursa studimi në disa nga shkollat më të mira të kinemasë në botë. Ky investim në kapitalin njerëzor shënon një ndryshim të rëndësishëm filozofie: nga prodhimi i filmave, te ndërtimi i brezave që do ta mbajnë industrinë gjallë në afatgjatë.
Në të njëjtën linjë, 2026-a synon ta pozicionojë Shqipërinë jo vetëm si vend xhirimesh, por si pikë referimi për dialogun profesional ndërkombëtar. Gjatë këtij viti, Tirana pritet të kthehet në një epiqendër të eventeve ndërkombëtare të kinematografisë, duke mirëpritur konferenca, takime dhe forume të rëndësishme të industrisë së filmit. Këto ngjarje nuk janë vetëm simbolike: ato krijojnë rrjete, nxisin bashkëprodhime, shkëmbejnë praktika dhe e vendosin Shqipërinë në hartën reale të industrisë globale.
Por institucionet, ligjet, fondet, infrastruktura dhe programet nuk mjaftojnë. Ato krijojnë vetëm kushtet. Përgjegjësia shtrihet përtej tyre. Shoqëria duhet të ndalojë së trajtuari filmin vendas si akt bamirësie. Nuk shkohet në kinema “për ta mbështetur”, shkohet sepse filmi flet, provokon dhe pasqyron realitetin. Kjo kërkon guxim edhe nga autorët: guxim për të komunikuar, për të dalë nga rrethi i mbyllur i festivalit dhe për të folur me publikun real.
Dhe ndoshta ky ka qenë hendeku ynë më i madh: kemi dashur të bëjmë filma të mëdhenj, por kemi pasur frikë nga bashkëpunimi i madh.
Në 2026-ën, pyetja nuk është nëse kinematografia shqiptare ka talent. Këtë e ka provuar. Pyetja është nëse ka vullnet për t’u organizuar, për të bashkëpunuar dhe për të ndarë përgjegjësi. Është momenti nga autorët të lihen mënjëanë inatet dhe kapriçot personale dhe hatër-mbetjet me instutucionin se nuk i është financuar projekti rradhës, por të bashkohen në një projekt akoma më të madh, atë të ngriturit një industri. Nëse ky vit do të mbahet mend si një tjetër kapitull i mbijetesës, apo si momenti kur kinemaja shqiptare vendosi të sillet si industri.
Dritat janë ndezur. Kuadri është kënd-gjërë. Tani mbetet vetëm një pyetje thelbësore: çfarë zgjedhim të fusim brenda tij?/Marrë nga faqja e autorit në Facebook
Komente









